Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe zv.drejtori i Përgjithshëm mund të zgjidhen edhe nga Forcat e Armatosura, madje edhe nga struktura të tjera të sigurisë kombëtare.
Qeveria ka miratuar disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për Policinë e Shtetit, që ua heq ekskluzivitetin specialistëve me përvojë të gjatë policore për të qenë në krye të kësaj organizate, duke u hapur rrugë edhe kandidaturave me tjetër uniformë. Madje, përveç këtyre dy posteve, më të rëndësishmet në Policinë e Shtetit, u hapet rrugë edhe ushtarakëve nga radhët e Forcave të Armatosura për t’u bërë pjesë e Policisë.
E për këtë qëllim, është shtuar një nen i plotë në ligjin për Policinë e Shtetit. Pas nenit 40 është shtuar neni 40/1, me këtë përmbajtje: Pranimi nga radhët e Forcave të Armatosura. Ky nen përbëhet nga 6 pika, që përcaktojnë saktësisht pranimin e ushtarëve në Policinë e Shtetit. Ndërsa një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kushti i domosdoshëm për t’u pajisur me certifikatë sigurie. Të gjithë policët, pa përjashtim, duhet të jenë të pajisur me këtë dokument.
DREJTUESIT
Ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit nisin që me zgjedhjen e drejtorit e zv.drejtorit të Përgjithshëm. Në nenin 13, që përcakton kriteret e emërimit të drejtorit të Përgjithshëm, ka ndryshuar germa “b” e pikës 2. Aty thyhet që kandidati për drejtor të Përgjithshëm Policie duhet të ketë të paktën 15 vjet përvojë në Polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 10 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura. Pra, nuk përzgjidhet më vetëm nga radhët e Policisë së Shtetit, siç ishte në ligj, por edhe nga struktura të tjera të sigurisë kombëtare. I njëjti ndryshim ka ndodhur edhe në nenin 14, që përcakton kriteret për emërimin e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
PRANIMET NGA USHTRIA
Pas nenit 40 të ligjit për Policinë e Shtetit, që sqaron pranimin në funksione të veçanta, është shtuar neni 40/1, me këtë përmbajtje: Pranimi nga radhët e Forcave të Armatosura. Aty sqarohet se, për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38 (kriteret për pranimin në Akademinë e Policisë), të këtij ligji.
Për ushtarakët e shërbimit, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1 të këtij neni bëhet pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur vjetërsinë e shërbimit. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit.
Neni 13/
Kriteret e emërimit të drejtorit të Policisë së Shtetit Shkronja “b”, e pikës 2, të nenit 13, ndryshohet, si më poshtë: të ketë të paktën 15 vjet përvojë në Polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 10 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura.
Neni 14/ Emërimi dhe kriteret e emërimit të zv.drejtorit të Policisë së Shtetit Shkronja “b” e pikës 1, të nenit 14, ndryshohet, si më poshtë: të ketë të paktën 12 vjet përvojë në Polici ose në strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, nga të cilat, të paktën, 8 vjet në pozita të larta drejtuese në këto struktura.
Neni 19/ Organizimi dhe struktura e përgjithshme e Policisë së Shtetit Pika 1, e nenit 19, ndryshohet, si më poshtë: Policia e Shtetit është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor. Ajo organizohet mbi bazë shërbimi, e profilizuar në Policinë Kriminale, Policinë për Sigurinë Publike dhe Policinë për Kufirin dhe Migracionin. Kategoritë e profilizuara të Policisë së Shtetit dallojnë midis tyre nga arsimi, kualifikimi, simbolet, detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë.
Neni 38/ Kriteret për pranimin në Akademinë e Policisë Në nenin 38, bëhen këto ndryshime e shtesa: Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë:
b) të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil. Shkronja “d”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë: d) të ketë mbaruar së paku arsimin e mesëm. Në pikën 2, pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
g) të plotësojë standardet dhe kriteret e tjera të veçanta të përcaktuara nga Akademia e Sigurisë dhe të miratuara nga ministri i Brendshëm.
Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje: Për nevoja të Policisë së Shtetit, pranohen në Akademinë e Sigurisë shtetas që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni. Kandidati që përfundon me sukses kualifikimin përkatës pranohet në Policinë e Shtetit dhe i jepet grada policore “Nënkomisar”.
Pas nenit 40 shtohet neni 40/1, me këtë përmbajtje: Pranimi nga radhët e Forcave të Armatosura 1. Për plotësimin e nevojave të veçanta mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.
2. Për ushtarakët e shërbimit, pranimi realizohet mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat nga ku do të pranohen.
3. Në çdo rast, pranimi sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim të ushtarakëve nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
4. Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike.
5. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke njohur ruajtur vjetërsinë e shërbimit.
6. Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për Çështjet e Rendit dhe të Sigurisë Publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së 6 Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit./panorama/