Nga Artan Fuga
*********************
Aty nga e premtja paradite bënte kohë e mirë. Shëtisja nëpër lagje sa për ndonjë punë të nxituar, por edhe për qef, ashtu kot, nuk kisha çfarë të bëja.
Në një ditë nga këto mbyllem shpesh brenda mëhallës sime, në një mjedis të njohur dhe familjar dhe sikur i iki qytetit idiot dhe zhurmëmadh.
Gjithçka kam aty, që nga farmacitë deri te furrat e bukës, si geto hebre është lagja ime e bukur.
Ah, sikur të kishte mëhalla si në Mesjetë porta që t’i mbyllte dhe t’i hapte roja i kalasë, që të mos hynte njeriu i huaj, ata pa din e pa iman 🙂
Pastaj t’i hapnim kur dëshëronim!
Shihja njerëz që blenin më shumë në tregun fshatar sesa zakonisht, shumë më tepër nëpër kafene ulur, në restorantet e lagjes, por edhe në libraritë, e pikat e shitjes të mallrave të ndryshme.
Ja pra në një ditë pushimi qarkullon më shumë parà sesa në një ditë pune.
Pesë ditë pushim!!!
Po edhe më shumë asgjë nuk do të ndryshonte. Si ditë pune si ditë pushimi gjysma e administratës se mos bën ndonjë punë!!! Bujqit në fshat jepu 365 ditë pushim njësoj do të djersisin!!! Pensionistët po ashtu! Të papunët gjithë kohën kanë pushime. Gjysmat e nxënësve. tregtarët e vegjël sado ditë pushimi t’u japësh, përsëri punojnë.
Prandaj nga ky vëzhgim duke gjezdisur nëpër mëhallë (ah sikur të kishte porta prej druri t’i mbyllnim kur donim dhe ca t’i linim të hynin vetëm me leje të posaçme dhe me orare të kufizuara), thjesht për qefin tim, më rezultoi një paradoks:
1. Sado pushime administrative të shpallen, jo pesë por edhe pesëdhjetë ditë në vit, ose 350 ditë në vit, nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe. Ata që gjoja punojnë bëjnë pushim dhe në ditë pune, dhe ata që punojnë, punojnë dhe në ditë pushimi.
2. Meqë ekonomia xhiron më shumë parà në ditë pushimesh, për lulzimin ekonomik të vendit le ta quajmë cdo ditë si ditë pushimi që shqiptarët të konsumojnë paranë e marrë me pikatore.
Do zhvillohemi ekonomikisht!
Me përjashtim të 10 përqind midis nesh, pjesa tjetër si punon, si nuk punon, si ditë pune si ditë pushimi, njësoj është.
Të paktën kur është ditë pushimi vërtet nuk punojnë, por konsumojnë.
Ditët e pushimit na prosperojnë!