Nga Ervin KOÇI
Gjithnjë shohim me zili përballjet sportive ndërkombëtare dhe me zë apo pa zë, vetes apo dikujt tjetër, i themi “Eh, sa përpara nesh janë”.
Në fakt, nuk janë thjesht përpara. M’u kujtua një barsoletë e fillim viteve ‘90, ku vendet e lindjes deklaronin sa mbrapa SHBA-së ishin.
Dikush thoshte 30, dikush 50 e dikush 100. Kur i erdhi radha shqiptarit tha: “Po, jemi 100 vjet mbrapa, por jemi edhe 50 anash”.
Me dhimbje e pranoj se me të vërtetë sporti shqiptar nuk është thjesht mbrapa, por është edhe “anash”. Kanë kaluar 28 vjet dhe mënyra e organizimit të sportit nuk ka ndryshuar as sa për 28 muaj.
Disa federata kanë bërë ndryshime në organizim, por kjo nuk reflektohet tek anëtarët, që në rastin më të mire, janë shndërruar formalisht nga klube shtetërore në OJF apo SH.A, por në thelb, funksionojnë njëlloj, apo më mirë vegjetojnë me fonde publike nga taksapaguesit.
Dalin në fushë dy ekipe me tërë kuptimin e fjalës shtetërore (financiarisht e organizativisht), me lojtarë e trajnerë që stëviten në kushte amatoreske e marrin atë copë rrogë shteti.
Luajnë ndaj njëri-tjetrit me motive minimaliste (për të mos thënë se nuk kanë fare motiv). Pra, shkurt, shpërdorojnë ato kacidhe që shteti bën sikur u jep.
Edhe nëse del dikush pa mbështetje financiare nga shteti, apo siç quhet në mënyre ofenduese “privat”, pas pak kohësh kupton se ajo kacidhja që shteti u jep të tjerëve, mjafton për të bërë diferencën në këtë varfëri ku jetojmë, e kështu që rrjedhimisht vendos të tërhiqet.
Nuk pretendoj të njoh mënyrën e funksionimit të klubeve në çdo vend të botës, por mund të them me bindje se edhe atje ku ato përfitojnë fonde publike (gjithnjë të lidhura me rezultatet apo pjesëmarrjet në aktivitete ndërkombëtare, pra kundrejt disa objektivave), këto përbëjnë një përqindje të vogël të buxhetit të përgjithshëm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shkojnë për paga apo shpërblime individësh.
Aq më tepër, nuk mund të gjesh asnjë vend normal, ku pushteti (lokal apo qendror) cakton drejtuesit e klubit.
Mund ta zgjasim pa fund, por ajo që mendoj se duhej bërë mbi 20 vjet më parë, por më mirë vonë se kurrë, shprehet vetëm me një fjalë: PRIVATIZIM.
Janë të shumtë ata që tremben nga kjo fjalë. Shpesh shikohet edhe si një mënyrë tjetërsimi abuziv të pronës publike. Në fakt, ajo që unë kam në mendje, nuk ka lidhje fare me këtë.
Unë mendoj se privatizimi nuk duhet të përfshijë asetet e klubeve, por vetëm emrin dhe stemën. Në këtë mënyrë i hapet rrugë konkurencës, e cila që nga viti 1991 e deri më sot, ka qenë e lidhur vetëm me “babaxhanët” që hidhnin para “për qejf” te ndonjë ekip dhe ky arrinte të fitonte.
Privatizimi është hapi i parë, pa të cilit ndreqja e të gjitha problemeve të tjera nuk ka asnjë kuptim. Të gjithë ankohen për mungesën e sponsorizimeve, që në fakt, mungojnë.
Edhe ato pak fonde që sporti thith, vetëm emrin kanë sponsorizim, pasi në fakt, janë thjesht donacione, ndonjëherë me shuma relativisht të majme dhe që bëjnë diferencën në varfërinë tonë, aq sa “sponsori” merr shpesh edhe guximin të kthehet në drejtues e merr vetë të gjitha vendimet.
Personalisht, e shikoj sponsorizimin thjesht si një partneritet financiar mes klubit (apo ekipit) dhe biznesit. Besoj se ligjet aktuale nuk e mundësojnë siç duhet ndërtimin e marëdhënieve të tilla, të natyrshme kudo në botën moderne, por kjo u përket ekonomistëve ta përcaktojnë.
Ndoshta Ligji për sponsorizimet (jo ligji për sportin, pasi sponsorizimi nuk është ekskluzivitet i sportit) duhet ribërë siç duhet. Ndërsa për Ligjin për sportin e them këtë pa “ndoshta”, për sa kohë nuk përfshin në mënyrë të qartë fjalën PRIVATIZIM.
Infrastruktura e rrënuar është edhe kjo e lidhur me privatizimin. Ambientet sportive janë të pamjaftueshme dhe të degraduara.
Ato pak pará që pushteti shpërdoron për rroga qesharake sportistësh, do të sillnin një ndryshim sado të vogël, nëse do të përdoreshin për përmirsimin e infrastrukturës.
Përdorimi i saj kundrejt pagesës nga ekipet/klubet private, do të mundësonte mirëmbajtjen e tyre. Por kjo nuk ndodh, sepse edhe këto ambiente shikohen thjesht si strehë punësimi për militantë, apo janë në përdorim falas për jo-privatët.
Shtëpia është e fortë nga themelet (sportit nga organizimi), ajo që njerëzit shohin, pra fasada e jashtme (ndeshja apo rezultati në sport).
Ata që ndërtojnë e dinë shumë mirë që çdo gjë fillon nga themeli dhe më duket se duam të ndërtojmë një fasadë pa themele, ndaj rezultati nuk do të vijë, edhe nëse do të vijnë, do të jenë raste sporadike për arsye nga më të ndryshmet, ku më kryesori është pasioni i tejskashëm i atyre sportistëve dhe trajnerëve që stërviten për mbijetesën e sportit dhe presim nga zyrtarët tanë të shkruajnë “dy rreshta” për t’i dhënë drejtim kësaj pune në sistemin capitalist, ku kemi rënë dakord të jemi që prej dhjetorit 1990.
Nëse duam rezultate, të cilat natyrisht nuk vijnë menjëherë, duhet urgjentisht të ndryshojmë mendësinë.
(Ervin Koçi, gjyqtar ndërkombëtar basketbolli)