Nuk janë të pakta rastet kur punëtorët dëmtohen në vendin e punës dhe jo vetëm që nuk dëmshpërblehen, por vazhdojnë të bëjnë të njëjtën punë, ndonëse jeta e tyre mund të vihet edhe në rrezik. Pa dëmshpërblim dhe me gojën e mbyllur, të shumtë janë ata që vazhdojnë të ulin kokën dhe të punojnë në kushte tepër të vështira. I tillë është edhe rasti i Aidës, një gruaje nga Fieri e cila 6 vite më parë humbi njërin gisht, gjatë kohës që punonte me një makineri në një fabrikë fasonerie. Në atë kohë vetëm 28-vjeçe, Aida punonte për 150 mijë lekë të vjetra dhe e vetmja gjë që mori në këmbim pas aksidentit ishte paga e një muaji. Ajo heshti dhe punoi derisa siç thotë edhe vetë “iu nxi jeta”.
Këtë të diel, në “Shihemi në Gjyq”, Aida Prifti ka sjellë babain e saj, zotin Vero, të cilin e fajëson se nuk është kujdesur për të. Përtej pakënaqësive që Aida ka me babain e saj, rasti në fjalë për juristen Eni Çobani është i patolerueshëm, si për vonesën e reagimit nga vetë e dëmtuara, ashtu dhe për heshtjen nga këta njerëz që shfrytëzohen, dëmtohen dhe nuk kërkojnë të drejtën e tyre.
“Sigurisht zonja është shumë vonë, është në kohën ekstrem të njoftimi të kësaj ngjarjeje. Ne vendosëm që këtë seancë ta bëjmë publike, sepse unë dua ta nis “unë kam qenë e detyruar zonja Eni të hesht”. Kjo fjala jote do të jetë lajtmotivi i shumë gjërave të mëpasshme që unë do të bëj, sepse në fakt unë sot jam pikërisht dhe më shumë për ju gratë që paskeni qenë të detyruara të heshtni dhe unë sot dua t’ju them një fjalë: Edhe nëse ju heshtni unë do të vazhdoj të ngrejë zërin për ju. Por nëse ju nuk vini, unë e kam të vështirë të ngre zërin për ju. Aida është e patolerueshme, prandaj dhe unë vazhdoj të flas. Nëpërmjet teje flas me të gjitha ato gra që ne na shikojnë në këto momente, që mund të kenë dhe fatkeqësi si e jotja dhe ulin kokën e vazhdojnë jetën e tyre edhe pse ju dhemb shpirti dhe ju qan syri”.
Aida:“Nuk kanë rrugë tjetër moj zonja Eni, nuk kanë rrugë tjetër”.
Çobani: “Jo unë e refuzoj me forcë fjalën tënde, që nuk kanë mundësi. Sot janë të gjitha mundësitë”
Aida:“Shkollimi që kanë ato është fare i vakët për të gjetur një punë që atyre t’u përshtatet. Çfarë do të bëjnë? Janë të detyruara të punojnë në ato fabrika, të heshtin, siç kam heshtur më, por që u detyrova, nuk po mundesha më, plasa, plasa… Kur mua dikush më mësoi dhe më tha merr një raport dhe shko paraqitja atyre, ata thanë nuk të duhet raporti ty dhe u mjaftuan me një muaj rrogë të hedhur. Dhe pastaj me dorë të fashuar në punë, se ndryshe… dhe në të njëjtin proces punë që unë vazhdoj dhe punoj edhe kësaj dite”.
Aida e humbi gishtin e saj të dorës gjatë kohës që punonte me një makineri të quajtur tranxha. Zonja Çobani shpjegoi se kjo makineri është një mjet me një burim të lartë rrezikshmërie. Në ligj, tha ajo, të tilla fabrika me të tilla mjete, quhen veprimtari me burim të shtuar rreziku. Që çfarë do të thotë? Dhe nëse ai pronari nuk ka përgjegjësi direkte për çfarë i ndodh zonjës në kushtet e punës, ai ka përgjegjësi për mjetet e ndërmarrjes që punëtorët përdorin. Pra nëse vajzës i është prerë gishti, pronari duhet të mbante përgjegjësitë e veta ligjore, pikërisht për këtë veprimtari të shtuar rreziku që kanë këto mjete.
Nëna e tre fëmijëve tregon gjithashtu se nëpër fabrika të tilla nuk ekziston trajnimi. Më e mira që ndodh është një periudhë 3 ditore praktike dhe më pas fillon punë.
Por përse e solli Aida babain në studio?
Aida: “Ky baba vërtetë mua më martoi, më bëri me familje me të gjitha. A u interesua ndonjëherë ky për kushtet ku unë punoja? Nuk u interesua.”
Vero: “Moj çupë, e di ça pranoj unë. Gabimi im është që të mora dorën ty, të kisha vajtur vetë atje në fabrikë se më le pjesën e trupit atje. Edhe ti më dole pengesë, se më the që nuk të njeh njeri ty…”
Por Aida tha se nuk ka qenë e vetëdijshme. “Babi e di ça do të thotë një njeri që ka humbur pjesën e trupit… Nuk kam qenë në gjendje të logjikoja siç duhej”.
Zonja Eni shpjegoi se edhe sot Aida nuk është normale.
“Nuk është dhimbja e gishtit ajo që është e madhe, se gishti ka kaluar, por është dhimbja shpirtërore, sepse ka kaluar nga gishti tek mendja. Ajo sot ka një fiksim. Edhe nëse nuk ia di kërkush atë defektin, ajo kudo që është e ulur, thotë më panë të tërë që jam pa gisht. Atë se shikon kërkush, por ajo e ka të fiksuar që është pa gisht. Dhe për më tepër që është grua, por edhe për një burrë është e rëndë, por për një grua akoma dhe më tepër. Jam e bindur që shumë shqiptarë sot thonë: Po hë më se një gisht preu. Por ai gishti është një pjesë shumë e rëndësishme e trupit, çdo pjesë e trupit ka rëndësi, se për ndryshe përse do t’i kishim. Kur ikën një gisht ikën një pjesë e trupit dhe kjo ka rëndësi për ne”.
Aida ishte vetë 22-vjeçe kur filloi punën dhe 28-vjeçe kur pësoi aksidentin në fjalë. Ajo u rikthye në punë pas 1 muaji dhe ka 1 vit që është larguar nga kjo fabrikë.
“Jo se jam larguar, më kanë detyruar, sepse atje përdorin një metodë shumë të mirë me gratë. Venë një përgjegjëse që i shan, i ofendon, i fyen, e çon deri atje sa i mërzitet jeta punëtorit, jo puna, por jeta. Më është mërzitur mua jeta që ika nga atje, mua ma kanë bërë ferr jetën.
Si mund të pranohen kushte të kësaj natyre, që është të fyeni gjatë një procesi pune? Pyet juristja Çobani ndërsa shton: “Dhe nuk denonconi asgjë?”
Aida:“I përtypin dhe vazhdojnë ulin kokën, janë fëmijët në mes…”
Por për juristen Çobani kjo është e gabuar, pasi nëse nuk ngrihet zëri edhe vetë shteti nuk ka sesi të dijë të vërtetën dhe të ndihmojë.
“Edhe shteti është në pozicionin tim. Pra më thoni ju mua, sa dija unë për këtë histori deri në momentin kur Aida erdhi tek unë. Pra, sa mund të dijë shteti, nëse këta njerëz nuk reagojnë. Këta janë brenda një muri rrethues, me një derë hekuri, ku punojnë, futen në mëngjes e dalin pasdite. Dalin si grup dhe hynë si grup dhe kushdo që i shikon thotë: Bravo këtyre njerëzve që u kanë hapur vende pune shqiptarëve, që punojnë dhe marrin para për të ushqyer familjen. Pra këta njerëz janë bërë heronj të shqiptarëve, nuk e dinë që ata janë shfrytëzuesit e shqiptarëve, sepse këto gra punokan në mënyrë të detyruar në thonjëza, sepse nëse je i detyruar punon 1 ditë në javë një muaj, por jo 6-7 vjet. Ju vazhdoni heshtni. Unë edhe njëherë u them shqiptarëve, mos heshtni se jetoni vetëm njëherë!”
“Unë sigurisht i kam bërë një analizë shumë të thellë procesit tënd, e para për vonesën e gjatë në kohë që ti je paraqitur para meje. E dyta për këtë heshtjen tënde të pakuptimtë dhe kam dashur të hy në psikologjinë tënde dhe shumë grave të tjera si ty, që edhe pse jetojnë në kushte minimale jetese, prapë nuk reagojnë për atë të keqen që gjejnë, por mjaftoheni me paratë që merreni dhe ktheheni kokë ulura në shtëpi”.
Por kur Aida i thotë juristes se gjithçka e durojnë e bëjnë “për fëmijët”, zonja Eni përgjigjet: “Për fëmijët, ti sot nuk je ajo nëna e dikurshme, sepse sot je pa një gisht”.
Për rastin në fjalë, juristja Çobani shpjegon se për 3 vjet me radhë Aida kishte mundësinë që të merrte dëmshpërblimin që i takonte, por kjo nuk ndodhi pasi ajo nuk ndërmori asnjë veprim dhe i besoi premtimeve boshe të punëdhënësve. Për të gjithë periudhën që ka qenë në punë, Aida rezulton e siguruar, por duke qenë se nuk e ka denoncuar rastin e saj, ajo nuk ka marrë asgjë.
Në fund publiku votoi pro babait të Aidës, duke mos i dhënë të drejtë asaj që e fajëson të atin që nuk e ka ndihmuar. Çobani shpjegoi se Aida kërkonte vetëm ndihmë familjare, në rastin konkret nga babai i saj.
Krah publikut u vendos edhe Gjebrea. Madje, duke iu drejtuar Çobanit, ai theksoi se në 8 vjet, kjo është hera e parë që nuk janë në të njëjtën ‘llogore’. Por Çobani tha se besonte si ishin në të njëjtën, por i shprehin ndryshe.
“Unë besoj se ai ka bërë aq sa ka mundur“, u shpreh Gjebrea, ndërsa Aidës iu drejtua me fjalët: “Aq shumë të kuptoj dhe më beso më dhemb shpirti. Kur mendoj fëmijët e tu dhe ty, gjithçka që të ka ndodhur, por edhe kur shoh babain tënd që thotë që kam bërë çfarë kam mundur…”
Aida thotë se sot kërkon mbështetje. “E nisa vonë, shpresoj që drejtësia të vihet në vend, sepse tani edhe unë e kam humbur pak a shumë shpresën për një drejtësi, se kur nuk u vendos kur duhej”.
“Këtu shprehet pak gabim Aida, sepse nuk t’u vu drejtësi jo për shkak të drejtësisë, por për shkak të heshtjes tënde. Nëse ti nuk do heshtje atëherë këtu do ishim për të parë çfarë drejtësie u vu, por sot ti po kërkon drejtësi. Ke ardhur shumë vonë, sepse i thonë 6 vjet. Por unë besoj dhe shpresoj shumë që drejtësia do të gjejë formën dhe mënyrën më të mirë t’i përgjigjet kërkesës tënde. Puna jote e parë që nesër në mëngjes, duhet t’i drejtohesh Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, ku do denoncosh çfarë ka ndodhur dhe më pas ne do të luftojmë që kush ka pasur përgjegjësi në kohë për të dhënë dëmshpërblim përsa i përket aksidentit tënd, të arrijmë që ta marrim këtë drejtësi dhe ti të fitosh dëmshpërblimin që të takon”, e mbylli Çobani.
Nga ana e tij, Zoti Vero tha se do t’i qëndrojë në krah të bijës në rrugën e saj për të gjetur drejtësinë. /tvklan.al.