Nga Boldnews.al
Në verën e vitit 2014, kur shitësit e fruta-perimeve protestonin për mbylljen e tregut te ish-Uzina Dinamo, në cepin tjetër të Tiranës, në hyrje të Autostradës, biznesmeni Klodjan Allajbeu po angazhohej për të rivitalizuar kompaninë “EKMA-Albania”, e cila po investonte në ndërtimin e një Tregu Agro-Ushqimor cilësor.
Protesta e tregtarëve të ish-Uzinës Dinamo pasonte Udhëzimin nr. 11, dt.02.07.2014, të Ministrit të Bujqësisë së asaj kohe, Edmond Panariti, i cili përcaktonte rregulla të reja për vendin dhe kushtet e tregtimit të prodhimeve bujqësore, kritere të cilat penalizonin shitësit e atij tregu.
Ky Udhëzim shkonte në favor të “EKMA-Albania”, e cila kishte pozitën e nevojshme gjeografike për ndërtimin e një tregu agro-ushqimor brenda standartit të kërkuar nga qeveria. “Ekma-Albania”, e krijuar në vitin 2009, në momentin e nxjerrjes së Udhëzimit, në korrik 2014, ishte në vështirësi financiare.
Në vitin 2014, kjo kompani përbëhej nga dy ortakë, me 50 përqind të kapitalit secili-biznesmeni Haxhi Bardhi dhe shoqëria “Energy Project”. Një urdhër ekzekutimi i një shoqërie përmbarimore private kishte vendosur sekuestron mbi aksionet e ortakut Haxhi Bardhi. Ky bllokim, i urdhëruar nga Përmbarimi në dt. 13 gusht 2014, bllokonte vijimin e mëtejshëm të investimit të “EKMA-Albania” për ndërtimin e Tregut Agro-Ushqimor.
Në këtë situatë, ortaku “Energy Project” vendos të largohet nga “EKMA” duke nxjerrë në shitje aksionet e tij. Blerësi u gjet shumë shpejt. Ai ishte biznesmeni Klodjan Allajbeu, në atë kohë i njohur si administrator i Spitalit Amerikan, i cili ishte i gatshëm të paguante 5 milion euro për blerjen e aksioneve të “Energy Project”.
Në dt. 5 Shtator 2014 finalizohet shitja e aksioneve nga “Energy Project” tek Klodjan Allajbeu, i cili vendoset njëkohësisht edhe administrator i shoqërisë “EKMA-Albania”, pronare e Tregut Agro-Ushqimor të Tiranës.
Pak ditë pas këtij transaksioni, konkretisht në dt. 29 Shtator 2014, ortaku Haxhi Bardhi depoziton në QKR vendimin e Përmbaruesit “për heqjen e sekuestros” mbi aksionet e tij. Tashmë, me aksione të plota të ortakut Haxhi Bardhi dhe me marrjen në kontroll të plotë të drejtimit të “EKMA”-s nga biznesmeni i fuqishëm Klodjan Allajbeu, kompania ishte e gatshme që të kryente goditjen e madhe në treg.
Në ndihmë të investimit të “EKMA-Albania” vjen edhe një Vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në prill 2015, me shumicë PS-LSI në atë kohë, i cili ripërsëriste kriteret e përcaktuara në Udhëzimin e Ministrit të Bujqësisë për ngritjen e tregut agro-ushqimor të kryeqytetit.
I pajisur me dy akte shtetërore, Udhëzimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Vendimin e Këshillit Bashkiak, si edhe pasi kishte hedhur pas problemet financiare, “Ekma” krijoi monopol në tregun e dhënies me qera të ambjenteve për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Në bazë të këtij statusi, “Ekma” nënshkroi kontrata të njëanshme, të cilat shtonin kostot e tregtarëve që ishin të detyruar të bashkëpunonin vetëm me këtë kompani.
Në vitin 2015, një protestë e tregtarëve të Tregut Agro-Ushqimor për tarifat e larta të qerasë dhe shërbimeve të tjera të ofruara nga “Ekma” u shua shumë shpejt, pasi nuk gjeti mbështetjen e institucioneve shtetërore.
Megjithatë, disa prej tregtarëve ndoqën rrugën institucionale, duke raportuar abuzimet e kompanisë “Ekma” tek Autoriteti i Konkurencës. Ky institucion, pasi zhvilloi një hetim të thelluar administrativ, konstatoi një seri problematikash dhe, me vendimin e dt. 22 nëntor 2018, e gjobiti “Ekma-Albania” me ekuivalentin e 9.99% të xhiros vjetore të vitit 2017, e cila është përafërsisht 500 mijë euro.
Vendimi i zbardhur i Autoritetit të Konkurencës zbulon një “parajsë” fitimprurëse për kompaninë “Ekma”, e administruar nga Allajbeu.
Autoriteti i Konkurencës, në raportin e tij, shkruan: “Referuar pasqyrave financiare të ndërmarrjes për vitin 2017, vlerës së shitjeve në tregun përkatës, ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK rezulton të ketë një fitim në vlerë absolute prej 380,589,313 lekë dhe normë fitimi prej 76.1% para tatimit, ndërsa pas tatimit me një fitim në vlerë absolute prej 323,440,321 Lekë dhe normë fitimi prej 64.7 %. Për vitin 2016 ndërmarja “EKMA Albania” SHPK ka patur një normë fitimi prej 75.4% para tatimit, dhe 64.1 % pas tatimit. Norma e lartë e fitimit e kësaj”.
Por, ky rezultat financiar, i cili e renditi “EKMA-Albanian” në vendin e parë, si kompania me normën më të lartë të fitimit për vitin 2017 në Shqipëri, është pasojë e “abuzimit me pozitën dominuese në treg”, konstaton Autoriteti i Konkurencës.
Sipas raportit analitik, rezulton se “EKMA-Albania” jep me qera ambjentet për tregtarët me vlerë 70-80% më të larta se çmimet e qerave në zonën përreth. Gjithashtu, “EKMA” aplikon një sistem abuzues për pagesat e faturave të energjisë elektrike dhe ujësjellësit për qiramarrësit. Autoriteti i Konkurencës ka konstatuar se tregtarët paguajë në favor të “EKMA”-s çmimin prej 20 lekë/këh, ndërkohë që vlera e tij nga OSHEE është 13.2 lekë/kwh.
E njëjta sjellje vihet re dhe në mënyrën e faturimit të ujit, i cili i faturohet kësaj ndërmarrjeje (Faturë UKT Mars 2018), vetëm me tarifë shërbimi prej 240 lekë në total (konsumi në m3 për muajin Mars 2018, sipas faturës përkatëse është 0), ndërkohë që tregtarët qiramarrës faturohen (nëpërmjet faturës së qirasë) me një tarifë prej 360 lekë/m3, deklaron Autoriteti i Konkurencës.
“Kjo sjellje e ndërmarrjes me pozitë dominuese, “EKMA Albania” SHPK, duke u imponuar qiramarrësve çmime dhe kushte të padrejta tregtimi, si dhe duke i detyruar ata të pranojnë detyrime shtesë duke paguar një çmim më të lartë për energjinë elektrike dhe ujin nga ai që duhet të paguajnë realisht sipas faturave të lëshuara nga OSHEE dhe UKT përbën abuzim me pozitën dominuese kundrejt tregtarëve qiramarrës të ambienteve të kësaj ndërmarrjeje, në kuptim të nenit 9 të Ligjit 9121/2003”, thotë Autoriteti i Konkurencës.
”Nisur nga këto të dhëna ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK supozohet se ka shlyer investimin në harkun e tre viteve. Këto të dhëna, janë një evidencë e qartë, e shfrytëzimit të pozitës monopol në tregun përkatës, nga ndërmarrja “EKMA Albania”, konkludon Autoriteti i Konkurencës, i cili, krahas gjobitjes me rreth 500 mijë euro, kërkon nga kjo shoqëri që të normalizojë raportet me qiramarrësit, në të kundërt, do të vijojnë penalitetet, sipas parashikimeve ligjore.