Nga Ergys Mërtiri
Duke mos pasur aktivitet politik, Ministri i Brendshëm i sapozgjedhur po përpiqet të pozojë në profilin e një njeriu që vjen nga bota intelektuale. Gjatë intervistës në Opinion, ai iu shmang çdo diskutimi politik, duke qendruar në formimin e tij akademik, kurset dhe specializimet e shumta, leximet, përfshirjen e tij në debatin publik nëpërmjet një libri për Skënderbeun, si dhe rrëfimin se gëzon vlerësimin e Kryeministrit Rama, për shkak të faktit se ai pëlqen debatet intelektuale. Në fakt, gjatë bisedës ai nuk e reflektoi dot këtë përmasë. Ngatërrimi nëpër fusha dhe tema që nuk i njeh apo i njeh sipërfaqsisht, tregon se portreti i intelektualit është një kostum që nuk i rri mirë.
Duke dashur të argumentojë se përse nuk është përfshirë asnjëherë në ndonjë parti politike z. Lleshi i referohet krejt pa lidhje pohimit të Aristotelit se njeriu është një kafshë politike. Përveç mosnjohjes së këtij koncepti, duke iu e përdorur tërësisht jashtë kontekstit aristotelian të mendimit, siç bëhet masivisht nëpër media e biseda joprofesionale, ministri reflekton paqartësi në konceptimin politikës, duke e ngatërruar atë me shërbimet e tij si ekspert të ofruara në institucione të larta të shtetit.
Gjithashtu, ministri nuk ngurroi të sqarojë përfshirjen e tij në debate historike, duke ngatërruar e bërë lëmsh një sërë nocionesh si kombi, miti, simbolet kombëtare, madje duke dhënë edhe verdikte profesionale mbi autorë të mirënjohur nga bota akademike si Oliver Schmitt, kundër të cilit ai ka marrë kurajon të shkruajë një libër polemik. Në fakt, na pëlqen apo jo, biem apo nuk biem dakort me të, kredencialet akademike të Schmitt-it konfirmohen nga standarde të padiskutueshme krahasuar me ato të historianëve shqiptarë. Aktualisht, ndër të tjera ai është edhe drejtori i Institutit të Albanologjisë në Vjenë (që praktikisht trashëgon Institutin e Munihut të drejtuar prej dekadash nga Peter Bartl) dhe mund të thuhet se ai është sot shefi i albanologjisë europiane, profesionalizmi i të cilit nuk mund të vihet në dyshim në mënyrë kaq naive.
Pa u ndalur gjatë tek problemet në pikëpamjet e paraqitura nga ministri, mund të themi se ai nuk përcjell as një profil politik e as një të tillë intelektual. I vetmi profil që i rri për shtat është ai i ekspertit apo burokratit, që shkon në përputhje edhe me natyrën e ushtarakut. Retorika e tij gjatë intervistës reflektoi krejtësisht terma dhe mendësi të natyrës burokratike të të menduarit. Kodi i nderit, morali i detyrës, përkushtimi, angazhimi i plotë, përgjegjshmëria, madje edhe betimi i bërë që në rini si ushtarak, ishin fjalët kyçe në përshkrimin e asaj që ministri premton të ofrojë në këtë dikaster, krejtësisht të largëta këto për fjalorin mesianik, revolucionar e apokaliptik të rilindjes, me të cilin operon Rama.
Kjo përbën në fakt edhe të vetmen arsye për t’u zgjedhur në këtë pozicion. Ramës nuk i duhet një ministër i brendshëm me profil politik, e as intelektual. I duhet një burokrat, që të zbatojë me përpikmëri nevojat e qeverisë në një situatë të rëndë si kjo ku ndodhet. Kjo do të thotë se z. Lleshi është zgjedhur, jo për ndonjë vlerë politike apo akademike, por për një funksion të vetëm: Të mbyllë telashet që i vijnë nga kjo ministri dhe lufta e brendshme politike që buron prej saj.
Profili i z. Lleshi shërben për ‘depolitizimin’ e Ministrisë së Brendshme si një prej institucioneve më problematike dhe më kërcënuese ndaj qeverisë, duke e ç’aktivizuar atë nga potenciali i përdorimit politik. Ai kërkon një ministër të brendshëm që të mos bëjë asgjë, përveç menaxhimit teknik të problemeve të rendit në planin e krimit ordiner. Pra ai po kërkon ta shndërrojë Ministrinë e Brendshme në një Ministri të Rendit, duke e zhveshur atë nga pesha dhe fuqia politike. Më saktë akoma, Ministër i Brendshëm tashmë do të jetë vetë Rama, përtej funksioneve administrative të cilat ia ka ngarkuar z. Lleshi.
Për nga vetë natyra sesi është kriminalizuar politika gjatë këtyre 5 vjetëve, Ministri i Rendit ka qenë, njeriu me më shumë pushtet pas Edi Ramës, qoftë kur ishte Tahiri, qoftë kur ishte Xhafaj, duke krijuar rrezik për vetë qeverinë. Pas largimit të Xhafës, është e kuptueshme që Rama do të kërkonte një njeri që t’i japë fund luftës së klaneve, ndaj nuk do t’ia linte në dorë një instrument kaq të fuqishëm, një njeriu me angazhim politik. Për këtë arsye, një ministër burokrat është zgjidhja e duhur për qëllimet e tij, ku prevalon mbulimi i fakteve që thellojnë skandalet e publikuara dhe mbajtja rendit në nivel të menaxhimit strukturor të policisë. Z. Lleshi i ka të gjitha parametrat për këtë: Eshtë besnik, i papërfshirë në klane, i panjollosur publikisht dhe burokrat i mirë.
Burokracia, duke iu referuar termave të Zigmund Bauman, është mekanizmi i duhur për të zgjidhur një problem, në mënyrë joetike, jo të dobishme për publikun, por efikase. Z. Lleshi duket se është zgjidhja e duhur për të vetmin qëllim të Kryeministrit: mbijetesën.