Nga Habjon Hasani
Pas shpërthimit të skandalit në Unazën e Re me falsifikimet e kompanisë DH-Albania, Edi Rama e gjeti veten në mes të një vorbulle korruptive të befasishme dhe të rrezikshme për të, por ai u tregua tepër i vëmendshëm ndaj këshillave që i erdhën prej miqve vendas dhe të huaj, të cilët i thanë: “Kap momentin, shfarose metastazën”.
Zullumi korruptiv solli telashe serioze, por ama shfaqi në horizont dhe mundësinë për të larë hesapet me aksin më problematik dhe ndoshta më të kompromentuar në qeverinë Rama, aksi Gjiknuri-Ahmetaj.
Damian Gjiknuri përflitej çdo ditë në media për lidhjet me kllounin e një sekti të çuditshëm indian, por kjo historia e indianit ishte thjesht një fabul komike që sado mund ta diskretitonte Gjiknurin, nuk e cënonte dot seriozisht atë.
Sepse Gjiknuri kishte thurur një rrjet të pashoq mbrojtësish në korridoret e pushtetit por edhe në media. Ai ishte bërë i paprekshëm dhe kishte arritur të kompleksonte dhe opozitën.
Dy janë kolllonat kryesore ku u mbështej fuqia e Damian Gjiknurit.
-E para ishte Klani Aleksandër Frangaj –Samir Mane – Gjikuria shpk.
-E dyta ishte studioja ligjore Celibashi-Visha-Mediu.
Gjiknuri ishte i vetmi ministër i qeverisë Rama që gëzonte imunitet maksimal nga media, por dhe opozita dukej sikur përtonte të merrej seriozisht me të.
Rolin kryesor për këtë imunitet e ka luajtur biznesmeni Samir Mane, ai ka qenë protektori më i fuqishëm i zotit Gjiknuri, madje nëpërmjet influencës që Samir Mane ushtron në Top-Channel, disa javë më parë ai i bëri një “dhoro” Gjiknurit, kur Top Channel shfaqi një dokumentar diskretitues për Fatmir Xhafajn. Ky i fundit kishte hetuar katërcipërisht aferën e ‘Unazës së Re’ dhe pas kësaj Gjiknuri me Ahmetaj i kishin shpallur luftë frontale Xhafajt.
Rënia e Fatmir Xhafajt, e çoi në zenith aksin Gjiknuri-Ahmetaj. Dukeshin më të pushtetshëm dhe më të fuqishëm se kurrë.
Ata kishin çdo gjë, Edi Ramën e kishin rrethuar, shokut Gramoz dhe mikut të tij Xhafaj ia kishin vënë këmbët në një këpucë, kishin TV-Klanin, Top Channel-in, kishin në dispozicion gjithë ndikimin politik që ofron një oktapod si Samir Mane, por kishin në mbështetje dhe një studio ligjore strategjike, e cila u ofronte skema të posaçme pune.
Ka qenë studioja ligjore Celibashi-Visha, ajo që e stërviti Gjiknurin për të punuar me projekte speciale, nëpërmjet një skeme elementare: Nëse do ta kompleksosh opozitën, atëherë fut në lojë dhe oligarkë të lidhur me opozitën. Kaq e thjeshtë.
Gjiknuri nuk ia përtoi, ai nuk kishte asnjë kompleks për të zbatuar këtë formulë, frytet i voli shumë shpejt, ishte ndoshta ministri më i kompromentuar i Edi Ramës, por më pak i investiguari, ose aspak i investiguar, sepse gjithë sa përflitej Gjiknuri ishte ai muhabeti i kllounit indian, kryesisht në portale, asgjë më tepër.
Historia e Gjiknurit mori tjetër rrjedhë, kur në mënyrën më të befasishme për Ramën, u zbulua se një prej kompanive të tenderit të Unazës së Re, kishte falsifikuar dokumentacionin.
Top Channel dhe TV-Klan, u vunë menjëherë në lëvizje, këto dy televizione raportuan menjëherë dhe me intensitet faktin se kompania DH-Albania ishte e lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, por nëse i analizon kronikat këtyre dy televizioneve, në asnjërën prej tyre, nuk përmendet emri i Damian Gjiknurit.
Ishte i paprekshëm në TV Damiani, por imuniteti mediatik i këtij ministri nuk mjaftonte, pasi skandali i Unazës së Re e kishte ekspozuar tërësisht.
Pas shpërthimit të këtij skandali, Gjiknuri ishte i vetëdijshëm se koha punonte kundër tij, ai u tregua racional dhe i angazhoi miqtë e tij të fuqishëm që të ndikonin pranë kryeministrit, me qëllim që Gjiknuri pas shkarkimit si ministër, të kapë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste.
Në të njëjtat siklete si Gjiknuri është dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj, por ky është disi më komod, pasi përtej nivelit të kompromentimit që mund të ketë pasur, ende nuk i është bërë publike ndonjë aferë e këtyre përmasave.
Duket sikur dhe ‘Tigri’ e ka kuptuar se ca kohë pushim të bëjnë mirë, të përtërijnë, mjafton që të mos jesh epiqendër e ndonjë cikloni korruptiv në media.
Edi Rama duket se është i fituari i vetëm pas një viti ku lufta e klaneve në PS arriti kulmin.
Ai frenoi Fatmir Xhafën, e shkarkoi dhe nuk e la të ‘kafshonte’ më tej. Ndërsa fati ja solli që klanin rival të Xhafës, klanin Gjiknuri-Ahmetaj, ta frenonte në momentin më të papritur, atëherë kur u plasi skandali i befasishëm me Unazën e Re.
Ishte një skandal tepër kompromentues, që Edi Rama e konvertoi në një mundësi për të rivendosur ekuilibrat mes klaneve që e rrethojnë.
Të gjitha këto zhvillime të befta në konjukturën qeveritare, u realizuan ndërsa në sfond dëgjoheshin brohorimat e studentëve që kërkonin shkarkimin e Lindita Nikollës. Edhe këtu qëlloi me fat Edi Rama.
Vuri në dispozicion gjithë bateritë mediatike për t’u marrë me studentët nga mëngjesi deri në mbrëmje, ndërsa prej mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit, kryeministri shqyrtonte vetëm skemat e konfigurimit të qeverisë së re dhe mënyrën se si do të zgjidhte problemin e tij real:
Neutralizimin e aksit Gjiknuri-Ahmetaj.
/Hashtag.al/