Nga Boldnews.al
Një nga arritjet më “spektakolare” të super-operacionit policor në Has, ku u zbulua një laborator për përpunimin e drogave të forta, ishte arrestimi i Mustafa Shutit, 76 vjeç. Pamjet e të moshuarit, duke hyrë me pranga në duar në drejtorinë e Policisë së Kukësit kanë bërë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale. Një prej autorëvë më të spikatur të “meme-ve” në rrjetet sociale, Genc Sejko, ka ironizuar ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke bërë një kolazh me foto, në të cilën shfaqen dy super të kërkuar, Lulzim Berisha e Klemend Balili në liri dhe gjysh Shuti në pranga.
“Suksesi” kryesor i Policisë së Shtetit në të gjithë këtë mega-operacion, sipas përcaktimeve të vetë zyrtarëve policorë, ishte arrestimi i 76-vjeçarit Mustafa Shutit, gjyshi i laboratorit të drogave të forta në Brenog të Hasit. Ky “sukses”, i materializuar në mënyrë ironike nga autori Sejko, ka shkaktuar reagimin e ashpër të drejtorit të Punësimit në Kukës, Ledian Halilaj. Ky i fundit, në një koment mbi foto-montazhin e Sejkos, e ka kërcënuar këtë të fundit, duke i kërkuar që ta fshijë punimin e tij.
Për drejtorin e Edi Ramës, përfshirja e Lul Berishës në kolazhin e fotove nuk duhet të qëndrojë. Kuksiani Ledian Halilaj përdor një fjalor vulgar në mbrojtje të “durrsakut” Lulëzim Berisha, madje duke u bërë thirrje dy miqve të tij që “të lokalizojnë këtë tipin (autorin e meme-s)”. Ledian Halilaj, i cili sipas profilit të tij zyrtar në rrjete sociale, është aktivisit i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht drejtor i Punësimit në Kukës. Pak ditë më parë, në vijim të qëndrimeve partiake në rrjetet sociale, ai shfaqet shumë i entuziazmuar për “takimin me shokun Taulant (Balla), njeriun e dytë më të rëndësishëm në Partinë Socialiste…i cili përcoli energji pozitive me kërkesa dhe objektiva të qarta për ndezjen e motorëve elektoralë…” Pasi mori këto energji nga Taulant Balla, drejtori i Edi Ramës në Kukës i kundërvihet artistit Sejko në mbrojtje të Lulzim Berishës, të cilin Policia e Fatmir Xhafajt u angazhua me shumë forca për ta arrestuar.
Gjatë fundjavës së kaluar, Policia e Shtetit, sipas njoftimit të saj zyrtar, ka angazhuar 1500 forca për arrestimin e familjarëve Shuti, në banesën e të cilëve ishte ngritur një laborator për përpunimin e drogave të forta; për arrestimin e anëtarëve të bandës Avdulaj, si edhe të anëtarëve e miqve të të familjes Ndoka nga Lezha, të cilët rezultuan nga përgjimet mbi grupin e Shijakut se ishin angazhuar në tjetërsim pronash në bregdetin e Ranës së Hedhun. Gjithashtu, forca policore u angazhuan edhe për arrestimin e ish-drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko, i cili gjithashtu rezultoi nga përgjimet e Avdulajve se ishte përfshirë në situata korrupsioni.
Në këtë mori veprimesh operacionale, Policia e Shtetit “trafikoi” në media lajmin se ishte angazhuar edhe në arrestimin e Lulzim Berishës në Durrës dhe sarandionit Klemend Balilit, në Shkodër. Rezultoi se forcat policore kanë bërë një kontroll në banesën e Lulzim Berishës, në Durrës, megjithëse nuk kanë pasur as mandat arresti dhe as leje për kontroll, siç pohuan familjarët dhe avokati i tij. Gjithësesi, policia nuk e gjeti në banesë Lul Berishën. Ndërsa për operacionin në Shkodër, ku kërkohej i quajturi “Eskobari i Ballkanit”, Klemend Balili, nuk u mësua asnjë detaj. Natyrisht, si edhe shumë herë të tjera, Policia e Shtetit u kthye duarbosh nga aksioni për kapjen e Balilit.