Banorët e “Astirit”, kanë vijuar edhe sot protestën në ditën e 43-të të tyre, ku tashmë nuk kërkojnë vetëm dëmshpërblim, por anulim të plotë të projektit të “Unazës së Madhe”.
Gjatë protestës së natës së sotme është regjistruar një incident, ku një makinë ka tentuar të kalojë, ndonëse banorët kishin bllokuar rrugën. Kjo ka acaruar situatën dhe banorët kanë debatuar me drejtuesin e makinës që tentoi të kalonte. Pas kësaj situata është qetësuar, dhe protestuesit kanë mbyllur protestën e tyre dhe janë shpërndarë, ndërsa thanë se do të vijojë protesta e tyre nesër sërish në të njëjtën orë.
Ndërkohë banorët shprehen se projekti është korruptiv, e si i tillë duhet të anulohet.
Në mbështetje të tyre ka shkuar mbrëmjen e sotme sërish kryedemokrati Lulzim Basha dhe disa deputetë të opozitës. Ai u shpreh se janë dy krime të konstatuara tek Unaza e Re, ndërsa shtoi se një krim i tretë do të publikohet në ditët në vijim nga Partia Demokratike.