Nga Boldnews.al
Prej disa javësh janë publikuar përgjime përmes të cilave tregohet manipulimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 përmes fenomentit të shitblerjes së votës.
Përgjimet e fundit, sikundër raportohet, tregojnë manipulimin në të paktën 4 qarqe, ndërsa nga dokumentet e publikuara është provuar sesi pjesëtarë të grupeve kriminale komunikojnë me zyrtarë lokalë, por edhe qendrorë, duke nxjerrë në pah një skemë, e cila nuk është e re në mjedisin politik shqiptar.
Por këtë rradhë provohet të paktën përmes përgjimeve të agjensive ligjzbatuese e gjithë skema, e cila është denoncuar edhe nga Zëri i Amerikës, ndaj edhe jehona është edhe më e madhe.
Nëse i referohemi asaj që ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri, qofshin ato lokale apo parlamentare, madje edhe referendum për Kushtetutën, proçesi është manipuluar, përmes deformimit të votës, qoftë përmes dhunës, ashtu edhe përmes shitblerjes.
Historian nis 1996, kur zgjedhjet parlamentare i manipuluan në të paktën 40 zona zgjedhore. Kjo të paktën sipas raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë. Në atë kohë manipulimi nisi pas tërheqjes së opozitës së atëhershme, PS-së, nga komisionet zgjedhore dhe më tepër se një skemë shtetërore, kishte një angazhim të kandidatëve për deputetë të PD për tu shpallur fitues pavarësisht zonës ku kandidonin.
Një vit më pas, në 1997, vijnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat vetëm zgjedhje nuk mund të cilësoheshin për shkak të ngjarjeve që i paraprijnë proçesit dhe kur territori i vendit në mbi 70 % të tij kontrollohej nga grupet e armatosura të lidhura kryesisht me të majtën shqiptare. Në të njëjtën ditë me zgjedhjet zhvillohet edhe referendumi nëse Shqipëria do të ishte monarki apo republikë dhe rezultati dihej, përsa kohë nuk kishte asnjë mundësi që qytetarët në pjesën dërrmuese të territorit të shprehnin lirshëm vullnetin e tyre.
Në vitin 1998 mbahet referendum për Kushtetutën. Opozita e atëhershme, PD dhe aleatët e saj, bënë thirrje për bojkot, ndërsa një grupim partish qeverisëse, që i përkisnin koalicionin të majtë, kërkonin miratimin e draftit të hartuar nga një komision i posaçëm. Proçesi u konsiderua i rregullt, pavarësisht akuzave për pjesëmarrje të ulët dhe mbushje të kutive të votimit në mënyrë fiktive, vetëm për të rritur nivelin e pjesëmarrjes, kryesisht në zonat rurale.
Në vitin 2000 mbahen zgjedhjet lokale, ku sërisht shfaqen problemet e manipulimit, por skemat e aplikuara në atë ishin sofistikuar në krahasim me proçeset e mëparshme zgjedhore. Për herë të parë në këtë vit u aplikuan listat zgjedhore me problem, ku zgjedhës të identifikuar si mbështetës të opozitës së atëhershme, PD dhe aleatëve, ose nuk gjenin emrin në lista, ose ishin zhvendosur në qytete të tjera, pa pasur lidhje me vendbanimin e tyre.
Në zgjedhjet parlamentare të 2001, kohë kur në krye të qeverisjes së vendit ishte Ilir Meta, shënohet edhe manipulimi më i madh në një proçes zgjedhor, qoftë në skemën e përdorur, ashtu edhe në shtrirjen gjeografike. Për herë të parë prej 1996, në proçesin e zgjedhjeve të 2001 u angazhuan hapur forcat e rendit që nuk nguronin të rrëmbenin kutitë e votimit dhe t’i ndryshonin tërësisht rezultatet në favor të partive të majta. Në të njëjtin proçes u aplikua edhe fenomeni i Dushkut, ku nga një zonë e vetme u prodhuan plot 11 deputetë. Ky ishte një fenomen krejtësisht i ri i aplikuar në politikën shqiptare, ndërsa synimi i mazhorancës së majtë të kryesuar nga socialistët ishte kapja e 84 mandateve që do të thoshte zgjedhjen e një presidenti prej tyre, pa pasur nevojën e opozitës. Por skema e manipulimit të aplikuar në atë kohë mund të kosniderohej edhe si një luftë politike mes grupimeve brenda PS, përplasjes Meta-Nano, mbi atë se kush prej tyre do të kishte shumicën e grupit parlamentare.
Manipulimi i këtij proçesi u faktua plotësisht nga PD dhe aleatët e saj, çka çoi një vit më pas (2002) në marrëveshjen mes dy liderëve kresorë politikë në vend, Fatos Nanos dhe Berishës, që u pasua me zgjedhjen e një presidenti konsensual, një kryeprokurori po konsensual, dhe kreu i KLSH do t’I përkiste opozitës.
Në 2003 vijnë zgjedhjet lokale, ku sërisht denoncohen manipulime, presione nga policia ndaj zgjedhësve, dhe mbushje të kutive të votimit me fletë, që nuk korrespondonin me numrin e votuesve.
Në 2005 sërisht në zgjedhje pati problem të rënda, por duket se u mbyllën shpejt për shkak se u vlerësua rotacioni paqësor i pushtetit nga PS te PD.
Katër vjet më vonë në 2009, vjen edhe rezultati më i ngushtë zgjedhor mes PS dhe PD, ndërsa për herë të parë 4 mandatet e fituara nga LSI, konsideroheshin të arta për qeverisjen e vendit. Pavarësisht se pati kontestime, ky proçes zgjedhor mund të cilësohej më i pranueshmi i zhvilluar në vend. Megjithatë, PS zhvilloi protesta nën moton hap kutitë ose largohu, ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u instaluan çadrat e grevës së urisë të deputetëve socialistë dhe disa prej anëtarëve të forumeve drejtuese të kësaj partie.
Në 2011 vijnë zgjedhjet vendore, ku sërisht pati denoncime për manipulime, ndërsa PS e drejtuar nga Edi Rama akuzoi PD për manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë, ku rezultati mes Lulzim Bashës dhe ish-kryebashkiakut Rama ndahej vetëm nga 11 vota.
Në 2013 zhvillohen zgjedhjet parlamentare, në të cilat u denoncuan rastet e shitblerjes së votës. Rama ndërtoi një koalicion pa nguruar të ofrojë edhe elementë që më pas dolën që kishin problem të forta me ligjin për vepra të rënda penale. Denoncimi më i fortë do të bëhej në sallën e Kuvendit nga ish-deputeti i ndjerë, Sokol Olldashi, që deklaronte nga foltorja e Kuvendit shit-blerjen e votës në qarkun e Fierit.
Në 2015 dhe 2017, në rastin e parë zgjedhjet lokale, dhe më pas ato parlamentare, fenomeni i shitblerjes së votës merr përmasa të frikshme, kjo edhe për shkak të shtrirjes së kanabizimit të vendit në të gjithë territorin. Akuzat që u hodhën nga opozita tregonin sesi paratë e kanabisit deformuan proçesin apo sesi policia ushtronte presione ndaj votuesve, kryesisht ndaj atyre që ishin identifikuar si kultivues të kanabisit.