Punimet për Unazën e Madhe po zhvillohen pa sinjalistikën e duhur rrugore, duke e kthyer zonën në një burim të mundshëm aksidentesh. Të mërkurën pas vendosjes së bordurave për mjetet e qarkullimit rrugor nuk ka asnjë tabelë paralajmëruese për të pasur kujdes, apo për devijimin e lëvizjes, duke krijuar kështu rrezik për drejtuesit e mjeteve. Ndërkohë, Bashkia ka vijuar me prerjen e pemëve edhe pse në ditë pushimi, ndërsa banorët ankohen edhe për mungesën e ndriçimit publik pasi pasdite e gjithë zona kthehet në errësirë.
Këto bordura të vendosura në gjysmën e rrugës nuk janë shoqëruar me një tabelë sinjalizuese të përkohshme për mjetet ku të informohet devijimi i lëvizjes për shkak të punimeve.
Edhe ndriçimi publik i rrugës mungon, pasi shtyllat janë hequr pas nisjes së punimeve, duke e bërë edhe më te vështirë qarkullimin në zonë jo vetëm për mjetet, por edhe për këmbësorët.
“Nuk ka më keq se errësira”.
“Vështirë është, por çfarë do të bëjmë”.
Ndërkohë edhe të enjten ka vijuar prerja e pemëve për ti hapur rrugë punimeve për projektin e Unazës se Madhe.
Edhe pse një ditë pushimi zyrtar, Bashkia ka vazhduar me aksionin e prerjes së pemëve.
Ky projekt po kundërshtohet nga banorët e zonës me protesta të përditshme, duke bllokuar rrugën në zonën e Astirit në Unazë.