Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ceremonisë mortore të Kostandinos Katsiafas, ku ishin të pranishëm qindra qytetarë grekë të cilët bënë thirrje anti-shqiptare dhe valëvitën flamuj grekë në Bularat.
I ftuar në Real Story, Rama tha se ai nuk ishte populli grek, populli grek nuk është armiku ynë, është vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë. Më tej ai shtoi se ai fshat u mor peng nga disa njerëz qesharakë.
“Mendoj që ajo që shihet nga disa si dobësi, është forca e vlera e këtij vendi. Ne nuk jemi një vend ku luftohet me arkëmortet dhe provokatorët e varrimeve, jemi një vend ku ndodhi sot diçka që në vendin fqinj nuk mund të imagjinohet.
Unë refuzoj dhe i bëj thirrje të gjithëve të refuzojnë shprehjen “na erdhi greku”. Nuk është ky populli grek, populli grek nuk është armiku ynë, është vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë. Por ky popull ka dhe gomerët e derrat e vet. S’ka nevojë për komente të tepërta, është një ngjarje në një fshat që u mor peng nga disa njerëz qesharakë. Lanë shijen e një shfaqje groteske duke përdhosur dhe vetë të vdekurin që medemek respektuan,”- u shpreh Rama.