Ditën e sotme studentët do të bashkohen në protestën e tyre përpara Kuvendit, pak para nisjes së seancës plenare të orës 10:00.
Ky është vendimi i përbashkët i marrë nga të gjithë studentët e fakulteteve, dhe në ndryshim nga dje protesta nuk do të jetë e ndarë në dy grupe.
Vendimi është mbështetur dhe nga Lëvizja për Universitetin, të cilët theksojnë se nuk do të ketë asnjë negociim me Ramën, por vetëm plotësim të kërkesave, tashmë të bëra publike.
8 kërkesat e studentëve gjenden prej një jave në zyrën e Nikollës dhe Ramës.
PROTESTA VAZHDON EDHE MË E FUQISHME!
Asnjëra nga kërkesat e studentëve nuk mund të realizohet pa shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë. Nesër mblidhet në seancë plenare Kuvendi i Shqipërisë. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë studentëve që të bojkotojnë mësimin dhe të marshojnë drejt Kuvendit të Shqipërisë, institucionit që ka në dorë shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë.
JO NEGOCIATA! PLOTËSIM I TË GJITHA KËRKESAVE STUDENTORE!
Nga ana tjetër një pjesë studentësh e kanë gdhirë mëngjesin e sotëm në rrugë përpara ministrisë së Arsimit dhe kryeministrisë. Për shkak të temperaturave shumë të ulëta 2 prej tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe janë dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
I vetmi reagim që erdhi nga qeveria për këtë situatë ishin fotot në instagram të kryeministrit Edi Rama.
Në seancën e sotme në Kuvend është konfirmuar se do të jenë dhe deputetët e LSI-së, ndërsa nuk dihet ende qëndrimi i grupit parlamentar të demokratëve.