Nga Robert J. Samuelson
Në ditëlindjen e saj të 20-të, më e mira që mund të thuhet për euron – monedhën evropiane të përdorur nga 19 vende – është se ajo ka mbijetuar. Dy dekada pas futjes në përdorim në vitin 1999, monedha e përbashkët evropiane nuk ka arritur qëllimet e saj kryesore:rritjen e rritjes ekonomike, dhe forcimin e mbështetjes publike për institucionet politike evropiane.
Në shumë aspekte, ka ndodhur vetëm e kundërta. Ekonomia e eurozonës – të gjitha vendet që kanë adoptuar euron; Britania dhe disa të tjerë nuk pranuan të bëhen pjesë – mbeten prapa Shteteve të Bashkuara sa i përket rritjes ekonomike. Për vitin 2019, rritja parashikohet të jetë vetëm 1.6 për qind, krahasuar me 2.6 për qind për SHBA-në.
Më keq akoma, negociatat polemizuese mbi shpëtimin e anëtarëve më të dobët të eurozonës – Greqia, Spanja, Portugalia dhe Italia – kanë lënë një shije të hidhur. Vendet debitore, mendojnë se janë trajtuar keq nga vendet më të pasura kreditore, veçanërisht Gjermania.
Ndërkohë, kreditorët nuk janë të kënaqur me detyrimin për të shpëtuar fqinjët e tyre më të varfër. Inatet mbeten. E gjithë kjo varet nga kriza e tanishme politike e Evropës, nga populizmi i saj në rritje, nga zemërimi i saj mbi emigracionin, dhe nga konflikti rreth daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Një tjetër krizë e euros – një skenar ky i mundshëm – do t’i përkeqësonte më tej gjërat. Italia duket veçanërisht e prekshme, me pak rritje ekonomike dhe borxhe qeveritare në rreth 130 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, vë në dukje Rebeka Paterson në një raport për “Bessemer Trust”, një kompani e shërbimeve financiare.
Për avokatët e saj, joshja e euros ishte e thjeshtë. Eliminimi i monedhave të veçanta të vendeve anëtare të BE-së, do të zvogëlonte shqetësimin mbi konvertimin e parave, do të nxiste norma të qëndrueshme të këmbimit, dhe do të stimulonte tregtinë. Rritja më e shpejtë ekonomike, do të justifikonte një kontroll më të centralizuar, pra një BE më të fuqishme
Në fillim, gjërat shkuan mirë. Normat e interesit ranë ndjeshëm, veçanërisht për huamarrësit më të dobët. Në janarin evitit 1999, normat e obligacioneve qeveritare 10-vjeçare italiane, qenë gati të njëjta me normat e obligacioneve të ngjashme gjermane, megjithëse ekonomia gjermane dhe shanset e rimbursimit, ishin shumë të të larta se sa ajo e Italisë.
Në të kundërt, normat italine të interesit ishin shumë më të larta përpara euros (hendeku midis normave gjermane dhe italiane, ishte 5 pikë për qindje në fillim të vitit 1995). Vende të tjera debitore, u lehtësuan nga normat më të larta të interesit.
Arsyetimi i dukshëm për normat më të ulëta ishte ky:Investitorët besonin se disiplina e një monedhe të vetme, do të detyronte shumë vende më të varfëra të BE, të përmirësonin ekonomitë e tyre- dhe më pak optimistët – nëse kanë probleme, ata do të shpëtonin nga të tjerët. Pra, rreziku i kreditimit kishte rënë; dhe mund të huazohej më shumë.
Rezultati nuk duhet të ketë habitur askënd. “Pati një bum të kredisë”- thotë ekonomisti Adam Pozen i Institutit Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare. Bankat gjermane, franceze, holandeze dhe belge i huazonin para huamarrësve grekë, spanjollë, italianë dhe portugezë. Paratë blenë bonot greke dhe pasuritë e patundshme spanjolle.
Të gjithë ishin të lumtur. Greqia, Spanja dhe debitorët e tjerë gëzonin kënaqësitë e parave të lehta. Gjermania dhe vendet e tjera kreditore, përfituan nga eksportet e mëdha që nga ana tjetër, financoheshin nga kreditë nga bankat e këtyre vendeve.
Problemi ishte se kreditorët dhanë kredi me tepri, dhe debitorët morën më shumë borxhe sesa mund të kthenin. Recesioni i Madh, që preku Shtetet e Bashkuara në vitet 2007-2009, rezultoi fatal. Efektet e tij anësore, duke përfshirë një rënie të madhe të tregtisë globale, dëmtuan shumë huamarrës dhe huadhënës evropianë.
Disa huadhënës nuk kishin dëshirë, apo mundësi të ripërtërinin kreditë e tyre. Kishte “ndalesa të papritura”, siç e vë në dukje Pozen. Për të shmangur falimentin, huamarrësit u detyruan të marrin kredi nga qeveria (nga bankat qendrore dhe agjencitë ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar) ose të ulnin shpenzimet dhe rrisnin taksat.
Pikërisht këtu ndodhën edhe negociatat më të vështira, pasi huadhënësit dhe huamarrësit debatuan mbi kushtet. Një zgjidhje e mundshme, ishte që vendet debitore të braktisnin euron, dhe të ktheheshin tek monedhat e tyre kombëtare – dhe ta bënin këtë me normat konvertimi që favorizonin huamarrësit.
Kjo nuk ndodhi, megjithëse ka pasur shumë spekulime se mund të ndodhte. Gati të gjithë u pajtuan se shpërbërja e euros do të kishte përfshirë çështje jashtëzakonisht të vështira ligjore, politike, operacionale dhe morale. Megjithatë, kjo ishte një mundësi.
Nëse disa vende e kishin hedhur poshtë euron, çfarë do të kishte ndodhur? Asgjë? A nuk po bëjnë po kështu shumë vende? Një recesion i thellë global? Asnjë nga këto nuk ndodhi, pjesërisht pasi askush nuk mund t’i përgjigjej me besim këtyre pyetjeve.
Një tjetër arsye, është se euro mbetet popullore në union. Nga një studim, 74 për qind e përdoruesve të euros e mbështesin atë. Njerëzit favorizojnë euro, megjithëse jo masat e nevojshme për ta bërë atë funksionale. Në fund, Banka Qendrore Evropiane bleu bono me vlerë 2.6 trilionë euro (rreth 3 trilionë dollarë me kurset aktuale të këmbimit), për të mbështetur monedhën e përbashkët, pasi president i BQE-së, Mario Dragi, u zotua në mesin e vitit 2012,
të bënte “çfarëdolloj gjëje që duhej”, për të shpëtuar euron.
Historia vazhdon. “Me gjasë, do të kemi një recesion tjetër amerikan”- thotë Paterson, i cili ka shkruar raportin e Trustit Besemer. Atëherë do të shohim nëse qeveritë, bankat dhe bizneset e Evropës, do të mund të përballojnë presionet e krijuara nga borxhi i lartë, dhe rritja e ulët ekonomike – dhe nëse euroja mund t’ia dalë sërish të mbijetojë.
/“The Washington Post” – bota.al/