Jeison Murillo u prezantua sot si afrimi i parë i Barcelonës në merkaton e janarit. Po sot, kolumbiani firmosi kontratën e tij për huazimin deri në fund të sezonit me opsionin e ripërtëritjes pas gjashtë muajsh.
Por, jo çdo gjë shkoi mirë për mbrojtësin në pronësi të Valencias. Në tentativë për të bërë disa gjonglime në fushë përballë tifozëve të Barcelonës 26-vjeçari duket se nuk i përballoi dot emocionet dhe në dy raste humbi kontrollin e topit duke i rënë në tokë. Kaq ka mjaftuar dhe video të qarkullojë në të gjithë botën dhe të shpërndahet qindra-mijëra herë.
Një moment tjetër interesant u regjistrua gjatë firmës që Murillo po hidhte mbi kontratën e Barcelonës. Vajza e tij e vogël shkoi në drejtim të tij dhe ai nuk ngurroi ta marrë pranë vetes dhe të “firmosin” të dy së bashku aventurën e re të babait të saj.