Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schutz ka reaguar për rastin e prokurorit Bujar Sheshi.
Pas një takimi me Gentiana Sulën, kryetaren e Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, ambasadorja e Gjermanisë foli edhe investimet që ishin bërë në këtë institucion.
‘Nuk i njoh të gjitha detajet e procesit por për mua është mjaft e rëndësishme të theksoj edhe njëherë se për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian është shumë e rëndësishme që reforma në sistemin e drejtësisë të mund të ecë përpara’, tha ambasadorja e Gjermanisë Susanne Schutz.
Fjala e plotë e ambasadores gjermane, Susanne Schutz:
Shumë e nderuar znj. Sula
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,
është kënaqësi që Qeveria Federale po e mbështet edhe njëherë me një donacion pajisjesh Autoritetin mbi Informimin për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit.
Fjala është për aparate fotografike dhe videokamera, mikrofonë dhe Ëorkstations se bashku me aksesorët përkatës. Përmes këtyre aparaturave synohet që në dy vitet e ardhshme të regjistrohen, ruhen dhe të përshtaten kujtimet e të mbijetuarve, në mënyrë që të bëhen të aksesueshme për publikun qoftë në faqen dygjuhëshe të internetit ‘oral history’, apo në mediat sociale dhe publikime të ndryshme.
Para ekzaktësisht në emër të Qeverisë Federale Gjermane një viti i kam dhuruar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit një donacion tjetër në pajisje. Asokohe bëhej fjalë për aparatura të digjitalizimit dhe arkivimit të dosjeve të ish-sigurimit të Shtetit. Edhe vizitën ne vendete ndryshme të arkivimit të këtyre dosjeve para një viti e kam në kujtesë shumë të mirë. Me këtë rast munda të krijoj një ide konkrete rreth detyrave madhore me të cilat përballet ky autoritet. Ndaj është kënaqësi te konstatoj që hapja e sosjeve të ish-Sigurimit të shtetit po ecën përpara, ndoshta ngadalë, por në mënyrë të pandërprerë.
Përgjatë shek. 20 Gjermania ka patur dy përvoja tejet të dhimbshme me regjimet diktatoriale: 1933 – 1945 kur regjimi i padrejtësive nacionalsocialiste mbolli luftë dhe shkatërrim në Evropë e përtej saj; dhe më vonë, prej vitit 1945 deri në rënien e Murit në periudhën komuniste të ish-RDGJ.
Unë e di, ca më shumë sepse jam gjermane pra, që të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Ndaj përshëndes përpjekjet e Shqipërisë për të mos e lënë në prehje të shkuarën e saj.
Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak të shkuarës e të niste prej zeros, e kësisoj t’ia linte harresës çështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Por përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të, ka edhe një të ardhme.
Në këtë kontekst një kolonë veçanërisht e rëndësishme e qasjes ndaj historisë sonë ka qenë dhe vazhdon të jetë konsolidimi i kulturës së kujtesës, edhe – e para së gjithash – përmes rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës. Viktimat e diktaturës kanë të drejtën e kujtesës: të kujtuarit e fateve individuale të njerëzve është dicka e rëndësishme.
Prej përvojës gjermane e dimë mjaft mirë që ky nuk është një proces i thjeshtë. E megjithatë – dhe kjo është bindja ime – një shoqëri duhet të përballet me këtë debat në mënyrë të hapur e të sinqertë. E këtu dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që angazhohen që ky dialog të shkojë përpara – edhe atëherë kur ai nxjerr të vërteta të dhimbshme.
Gjermania dëshiron të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë proces përpunimi. Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme, në mënyrë që edhe te të rinjtë që nuk e kanë përjetuar ne vetë të parë regjimin e Hoxhës, të mprehet vetëdija lidhur me faktin, se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve dhe të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Evropës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende – diçka e vetëkuptueshme.
E dashur znj. Sula, ngritja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ishte një gur i rëndësishëm kilometrazhi në rrugën e trajtimit të të shkuarës në Shqipëri. Ju, së bashku me ekipin tuaj keni arritur shumëçka! Por keni edhe shumë punë përpara vetes! Uroj për ju dhe bashkëpunëtorët tuaj shumë suksese në veprimtarinë tuaj dhe ju siguroj se Gjermania do të vazhdojë të mbetet një partner i besueshëm në punën tuaj.