Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar një vendim në lidhje me hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese edhe për kandidatë të tjerë, jashtë shërbimit civil, për vitin 2018.
Në vendimin e miratuar sot thuhet se ndër të tjera është ndryshuar pika tre e vendimit të mëparshëm që mban datën 29.03.2018, ku shtohet që “Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues (gjithsej 18), si dhe për nivelin e ulët drejtues (gjithsej 48), përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
V E N D I MI
PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.184, DATË 29.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË, JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2018”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.184, datë 29.3.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil, për nivelin e mesëm drejtues (gjithsej 18), si dhe për nivelin e ulët drejtues (gjithsej 48), përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, bashkëlidhur vendimit, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në nënndarjen I, “Niveli i mesëm drejtues dhe të barasvlershëm”:
i. emërtesa “Koordinator në Njësinë e Transparencës dhe Antikorrupsionit, në Departamentin e Burimeve, Transparencës dhe Administrimit në Kryeministri”, në numrin rendor 3, zëvendësohet me emërtesën “Drejtor i Qendrës së Botimeve Zyrtare, kategoria II-b”;
ii. emërtesa “Drejtor i Drejtorisë së Konceptimit dhe Fizibilitetit të Projekteve të Infrastrukturës dhe Territorit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, në numrin rendor 13, zëvendësohet me emërtesën “Sekretariati për Nismë dhe Transparencë në Industrinë Nxjerrëse”;
iii. emërtesa “Drejtor i Drejtorisë së Aeroporteve, në Autoritetin e Aviacionit Civil”, në numrin rendor 14, zëvendësohet me emërtesën “Drejtori i Institutit të Transportit”.
b) Në nënndarjen II, “Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlershëm”, pas numrit rendor 39 bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
“40. Përgjegjës i Sektorit të Veterinarisë dhe Mirëqenies së Kafshëve, në Drejtorinë e Derregullimit, Lejeve, Licencave dhe Monitorimit, në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë në Bujqësi, Ushqim dhe Zhvillim Rural, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kategoria III-a.
41. Përgjegjës i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kategoria III-a/1.
42. Përgjegjës i Sektorit të Përmbushjes, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, kategoria III-a/1.
43.Përgjëgjës i Sektorit të Programimit, Hartimit dhe Harmonizimit të Akteve Rregullatore, në Drejtorinë e Programimit, Standardizimit dhe Harmonizimit të Akteve Rregullatore, Drejtoria e Përgjithshme Rregullatore dhe e Përputhshmërisë në Fushën e Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
44.Përgjëgjës i Sektorit të Auditimit të Ndërmarrjeve, në Drejtorinë e Auditimit, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
45.Përgjegjës i Sektorit të Ankesave Administrative dhe Gjyqësore, në Drejtorinë e Miradministrimit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
46. Përgjegjës i Sektorit të Komunikimit Strategjik të Mbrojtjes, në Drejtorinë e Monitorimit dhe Jetësimit të Prioriteteve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikës së Mbrojtjes, në Ministrinë e Mbrojtjes, kategoria III-a.
47. Përgjegjës i Sektorit të Lajmeve nga Kronika, Kultura dhe Sporti, në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kategoria III-a/1.
48. Përgjegjës i Sektorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Fushën Penale, në Drejtorinë për Marrëdhëniet Juridiksionale dhe Bashkëpunimin Ndërgjyqësor, në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Çështjeve të Drejtësisë, në Ministrinë e Drejtësisë, kategoria III-a.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA