Një vendim, 3 shkelje ligjore. A ka frikë nga Vettingu gjyqtarja Idush Maliqi?

Nga Boldnews.al

Ndryshimet e shumta ligjore nga Reforma në Drejtësi, si edhe procesi i Vetingut, duke se ka çoroditur pjesën më të madhe të sistemit gjyqësor e kjo konstatohet në vendimet e marra nga një pjesë e gjyqtarëve gjatë kësaj periudhe “tranzitore”.

Por, kjo situatë duket se ka ndikuar që gjyqtarët të “ngatërrojnë” edhe ato dispozita ligjore, të cilat kanë qenë në fuqi dhe që nuk mund të ndryshojnë, pavarësisht amendimeve ligjore.

“Boldnews.al” ka siguruar një vendim të gjyqtares së seksionit civil të Elbasanit, Idush Maliqi, në të cilën konstatohen lehtësisht një seri shkeljesh ligjore.

Gjyqtarja Maliqi ka shqyrtuar padinë e një shoqërie tregtare, e cila kundërshtonte veprimet përmbarimore mbi një pronë të saj, për llogari të një kredie bankare të pashlyer në kohë.

Shoqëria paditëse, sipas vendimit, rezulton që ka kërkuar kundërshtimin e veprimit përmbarimor (bllokimin e konfiskimit të pasurisë së paluajtshme në favor të bankës), pasi nuk është dakord me vlerën që i është caktuar nga ekspertët kontabël.

Në bazë të kësaj padie, kuptohet qartë që shoqëria paditëse nuk ka asnjë kundërshtim për faktin se prona e saj do të kalojë për llogari të një banke të nivelit të dytë, për shkak të mospagimit të kredisë. E vetmja gjë që kundërshton kompania paditëse është vlera që i është caktuar pronës.

Gjyqtarja Idush Maliqi e pranon këtë padi, ndërkohë që ajo vetë kryen disa shkelje të rënda ligjore në këtë vendim të sajin.

Së pari, gjyqtarja, përveçse ka vendosur për sa ka kërkuar paditësi, ka shkuar edhe më tej, kur, në vendim, shkruan: “…Urdhëroj bllokimin e çdo veprimi përmbarimor të anës së paditur, shoqëria përmbarimore “XXX”.

Pra, gjyqtarja ka shkuar përtej objektit të kërkesës së shoqërisë së paditësit, duke u treguar “bujare” dhe duke i dhënë më shumë sesa ka kërkuar. Ndërkohë që vetë paditësi kërkon pezullimin e një veprimi përmbarimor, Idushi bllokon “çdo vendim përmbarimor”.

LEXO EDHE  Raporti alarmant i Inspektoratit të Punës: Punëtorët janë të rrezikuar, mund të bien nga lartësitë

Ky qëndrim i gjyqtares Maliqi bie në kundërshtim me nenin 6 të Kodit të Procedurës Civile: “Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet”

Së dyti, gjyqtarja ka gabuar rëndë kur ka vendosur pezullimin e një vendimi përmbarimor në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Idush Maliqi i referohet në mënyrë të pakuptimtë nenit 202 të Kodit të Procedurës Civile, ndërkohë që neni vijues, ai 203, thotë shprehimisht: “Sigurimi i padisë nuk lejohet në rastet e padive që ngrihen gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit, për të cilat zbatohet pjesa e katërt e këtij Kodi.”

Pra, gjyqtarja, megjithëse me eksperiencë, mjaftonte të shihte një nen më poshtë dhe do e kuptonte se nuk mund të bllokonte veprimin përmbarimor në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Së treti, gjyqtarja Idush Maliqi sërish ka gabuar rëndë, kur ka vendosur pezullimin e veprimit përmbarimor që lidhet me kreditë bankare. Neni 610 i Kodit të Procedurës Civile parashikon që, në rastet kur vendoset sigurim padie për veprime që lidhen me kreditë bankare, kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 20 ditë. Gjyqtarja ka vendosur që pezullimin e veprimit përmbarimor ta japë “pa afat.

Pra, siç shihet qartësisht, në një vendim të thjeshtë, gjyqtarja Idush Maliqi ka kryer të paktën tre shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.

Ky vendim, në formën se si është hartuar, i sjell dëme të konsiderueshme palëve në proçes. Por, pasojat duket që nuk janë përllogaritur nga gjyqtarja Maliqi. Ajo ka vendosur të pranojë padinë e shoqërisë private, e cila në këtë proces gjyqësor përfaqësohej nga një ish-koleg gjyqtar i saj, sot avokat.