Po tani, ç’duhet bërë?

Nga Ilir Kalemaj

Suksesi nuk është final, dështimi nuk është fatal: është kurajoja për të vazhduar që ka rëndësi.  Kjo thënie e burrështetasit britanik Çurçill është e para që të vjen ndër mend kur shpesh nxitimet e cytyra nga harresa e shpejtë e situatave të përafërta në politikën shqiptare ku ndonëse opozita, pavarësisht cila palë ishte në qeveri, në një moment dukej e pashpresë dhe në tjetrin trumfonte duke ardhur në pushtet brenda pak kohe. Natyrisht si klasë politike, kjo e jona ka vuajtur nga riprodhimi i pushtetit dhe ka ndaluar qarkullimin e elitave siç do thoshte me të drejtë Pareto.

Kanë munguar instrumentet e demokratizimit brenda partisë ku primaret mund të nxirrnin në pah një përfaqësim më të denjë dhe të shëndoshnin debatin ideologjik dhe programor brenda partive politike, duke i’u dhënë peshën dhe profilin e duhur në skakierën politike. Ka munguar jo rrallë vizioni dhe lidershipi për ta nxjerrë vendin nga qorrsokaku i marrëzisë dhe skutat e miopisë. Kanë munguar platformat ekonomike që kapërcejnë debatet thjesht dhe vetëm mbi politikën fiskale, ka munguar rëndom dhe entuziazmi që sjell gara reale, përfshirja e njerëzve, shpresa për të ndryshuar, besimi në një të ardhme më të mirë. Natyrisht është koha për një thyerje sistemi.

Për një ringritje të një republike vlerash. Nuk është e vërtetë që votuesit shqiptarë nuk kanë reflektuar. Po t’i referohemi databasës WHOGOVERN (KushQeveris), Shqipëria është sistemi partiak me luhatjen e tretë të votuesve më të lartë në Evropë. Por shpesh shqiptarët kanë pasur mundësi veç të votojnë për të keqen më të vogël. Shpesh kanë abstenuar dhe shumë herë vota e tyre është tjetërsuar. Ndonëse studiues të ndryshëm kanë demonstruar që luhatja e votuesve fillon të bjerë pas 10 vitesh demokraci (Tavits 2005), duke i’u referuar vendeve të ish-Europës Lindore, Shqipëria edhe këtu del jashtë parashikueshmërisë.

LEXO EDHE  Publikohen shifrat/ Mbi 60 mijë qytetarë drejt Tiranës, ja kush kryeson…

Një vend që ka hyrë në literaturën e zgjedhjeve politike me “Dushkun” e famshëm, po synon një precedent tjetër me bojkotin dhe djegien e mandateve nga ana e opozitës. Por nevoja ekstreme, pjell zgjidhje po ekstreme. Me një pushtet që nuk dëgjon, të kapërcyerit e vetvetes dhe çeljes së shtigjeve të reja politike shpesh kthehet në domosdoshmëri. Është koha për një stinë të re politike. Për një pushtet që dëgjon dhe një opozitë që reflekton. Për një shoqëri civile me zë që i dëgjohet dhe media të pakapur dhe që reflekton vullnetin e shoqërisë. Për qytetarë të angazhuar dhe drejtësi funksionale. Çdo krizë është edhe një mundësi e re. Në mënyrë që të dalim nga rrethi i krizave ciklike dhe të qëndruarit në vendnumëro.