Gracka e Votuesit: Mes Alkimisë Elektorale dhe Demokracisë Hibride

Eltion Meka & Ilir Kalemaj
*******************************
Ky libër lindi si një ide dhe përpjekje për të studiuar në mënyrë sistematike sjelljen e votuesve në Shqipëri në këto 28 vjet, një studim sasior dhe cilësor pioner mbi faktorët që kanë ndikuar te votuesit. Këta faktorë sipas autorëve, përfshijnë inter alia të tillë si ideologjia, kultura politike, ndarjet gjinore, diferencat moshore, rural-urbane etj., si dhe shpjegimet përkatëse mbi prirjet elektorale.

Libri i përgjigjet pyetjeve mjaft të rëndësishme dhe ende të paeksploruara në mënyrë shkencore dhe sistematike në literaturën shqiptare, të tilla si: Si kanë votuar shqiptarët këto tre dekada? Pse kanë votuar në këtë mënyrë në secilën palë zgjedhje? Cilët faktorë kanë qenë determinantë? Si paraqitet prirja e votuesve aktualë? Si kanë votuar grupe të ndryshme shoqërore, në kohë të ndryshme, të tillë si gratë apo fermerët, intelektualët apo studentët? Ka paralelizma apo ndryshime me vendet e tjera të ish-Evropës Lindore dhe Qëndrore? Po në raport më specifik me vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor? Çfarë përfundimesh nxjerrim nga këto të dhëna dhe si na shërbejnë ato?

Ne mendojmë se është nje studim sui generis në këtë lëmë, me këtë qasje dhe që rrok një tematikë komplekse që besojmë ju shërben studiuesve të fushës, qofshin studentë, pedagogë, kërkues shkencore dhe studiues te disiplinave të ndërlidhura, si dhe media, politikanë, por edhe publik i angazhuar. Gjithashtu libri hap rrugën për studime analoge që mund të fokusohen në aspekte të tjera shqetësuese të tranzicionit problematik shqiptar për të kuptuar dimensionet e brendshme të krizës perpetuale politike të Shqipërisë, institucionet e pafuqishme dhe pamundësinë e legjitimitetit demokratik apo vuajtjen nga “defiçiti demokratik” i cili vijon të mbajë peng ndër të tjera intregrimin evropian të vendit.

Moskuptimi i mënyrës si votojnë shqiptarët, pse votojnë në një mënyrë apo në tjetrën, si ndryshojnë preferencat e tyre dhe sa e lirë është zgjedhja e tyre nga faktorë dhe vektorë pengues dhe transformues, janë të rëndësishëm për të kuptuar rreziqet që vijnë nga padija. Këto rreziqe mund të manifestohen mandej në rrëshkitje në tendenca autoritariste, mosndarje pushtetesh dhe mungesë kontrolli dhe balance mes tyre, mosfunksionim të institucioneve të pavarura, krizë besimi dhe shoqëri civile të kapluar nga anomia apo apatia kronike e cila pamundëson mobilizimin qytetar dhe reagimin demokratik në raste krizash politike.

Libra si monografia që keni në dorë rreken të hedhin sadopak dritë mbi këto fenomene të cilat vlejnë për të kuptuar se liria e të zgjedhurit është një përpjekje e vazhdueshme, se konstitucionalizmi dhe ndarja e pushteteve janë alfa dhe omega e demokracisë, dhe se pa llogaridhënie dhe analizë post factum nuk mund të ketë spill over pozitiv. Gjithashtu vlen për të kujtuar se integrimi kthehet në eufemizëm bosh i pashoqëruar nga reformat e rëndësishme- nga të cilat spikat reforma zgjedhore e cila duhet të konludohet një orë e më parë duke marrë parasysh rekomandimet e OSBE-së dhe ndërkombëtarëve të tjerë të përfshirë në process.

Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, interesat e grupeve shoqërore të organizuara politikisht me presion poshtë-lart, janë një parakusht i domosdoshëm për funksionimin normal të çdo demokracie, përfshirë demokracinë e papjekur shqiptare.

Prof. Dr. Fatos Tarifa qw ka shkruar parathwnien e librit citon ndër të tjera se: “[v]etë titulli intrigues i kësaj monografie, Gracka e votuesit: Mes alkimise elektorale dhe demokracise hibride, e paralajmëron lexuesin për risitë që ai sjell në studimin e procesit demokratik në vendin tonë. Një pjesë e literaturës më të mirë të shkruar në Perëndim mbi teorinë demokratike, tranzicionin demokratik dhe procesin elektoral demokratik, nga studiues shumë të njohur, u ka shërbyer autorëve të këtij vëllimi si një bazë teorike orientuese për të kuptuar e shpjeguar të veçantat e tranzicionit shqiptar në kushtet e një shoqërie postkomuniste që e ka pasur—dhe vazhdon ta ketë—shumë të vështirë të ndahet nga e kaluara dhe që, ka njohur tranzicionin më të gjatë, më të vështirë e më të dhimbshëm sesa të gjithë vendet e tjerë të Europës Lindore. Trajektorja e tranzicionit demokratik në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një trajektore krizash dhe, ky tipar, sa ka qenë rezultat i proceseve të kontestuara zgjedhore, aq ka qenë edhe shkak i tyre. Kjo marrëdhënie dialektike zbulohet qartë nga Meka dhe Kalemaj në studimin e tyre”.

LEXO EDHE  Situata politike/ Meta: Ndërkombëtarët, sjellje helmuese me Shqipërinë, mazhoranca e papërgjegjshme

Profesoreshë Lea Ypi nga London School of Economics si recënsuese shkencore e librit shprehet ndër të tjera se nga ana teorike, “ky studim përmban një analizë interesante të ndërlidhjes midis sjelljes së votuesve dhe shkallës së pjekurisë të arritur në një demokraci duke e vendosur studimin mbi preferencat e votuesve shqiptarë në hartën e analizave më të rëndësishme të tranzicionit në Europën Lindore dhe në Ballkan”. Mandej Prof. Ypi thekson se “nga ana e aplikuar (praktike), studimi vendos baza metodologjike me shumë vlerë në analizën rigoroze të shkencave politike shqiptare duke përdorur teoritë e regresionit për të studiuar luhatjet e votës së qytetarëve shqiptarë gjatë viteve 1998 deri në 2012. Studime empirike rigoroze me baza regresionin, kërkojnë të dhëna tepër të forta dhe një nga vështirësitë kryesore të këtyre studimeve në Shqipëri është pikërisht mbledhja e të dhënave.

Ky studim është tepër i rëndësishëm pasi jo vetëm e ka përballuar denjësisht këtë sfidë, por edhe për mënyrën se si ka krijuar një model që studimet e mëpasshme duhet të ndjekin. Pjesa e studimit që i kushtohet rëndësisë së nivelit të edukimit për diskutimin e preferencave zgjedhore dhe ajo që flet për preferencat e majta të votuesve femra, do të ishin një bazë e shkëlqyer për të thelluar (si nga ana teorike edhe nga ajo e aplikuar), një studim mbi rolin e edukimit politik për formimin jo vetëm të preferencave zgjedhore por edhe të bindjeve ideologjike më gjerë. Po ashtu, përgjithësimi dhe perfundimi që studimi nxjerr mbi efektet gjinore mbi përkatjen partiake dhe bindjet politike është një kontribut shumë i vlefshëm për studimet mbi dallimet gjinore në Shqipëri dhe krahasimin me vendet e tjera të Ballkanit”.

Ndërsa Prof. Afrim Krasniqi si një nga recensuesit shkencorë të librit shprehet se studiuesit Meka e Kalemaj ofrojnë një kontribut modest në pretendime, por profesional në përmbajtje, gjë për të cilën meritojnë vëmendjen e duhur nga të gjithë ata politikanë, historianë politikë, analiste, ekspertë të zhvillimeve të tranzicionit, aktivistë politikë, media politike e studentë të gjeneratave të reja, për të cilët politika nuk shihet si një proces vendimmarrës i diktuar nga lart, por si një proces i ndërveprimit dhe reflektimit të të gjithë aktorëve, prurjeve dhe alternativave, qytetarë e kandidatë, parti dhe institucione, por që zgjedhjet të bëhen zgjidhje dhe që zgjidhjet të orientohen nga e ardhmja.