Nga Boldnews.al
Pasi i quajti “kazan” këdo gazetar që kritikonte me fakte kriminalizimin e qeverisjes dhe korrupsionin galopant, pasi vendosi thuajse të gjithë mediat shqiptare nën ndikimin e tij, Edi Rama ka vendosur të ndërsejë Prokurorinë e Arta Markut për të mbyllur gojën e gazetarëve që nuk i binden vullnetit të tij supreme.
Kryeministri shqiptar dallohet për përçmimin ndaj gazetarëve, sidomos atyre të terrenit, pasi me kolltukofagët e studiove e ka zgjidhur me para, leje ndërtimi e konçensione të tjera. Por, duke nisur nga kjo fundjavë, “Lartgjatësia e Tij” ka kaluar në masën ekstreme, tipike të vëllait të tij Erdogan, kundër gazetarëve që nuk pranojnë t’i “lëpihen” pushtetit të tij-duke përmendur prangat e duke vërsulur Kryeprokuroren e Përkohshme për të marrë masa sigurimi penale.
Një rast i paprecedent në këto 25 vitet e fundit mban firmën e prokurorit Gentian Osmani, por që është dirigjuar nga Edi Rama, nëpërmjet mashës së tij, mikeshës së UIsi Manjës në Prokurorinë e Përgjithshme, Arta Marku.
Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve që kishte nisur për dyshimet mbi përfshirjen në trafik narkotikësh të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, befas ndryshoi kurs dhe zhvilloi hetime për denoncuesin e këtij skandali, Albert Veliu, përfshirë edhe gazetarin që e intervistoi këtë dëshmitar, Jetmir Olldashi.
Në bazë të këtyre hetimeve, të cilat e harruan fare Agron (Geron) Xhafajn, prokurori Gentian Osmani, me vullnetin e tij dhe të përkrahur edhe nga Arta Marku, vendosi arrestimin e denoncuesit Albert Veliu, ndërkohë që u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” për gazetarin Jetmir Olldashi.
Kjo masë penale, edhe pse më e butë se ekstremja, arrestimi, e vë gazetarin Olldashi, por edhe të gjithë gazetarët që do të guxojnë të zbulojnë skandalet e qeverisë “Rama” përballë dilemën-a të vijojnë t’i shërbejnë informimit publik kur kërcënohen me privimin e lirisë të llojit “arta-mark”?
Historia ka treguar se, kur drejtuesit politikë ndërmarrin masa ekstreme ndaj gazetarëve, ata kanë marrë tiparet despotike. Dhe, kur liderët politikë kanë marrë tipare të tilla, po historia, ka treguar se atyre po u vjen fundi politik.
Masa penale që u vendos ndaj gazetarit Jetmir Olldashi është një sinjal shumë i fortë se Shqipëria ka arritur në nivelin e despotizimit të Edi Ramës. Ai, vetëm me votat e tij, zgjodhi Kryeprokuroren e Përkohshme, Arta Marku, të cilën e përdor si vegël për të mbyllur çdo problem kriminaliteti të njerëzve brenda vathës së tij dhe goditjes së ashpër për këdo që guxon të tregojë disa të vërteta për kriminelët që rrethojnë dhe e kanë kapur për fyti qeverisjen e Edi Ramës.
Deri më tani nuk ka pasur thuajse asnjë lloj reagimi nga të ashtu-quajturat shoqata të gazetarëve, të cilat financohen nga fondet e qeverisë, pra të Edi Ramës. Shumëkush sot është struktur, për të mos nxitur zemërimin e “zeusit” që drejton qeverinë shqiptare.
Kjo situatë të kujton një ndodhi, që i referohet periudhës naziste: “Erdhën nazistët e morën izraelitët (çifutët, sipas termit pezhorativ të përdorur nga hitlerianët) dhe nuk protestoi askush, pasi ishte larg nesh. Erdhën nazistët e morën komshinjtë tanë, por sërish nuk reaguam. Për fat që nuk ishin në shtëpinë tonë. Kur erdhën në shtëpinë time dhe më morën mua, doja të protestoja, por nuk kasha se kujt t’i drejtohesha. I kishin marrë të gjitha para meje, ata, për të cilët unë nuk protestova”.
Sulmi i tipit “arta-mark” kundër Jetmir Olldashit është testi i parë. Nëse ai kalon me sukses, pa asnjë reagim shoqëror, atëherë për këdo tjetër do të jetë shumë vonë.