Dokumente dhe dëshmi të siguruara nga BIRN tregojnë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit anashkaloi prova të shumta që e lidhin gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj me një vilë 3 katëshe në qytetin e Vlorës-si dhe akuzat për korrupsion dhe transaksionet e familjarëve me të ashtuquajturën “mafia” e pronave në bregdet.
Ervin Çeta, ish kampion kombëtar boksi me klubin sportiv “Flamurtari” u rrit përballë një fushe sportive pas shkollës së mesme “Halim Xhelo” në qytetin e Vlorës, në oborrin e së cilës luante futboll dhe ushtronte muskujt mbi paralele.
Në një cep të oborrit të shkollës- aty ku dikur ndodhej një vendstrehim i nëndheshëm antiajror që banorët e zonës i referohen si ‘tuneli’, ngrihet sot një vilë e madhe tre-katëshe me papafingo, grila persiane, kangjella hekuri dhe porta automatike.
“Kam nostalgji pasi në oborrin e shkollës luanim futboll. Këtu ku ndodhet shtëpia më parë ishte vendstrehimi,” kujton Çeta, i cili e ndan jetën mes Vlorës dhe qytetit të Otrantos në Itali, ku punon si bahçevan.
“Shtëpia është e boshatisur prej vitesh dhe e vizitojnë rrallë gjatë beharit, pasi janë zhvendosur të gjithë në Tiranë,” tregon ish boksieri, i cili ka zhvilluar 11 ndeshje ndërkombëtare.
Sipas banorëve të lagjes ‘Kushtrimi’, pas mureve të dekoruara me tulla terakotë jetonte dikur Artur Malaj-për shumë vite kryetar i Gjykatës së Vlorës dhe prej vitit 2013, gjyqtar në Gjykatën e Administrative të Apelit në Tiranë.
Përveç dëshmive të fqinjëve, fije të shumta verbale dhe shkresore, një raport i deklasifikuar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një denoncim në KLD, si dhe dokumente të ILDKPKI-së dhe institucioneve të tjera e lidhin ngushtësisht gjyqtarin Malaj me këtë vilë, e cila ka një origjinë prone të dyshimtë dhe është regjistruar në hipotekë në emër të ish-sekretares së tij.
Megjithatë, sinjalet e shumëfishta se vila mund të jetë pasuri e fshehur e gjyqtarit u anashkaluan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili më 3 gusht mori vendimin për ta konfirmuar në detyrë Malajn me argumentin se ai “ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel kualifikues të vlerësimit të aftësive profesionale.”
Vila pas shkollës “Halim Xhelo” nuk është e vetmja pronë që ka ngritur dyshime mbi integritetin e gjyqtarit Artur Malaj.
Sipas provave të administruara nga KPK, familjarët e tij dhe personat e lidhur zotërojnë mijëra metra katrorë tokë, apartamente dhe troje ndërtimi, një pjesë e të cilave janë përfituar nga persona me precedentë të theksuar kriminalë dhe të lidhur më të ashtuquajturën “mafia” e tjetërsimit të pronave në bregdet.
Përveç dyshimeve mbi pasurinë, raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar përmban akuza të përsëritura për përfshirje në korrupsion sistematik të gjyqtarit dhe përfitime të paligjshme, të cilat nuk u morën parasysh nga KPK në procesin e rivlerësimit të Artur Malajt.
I pyetur nga BIRN mbi pronësinë e vilës tre katëshe, pronat e familjarëve dhe informacionet për korrupsion, gjyqtari Malaj i mohoi akuzat dhe i cilësoi raportimet e DSIK-së si të pasakta. Ai shtoi gjithashtu se nuk kishte qenë në dijeni të transaksioneve të kunatit me pronat-të cilat tha se janë bërë me kontrata të rregullta dhe transferta bankare.
“Aty ka jetuar vëllai im, Afrimi dhe nëna ime. Njerëzit mund ta kenë ngatërruar vëllanë me mua,” tha Malaj, duke shtuar se nuk e dinte kush nga fqinjët ka folur, por vetë ai i kishte çuar deklaratat e tyre në KPK.
“Akuzat për korrupsion janë të pasakta. Një nga raportimet i përket një përdhunuesi që është liruar nga Apeli, tjetra është për një short në kohën kur unë kam qenë gjyqtar në Tepelenë dhe jo në Vlorë dhe e treta i referohet shtëpisë 3-katëshe ku thuhet që është ndërtuar nga babai im në kohën që ai kishte vdekur,” tha Malaj.
Vila 3-katëshe mbi bunker
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Ai iu nënshtrua procesit të vetingut me përparësi për shkak të kandidimit të tij për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë- institucionit të ardhshëm që do të zëvendësojë inspektoratin aktual të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që do të ketë për detyrë të hetojë shkeljet e mundshme të gjyqtarëve në të ardhmen.
Analiza e deklaratave të pasurisë të dorëzuara në ILDKPKI tregon se pasuria familjare e tij është rritur me 47 herë nga viti 2003 dhe ka si burim kryesor aktivitetin e bashkëshortes si notere. Vila e ndërtuar prej një dekade pas shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë dyshohet se është pjesë e padeklaruar e kësaj pasurie.
Banorët e lagjes “Kushtrimi” i thanë BIRN se familja e gjyqtarit Malaj është vendosur në rrugicën pas shkollës “Halim Xhelo” në fillim të viteve ’90 nga fshati Llakatund, pasi ndërtuan më parë një shtëpi pa leje, në gjurmët e u ngrit më pas vila 3-katëshe.
Të dhënat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive në Vlorë dhe të Gjykatës së Vlorës tregojnë se trualli prej 478 m2 dhe ndërtesa e vjetër prej 90 m2 u regjistruan fillimisht në emër të shtetasit tashmë të ndjerë Sokrat Dautaj – ish avokat dhe ish-gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.
Dautaj e përfitoi pronën publike nëpërmjet një gjyqi kundër bashkisë së Vlorës në vitin 2005, duke paraqitur 2 dëshmitarë të cilët pretenduan se babai i tij e kishte ndërtuar shtëpinë në vitin 1984.
Gjyqi është mbajtur në mungesë të përfaqësuesve të bashkisë Vlorë dhe Avokaturës së Shtetit. Sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës, avokati Dautaj e ka fituar pronësinë e objektit dhe të truallit nëpërmjet institutit të parashkrimit fitues.
Sokrat Dautaj ndërroi jetë në vitin 2007 dhe prona u trashëgua nga e veja Beatriçe dhe dy vajzat Alma dhe Blerina Dautaj. Në emër të Beatriçes dhe 2 vajzave të saj në vitin 2009 nga bashkia Vlorë është marrë një leje ndërtimi për rikonstruksionin dhe ndërtimin e vilës 3-katëshe me sipërfaqe ndërtimi 204.5 m2.
Vila në emër të familjes Dautaj është deklaruar si adresë nga gjyqtari Artur Malaj në deklaratat periodike të dorëzuara në ILDKPKI. Adresa “ lagja Kushtrimi, rruga Dëshmorët” është deklaruar gjithashtu si adresë banimi prej tij në dosjen e një kredie të marrë në “Raiffeisen Bank” në vitin 2005.
Të njëjtën adresë kanë në regjistrin civil nëna e gjyqtarit, Xhano Malaj dhe vëllai i tij, Afrim Malaj, i cili jeton tashmë në Itali.
Kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e vilës me shoqërinë e ndërtimit Desi sh.p.k është redaktuar në vitin 2009 nga noterja Ledina Malaj – bashkëshortja e gjyqtarit. Kjo adresë familjare deklarohet nga Ledina Malaj edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vendimin e regjistrimit të biznesit të noterisë në vitin 2005.
Gjyqtari Artur Malaj pranoi në një bisedë telefonike me BIRN se e kishte deklaruar si adresë vilën në lagjen “Kushtrimi” për shkak të pamundësisë-pa sqaruar se ku kishte jetuar në atë kohë.
“Unë e kam deklaruar në KPK se ku kam jetuar. Unë dhe bashkëshortja ime e kemi deklaruar atë si adresë, pasi nuk kishim adresë,” i tha Malaj BIRN.
Por prezenca e Malajt në këtë banesë konfirmohet nga fqinjët e rrugicës “Dëshmorët”, që banojnë ngjitur me vilën 3-katëshe dhe oborrin në rikonstruksion të shkollës “Halim Xhelo”.
Një zonjë e moshuar dhe fqinje “derë më derë” me vilën kujtoi kohën kur fadromat shembën “tunelin e ushtrisë për të ndërtuar pallatin”. Banore e zonës prej vitit 1962 dhe rrobaqepëse për disa dekada gjatë regjimit komunist, e moshuara 87 vjeçare, e cila njihet prej fqinjëve si nënë Mellania i tha BIRN me hezitim se kishte pasur hyrje-dalje për raste me nënën e Malajt.
Ajo kujtoi se e gjithë familja-me përjashtim të babait që sipas saj kishte vdekur në fshat, u vendosën aty në fillim të viteve ’90.
“Kanë më shumë se 3 vjet që kanë ikur në Tiranë dhe nuk i kam parë më. Ku ata e ku ne tani,” tha e moshuara, duke iu referuar diferencës “klasore”.
E moshuara e përshkroi Malaj si djalë shumë të mirë, por si gjyqtar ajo vetë s’kishte pasur ndonjëherë nevojë për gjyqe. E pyetur për Sokrat Dautajn, ajo tha se nuk e njihte dhe nuk e kishte parë ndonjëherë.
“Unë e kuptoj pse jeni ju këtu, por nuk di më shumë. Ndoshta ai [Sokrati] e ka,” tha 87-vjeçarja me flokë të bardhë të shndritshëm. “Por ne na kanë mësuar që kush gënjen, kush vjedh, kush mashtron ka për të dalë një ditë,” shtoi ajo.
Njësoj si e moshuara, edhe një ish-agronom në pension që kultivon lule dhe pemë dekorative në oborrin e marrë me qira të një shtëpie të vjetër përkrah vilës 3-katëshe e lidhi ndërtesën me gjyqtarin Artur Malaj. Por ndryshe nga 87-vjeçarja, agronomi e kishte njohur Sokrat Dautajn.
“Unë di që Sokrat Dautaj ia ka shitur vilën kryegjyqtarit të Vlorës shumë herët. Unë e njihja Sokratin se më pati lidhur një çështje e imja dhe u habita,” tha ai me lëvdatë për avokatin e ndjerë.
Agronomi në pension, i cili e nisi biznesin e tij të vogël të luleve në ’97-n “kur të tjerët merreshin me armë” përshkruan të njëjtin historik të pronës. Lidhur me gjyqtarin Malaj dhe familjarët e tij, ai tha se kanë jetuar për shumë vite aty-por ai nuk kishte njohje personale se “ishin të ardhur”.
Ish-boksieri Ervin Çeta, i cili në Vlorë e mban gjallë pasionin për sportin përmes stërvitjes së djemve të vegjël kujton se familja Malaj erdhi aty në të njëjtën kohë me familjen Simoni-rreth krushqie, e cila banon vetëm disa metra më tutje. Përballë vilës 3-katëshe ndodhet edhe një tjetër e ngjashme e zotëruar nga të afërmit e tyre të familjes Gërveni.
“Shtëpia është ndërtuar nga i vëllai, por nuk ka qenë kështu siç e shihni ju sot. Vila është bërë më vonë,” thotë Çeta. “Jetonin të gjithë këtu-gjyqtari, vëllai, mamaja,” shtoi ai.
Prona në emër të ish-sekretares
Ndryshe nga familja Malaj, familja Dautaj që rezulton pronare në ZRPP e vilës nuk ka jetuar në lagjen ‘Kushtrimi’, pas shkollës ‘Halim Xhelo”. Edhe pse janë ‘pronarë’ në letra të një vile të madhe, Beatriçe Dautaj dhe vajza e saj, Alma Dautaj jetojnë në një apartament modest në katin e katërt të një pallati të ndërtuar gjatë regjimit komunist në rrugën “Veladin Kollozi”, pjesë e lagjes Lef Sallata në Vlorë.
Nga viti 2005 deri në vitin 2013 – kohë kur gjyqtari Artur Malaj ka udhëhequr Gjykatën e Vlorës, Alma Dautaj ka punuar si sekretare e tij dhe kryesekretare e gjykatës. Menjëherë pas largimit të Malajt për në Tiranë, ajo është shkarkuar nga detyra nga kryetari i ri Skënder Haluca.
Për shkarkimin nga detyra, Dautaj ka bërë padi në Gjykatën Administrative Vlorë dhe më vonë në Gjykatën Administrative të Apelit. Një nga tre gjyqtarët që i ka rënë çështja me short ka qenë dhe Artur Malaj, po duket se ky i fundit ka dhënë dorëheqjen. Trupa e udhëhequr nga Alkelina Gazidede i ka dhënë pjesërisht të drejtë znj. Dautaj duke e dëmshpërblyer me 10 paga për shkarkimin nga detyra.
Në një intervistë të shkurtër në pragun e apartamentit të saj në lagjen “Lef Sallata”, Alma Dautaj pretendoi se vila në lagjen “Kushtrimi” ishte pronë e saj.
“Unë kam 4 shtëpi, kam atje, kam në Ujë të Ftohtë. Ajo pronë ka një histori, merrini dokumentet dhe shikojini, tha zonja Dautaj.
E pyetur se pse banonte në apartament kur vila qëndronte bosh, Dautaj u përgjigj: “Dje isha atje, pyesni njerëzit..”.
Por kur iu kërkua të tregonte ngjyrën e kuzhinës së vilës për të mbështetur pretendimin e saj të pronësisë, Dautaj u bllokua dhe mbylli derën duke mërmëritur se kjo ishte një çështje privatësie.
Kjo nuk është hera e parë që Alma Dautaj vihet në vështirësi për të bindur se ajo është pronare e vilës në lagjen ‘Kushtrimi’. Sipas KPK-së, ajo ka bërë deklarime kontradiktore edhe përpara Komisionit, pasi ka deklaruar se “banesa mbi këtë truall është ndërtuar në vitet 1991 – 1992, ndërkohë që babai i saj, në padinë e ngritur, ka pretenduar se kjo banesë është ndërtuar në vitin 1984.”
Në KPK, Dautaj ka deklaruar gjithashtu se nuk ka dijeni të plotë për mënyrën se si është përfituar kjo pasuri nga babai i saj, duke pretenduar se e ka përfituar këtë pasuri nga gjyshi, ndërkohë që nga shqyrtimi i dosjes gjyqësore lidhur me fitimin e kësaj pasurie, konstatohet se ajo është njoftuar dhe e ka marrë njoftimin për të marrë pjesë në seancat gjyqësore në Gjykatën e Apelit, pas vdekjes së babait të saj.
KPK nënvizon gjithashtu se Alma Dautaj dhe familja e saj nuk mund ta dokumentojnë me burime të ligjshme ngritjen e kësaj pasurie-ku vetëm ndërtimi i saj, sipas një preventivi të siguruar nga KPK kapi vlerën e mbi 13.9 milionë lekëve.
Dautaj i ka thënë Komisionit se familja e Z.Malaj ka jetuar me qira në banesën që ekzistonte deri në vitin 2008, përpara ndërtimit të vilës.
Dëshmitë e fqinjëve në lagjen ‘Kushtrimi,’ lidhja profesionale e Z. Malaj me familjen Dautaj dhe të dhënat e ILDKPKI, të QKB-së dhe regjistrit civil nuk janë të vetmet prova që e lidhin gjyqtarin Malaj me vilën 3 katëshe. Një denoncim mbi pronësinë e tij mbi vilën është bërë që prej vitit 2008 në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në një ankesë të depozituar në KLD, të protokolluar me datë 29 korrik 2008, shtetasi M.Xh shkruan se “kryetari i Gjykatës, z. Artur Malaj, ka ndërtuar shtëpinë e tij, në territorin e gjimnazit ‘Halim Xhelo’ dhe me gjyqe të manipuluara e ka legalizuar”.
Po ashtu, KPK ka administruar dhe një denoncim nga shtetasi me iniciale H.H i cili shprehet se ““…Artur Malaj … në oborrin e shkollës ‘Halim Xhelo’ ka bërë vilë 4-katërshe dhe e ka vënë në emër të sekretares së tij. Po kështu, ka dhe apartament te Uji i Ftohtë në emër të nënës.”
Raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar mbi pastërtinë e figurës së gjyqtarit, të cilin e ka cilësuar si të “papërshtatshëm” për vazhdimin e detyrës, ka veçuar dhe pronësinë e vilës 3-katëshe.
“Gjyqtarja K.Gj. në dhënien e vendimit civil me nr. ***, datë 23.09.2005, në bashkëpunim dhe në interes të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, z. Artur Malaj, jep në pronësi me parashkrim fitues një pronë publike në qytetin e Vlorës,” shkruan DSIK në raportin e saj.
“Sipas informacioneve rezulton se shtëpia, objekt i vendimit civil gjyqësor, është ndërtuar pa leje në vitet 1995-1996 nga babai i Artur Malajt. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përdorur pozitën e tij me qëllim përfitimin e një prone (truall, pronë shtetërore) në qytetin e Vlorës,” shton raporti.
Pavarësisht indicieve të shumta, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shfajësoi gjyqtarin Malaj me argumentin se “në asnjë rast kjo pronë nuk lidhet me subjektin e rivlerësimit përmes ndonjë dokumenti shkresor apo prove tjetër”. Lidhur me pamundësinë financiare të familjes Dautaj, Komisioni pranoi shpjegimin se Sokrat Dautaj ka qenë avokat nga viti 1992 deri në vitin 2007, “ç’ka ka krijuar të ardhura të justifikuara për ndërtimin e vilës 3-katëshe”.
Transaksionet e pronave
Pullumb Petritaj u arrestua të martën në Vlorë pas akuzave se nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ka tjetërsuar me anë të vendimit fals të gjykatës një sipërfaqe prej 100 hektarësh në zonën turistike të Zvërnecit. Petritaj dhe persona të tjerë janë akuzuar si pjesë e “mafies së pronave” në bregdet dhe sipas Prokurorisë, është i lidhur me Artur Shehun,
një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, dyshohet se përveç 100 hektarëve në Zvërnec, Petritaj ka tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të vendimeve gjyqësore më shumë se 500 hektarë tokë në zona të ndryshme të bregdetit të jugut, përfshirë Palasën dhe Karaburunin.
Sipas të dhënave të administruara nga KPK, një pjesë e pronave të nipit, motrës dhe kunatit të gjyqtarit Artur Malaj janë përfituar nga personave që janë në bashkëpronësi me shtetasin Artur Shehu.
“Shtetasi A.Sh., i dyshuar si personi kryesor i përfshirë në dosjet e tjetërsimit të pronave në Vlorë dhe sipas informacionit që ne disponojmë është i proceduar edhe jashtë vendit për kryerjen e disa veprave penale,” shkruan KPK.
Sipas KPK-së, në emër të nipit 30-vjeçar të gjyqtarit Malaj janë regjistruar 4 troje me sipërfaqe totale 4444,3 m2 në qytetin e Vlorës dhe një auto veturë Mercedez Benz ML.
Nipi F. B. dhe prindërit e tij nuk janë të vetmet persona të lidhur me gjyqtarin Malaj, në emër të të cilët janë regjistruar një numër i madh pronash të paluajtshme.
Në emër të motrës tjetër, E. dhe kunatit A. G. ka një listë të gjatë pasurish të paluajtshme dhe likuiditete bankare. Ata kanë qenë garantorë të një kredie të marrë nga gjyqtari Malaj në “Raiffeisen Bank”-çka i bën ata sipas KPK-së persona të lidhur.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në emër të motrës dhe kunatit janë të regjistruar një apartament me vlerë 110 mijë euro në Tiranë dhe sipërfaqe 86 m2, dy apartamente në Vlorë me sipërfaqe 78.6 m2 dhe134,4 m2, 26 mijë m2 pyll në Vlorë, dhe 10 mijë metra katrorë tokë në Zvërnec. Gjithashtu ato zotërojnë 2 apartamente të tjera në Vlorë me sipërfaqe 94.4 m2 dhe 97 m2 , investime në Fondin Prestigj në Raiffeisen Invest në vlerën prej 2.8 milionë lekë, obligacione në vlerë 50 mijë euro, 2.95 milionë lekë bono thesari, 51,324 USD depozitë në bankën BKT dhe 25 % të aksioneve të kompanisë ‘Fish Planet’ me vlerë 25 mijë euro.
I pyetur nga BIRN, gjyqtari Artur Malaj i cilësoi akuzat e ngritura për transaksionet e pronave me persona me precedentë penalë si të rënda, ndërsa e përjashtoi veten nga çdo lidhje me to.
Ai sqaroi se pronat nga njerëzit e lidhur me Artur Shehun i ka blerë kunati dhe jo nipi i tij ndërsa shtoi se ai vetë nuk kishte pasur dijeni.
“Tokat i ka blerë kunati dhe jo nipi im. Kontratat kanë qenë veprime të rregullta dhe nëpërmjet bankës. Gjithçka shpjegohet në vendimet e KPK-së,” tha Malaj.
“Në hetimet e prokurorisë nuk përcaktohet që falsifikimet me tokat janë bërë në kohën që unë kam qenë gjyqtar,” shtoi Malaj për BIRN.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti fillimisht dyshime mbi pasuritë e familjarëve të Malajt, por i ka justifikuar ato duke iu referuar të ardhurave nga bizneset familjare dhe emigracioni.
Ndryshe nga praktika e konsoliduar e Komisionit, pjesa e analizës financiare e personave të lidhur jep shumë pak detaje mbi vlerën e pronave, koston e transaksioneve për përftimin e tyre, kohën kur ato janë blerë dhe të ardhurat e ligjshme që personat e lidhur me subjektin kanë pasur në dispozicion për transaksionin.
Për shembull, për të justifikuar pasurinë e kunatit, KPK shprehet se i ati ka pasur një biznes në rritjen e molusqeve nga viti 1991 deri në vitin 1999, por nuk shpjegon se sa të ardhura ka gjeneruar ky biznes, sa dividend ka shpërndarë apo nëse ka paguar taksat. Gjithashtu, KPK shprehet se pas vitit 1999, prindërit e kunatit të gjyqtarit janë transferuar në SHBA, ku gjatë dy viteve të fundit kanë pasur të ardhura në vlerë 138,758 USD, por nuk shpjegon nëse këto të ardhura janë transferuar ndonjëherë në Shqipëri apo jo, dhe nëse familja ka dokumentacion të ligjshëm që këto të ardhura janë përdorur për krijimin e pasurive.
Edhe në rastin e pronave të regjistruara në emrin e nipit F. B., KPK ka vendosur t’i trajtojë si pasuri familjare. KPK nuk ka dhënë një vlerë për 4 sipërfaqet truall që familjarët e gjyqtarit zotërojnë në Vlorë, por është mjaftuar të justifikohet se ato janë marrë me biznes, si për shembull një dyqan për materialet hidraulike.
“Referuar këtyre provave, Komisioni vlerëson se familja B. ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar një të tretën pjesë të pasurive,” shkruan KPK në vendimin e saj, përpara se të shtojë se Komisionit “nuk i rezultoi asnjë provë apo e dhënë se në vënien e këtyre pasurive të ketë pasur ndonjë kontribut nga subjekti i rivlerësimit”.
Në deklaratat e tij për Komisionin, gjyqtari Malaj pretendon se nuk ka pasur dijeni mbi lidhjet dhe pronat e familjarëve të tij dhe nuk ka pasur përfitime nga këto pasuri, arsyetim i cili është pranuar nga trupa gjykuese e udhëhequr nga Genta Tafa Bungo, e cila ka votuar unanimisht për konfirmimin e tij në detyrë.