Nga Boldnews.al
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca anashkaloi me diplomaci që të jepte përgjigje publike mbi Reformën në Drejtësi në Shqipëri, në intervistën e tij të parë në Shqipëri, transmetuar mbrëmjen e së Hënës në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.
Soreca, i cili ka rreth 8 javë që ka marrë postin në Shqipëri po ruan një profil të ulët publik, krahasuar me paraardhësen e tij, Romana Vlahutin. Gjatë intervistës, Soreca foli për të shkuarën e tij si ekspert sigurie në Itali, tregoi për njohjet personale me heronjtë e drejtësisë italiane kundër mafias, Giovani Falcone e Paolo Borselino.
Më tej, ambasadori i BE-së foli për sfidat e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare të sigurisë, duke konfirmuar se kjo çështje është prioritet i mandatit të tij.
Por, ajo që Luigi Soreca anashkaloi tërësisht gjatë intervistës së tij të parë ishin komentet mbi Reformën në Drejtësi. Ai u pyet disa herë, në forma të ndryshme për të dhënë një vlerësim të tij për projektin e hartuar nga Ekspertët e Nivelit të Lartë të Qeverisë, me mbështetjen e plotë të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin. Në të gjithë rastet, Soreca dha përgjigje të natyrës së përgjithshme, duke e vendosur çështjen e reforimit të sistemit të drejtësisë si pjesë integrale e prioriteteve të tjera, të cilat duhet të zbatojë Shqipëria para se të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Soreca zgjodhi të mos japë komente se përse, një projekt i mbështetur fuqishëm nga paraardhësja e tij, rezultoi një dizastër kushtetuese dhe ligjore. Sot Shqipëria është një prej vendeve unikale në botë që nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale. Gjithashtu, Gjykata e Lartë është nën kapacitetet minimale të funksionimit të saj.
Nga ana tjetër, procesi i Vetingut, i cili u mbështet fuqishëm nga Romana Vlahutin, ka ngecur në mënyrë shembullore, duke penguar ngritjen e institucioneve të reja që do të vendosin drejtësinë në binarë. Dy vjet pas miratimit të paketës ligjore të Reformës në Drejtësi “Rama-Vlahutin”, në Shqipëri ende nuk janë krijuar Këshilli i Lartë Gjyqësor e Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dy struktura që do të trajtojnë karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Mungesa e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pengon edhe krijimin e strukturës thelbësore të Reformës në Drejtësi, SPAK-un, prokurorinë speciale që do të hetojë politikanët e nivelit të lartë.
Sot nuk është ngritur as Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, struktura që do të përzgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ende nuk është zgjedhur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucioni që inspekton vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i nxitur një pjesë të këtyre të fundit që të punojnë “si për ditë të fundit”.
Projekti i pamenduar dhe i pathelluar i Reformës në Drejtësi, shumë shpejt mund të cënojë rëndë edhe vendimmarrjen në gjykatat e Apelit, të cilat japin vendime të formës së prerë.
Në këtë situatë, thuajse katastrofale të sistemit të drejtësisë, Luigi Soreca ka vendosur, të paktën deri më tani, të mos japë asnjë koment. Ai po përqëndrohet tek nxitja e autoriteteve shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën.
Por, si një ekspert sigurie, ambasadori Soreca e ka të qartë që arrestimet e eksponentëve të krimit janë vetëm gjysma e punës. Pjesa më e rëndësishme është sigurimi i provave që do të mundësojë dënimin e tyre dhe bashkëpunëtorëve të tyre politikë.
Sistemi i drejtësisë aktualisht, për shkak të reformës “Rama-Vlahutin” është futur i tëri nën diktatin e qeverisë së Edi Ramës. Pavarësisht pritshmërive të Soreca-s, drejtësia shqiptare, në këtë gjendje që u katandis nga Reforma, nuk do të ketë guximin për të prekur “të paprekshmit” e politikës.
Faktet nuk mungojnë këto kohë- prokuroria nuk hetoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për dyshimet për përfshirje në trafik, por vendosi të hetojë dhe të penalizojë denoncuesit e Agron (Geron) Xhafaj. Prokuroria arrestoi Avdulajt e Shijakut, por nuk guxoi të marrë nën hetim bashkëpunëtorin e tyre të ngushtë politik, kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Prokuroria nuk nisi asnjë hetim për Taulant Ballën, i dyshuar si garanti për mbërritjen në Shqipëri të 3.4 milionë euro të një grupi kriminal, që po i trafikonte nga Belgjika drejt Shqipërisë, por vendosi të marrë nën hetim “për nxjerrje të sekretit hetimor” kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili e denoncoi i pari këtë situatë.
Trashëgimia skandaloze që i ka lënë Romana Vlahutin pasardhësit të saj, Luigi Soreca, do ia vështirësojë këtij të fundit realizimin e misionit të tij-forcimin e luftës kundër kriminalitetit në Shqipëri.
E, megjithatë, Luigi Soreca ka vendosur që të mos flasë para popullit shqiptar për dështimin e Delegacionit të Bashkimit Europian me Reformën në Drejtësi në Shqipëri.