Orion Delaj, ndryshe nga shumica e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Europës, si Gjermani apo Francë, ka zgjedhur të kërkojë azil në Korenë e Jugut. Historinë e 26- vjeçarit nga Vlora e ka publikuar gazeta “Korean Times”.
I riu ka deklaruar për autoritet e vendit aziatik se në Shqipëri i rrezikohet jeta për shkak të gjakmarrjes. Delaj ka rrëfyer se në Shqipëri ka marrë disa herë kërcënime për jetën dhe për këtë arsye vendosi që të largohej. Sot ai jeton në Seul dhe merr mësime për gjuhën koreane.
Apartamenti i tij është vetëm një dhomë e vogël, ku ka një krevat dhe një tavolinë. “Nuk mund të bëj asgjë këto ditë, i kaloj i vetëm, duke bërë xhiro, duke u përpjekur të njoh njerëz të rinj”, shprehet për “Korean Times” Delaj, i cili ka shkuar në Kore në nëntor të vitit 2017. Ai është në pritje për të marrë një përgjigje pozitive, por ende nuk ka marrë asnjë letër apo thirrje nga qeveria e këtij vendi që prej atëherë. “Deri tani kam takuar njerëz të këqij me premtime false dhe mashtrime, të cilët më kërkojnë para për të më nxjerrë vizë. Nuk i jap askujt para”, shprehet ai më tej për gazetarët e këtij vendi.
Ambienti ku jeton i riu vlonjat
Siç shprehet për median e Koresë së Jugut, ai pajiset çdo tre muaj me vizë, gjë e cila ia ka kthyer jetën në një tmerr deri tani. Delaj shprehet se çdo mëngjes nuk di se çfarë do të bëjë dhe i drejton pyetjen vetës se çfarë do të ndodhi me të. “E dija që jeta ime në Kore nuk do të ishte e lehtë”, tregon vlonjati duke folur për gazetën koreane. Ai thotë se prindërit i dërgojnë atij para ndonjëherë dhe i kërkojnë që të largohet nga Koreja. Por ai nuk e di se çfarë mund të bëjë nëse kthehet në Shqipëri. “Çfarë të bëj atje? Nuk ka të ardhme për mua. Nuk ka asnjë. Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën”.
FRIKA NGA HAKMARRJA
Delaj, citon “Korean Times”, ka frikë të kthehet në Europë sepse ka marrë kërcënime nga mafia shqiptare. Ai nuk ka bërë asgjë personalisht. Por ai po vuan pasojat e një konflikti që familja e tij ka me një tjetër familje prej më shumë se 10 vitesh. Hakmarrja vazhdon dhe nuk ka të ndaluar. Për pasojë, deri tani janë vrarë disa anëtarë të familjes Delaj dhe disa nga familja tjetër. Kjo ka bërë që meshkujt e dy familjeve të largohen, pasi në të kundërt rrezikojnë jetën.
Mafia ka vrarë xhaxhain e tij, Elidon Delajn, në Barcelonë në shtator 2006. Policia spanjolle në atë kohë e lidhi ngjarjen me rivalitetin në trafikun e drogës. Ndërsa në shtator 2012, kushëriri i 26- vjeçarit, Amarildo Delaj, u vra para lokalit të tij në Vlorë. Ai u qëllua me më shumë se 10 plumba. Orion Delaj pretendon se xhaxhai dhe kushëriri i tij janë viktima të Kanunit.
“Erdha në Kore për t’u larguar nga e gjitha kjo”, tregon Delaj duke shtuar se prindërit dhe motra e tij jetojnë në Itali. “Nuk ka rëndësi sesa vite kanë kaluar ose kush je dhe ku je. Ata të gjejnë. Ky është realiteti i keq i vendit tim”. I riu vlonjat thotë se qeveria e di se cilët janë vrasësit dhe çfarë bëjnë ata, por mafia ka korruptuar qeverinë dhe gjykatësit. Orioni thotë se në Europë do ta gjenin kollaj, ndaj vendosi të udhëtojë për në vendin më të largët. “Mund të kisha kërkuar azil në Gjermani, Norvegji, Suedi apo Finlandë. Sistemet e tyre sociale të japin përkrahje. Madje të dërgojnë dhe në shkollë nëse dëshiron të studiosh. Por nuk shkova në asnjë prej këtyre vendeve. Erdha sepse ndihem i sigurt këtu”, shprehet i riu vlonjat për median koreane.
INTEGRIMI
Delaj nuk e ka pasur të lehtë të integrohet në komunitetin lokal. Ai ka trokitur në dyert e agjencive humanitare dhe shkolla. Gjeti atje një punë me kohë të pjesshme në një restorant italian në Seul. Por të gjitha qendrat që vizitoi nuk i ofruan më shumë sesa nevojat bazike të përditshme dhe një punë të vështirë. Delaj nuk vuan për para. Por ai kërkon një jetë dinjitoze. Hapi i parë ishte aplikimi për statusin e azilantit. Ai aplikoi më 7 nëntor të vitit të kaluar, por që prej atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Nëse kanë kaluar më shumë sesa një vit nga koha e aplikimit, atëherë do të thotë se qeveria e ka shtyrë për arsye të paevitueshme”, tha një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë koreane për gazetën “Korea Times”.
Pas kësaj, Delaj vizitoi Zyrën e Emigracionit në Seul dhe kërkoi të informohej se çfarë ka ndodhur me aplikimin e tij. Por një zyrtar nuk e ka pritur mirë. “Më tha se më duhej kartë identiteti koreane për të qëndruar në Kore, por për t’u pajisur me një dokument të tillë nevojitet një kontratë shtëpie. I thashë se nuk kam aq para për një gjë të tillë, por m’u përgjigj në mënyrë të pasjellshme se ky nuk ishte problemi i tij”.
Zyra e UNHCR në Seul refuzoi që të komentonte rastin e Delajt, duke thënë se nuk merren me raste specifike. “Mendoj se një vit është kohë e mjaftueshme për të marrë një përgjigje nga qeveria. Por ata as nuk më kanë dhënë mundësinë që të shpjegoj pse kam ardhur këtu”, shprehet 26-vjeçari. Ndërkohë, pasi mori leje për punësim, Delaj punoi në një restorant italian në Gangnam për tre muaj.
VRASJA E XHAXHAIT
Elidon Delaj, i njohur dhe me emrin Niko, u vra në Barcelonë bashkë me Seljdi (Elvis) Zanaj më 26 shtator 2006. Si autor për këtë ngjarje u dyshua Sokol Rama dhe ngjarja, përveç konfliktit për pazaret e drogës, ka lidhje me ngjarje të ndodhura në Shqipëri. Vëllai i Zanajt dyshohet se ka vrarë nënën e autorit Sokol Rama në Vlorë. Bëhet fjalë për Leonora Ramën, e cila punonte si oficere marine, e ekzekutuar në sytë e vajzës së saj 15- vjeçare në Vlorë. Si bashkëpunëtorë të ngjarjes së ndodhur në Barcelonë, përveç Sokol Ramës u arrestua edhe Enton Kabashi, Elis Haxhiraj dhe Vasil Biracaj.
VRASJA E KUSHËRIRIT
Amarildo Delaj u vra më 4 shtator 2012, brenda në lokalin e tij, në dalje të qytetit të Vlorës. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë, të cilët ishin bashkë me 27- vjeçarin. Ai u qëllua me automatik nga jashtë lokalit. Në pjesën e jashtme të lokalit u gjetën 18 gëzhoja. Tre muaj pas ngjarjes u arrestua Bledar Jambelli, 32 vjeç, lindur e banues në fshatin Mbrostar, Fier. Sipas Policisë, ai dyshohet dhe për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Vlorë dhe Tiranë.