Kryeministri Edi Rama po reziston fort në mbrojtjen që i ka dhënë deputetit të PS, Rrahman Rraja, ndonëse djali i këtij të fundit ka dhunuar dhe përdhunuar ish-të dashurën e tij, si dhe i shpëtoi ligjit për më shumë se dy muaj.
“Lulzim Basha ta provojë në zgjedhje”, ishte kërcënimi që Rexhep Rraja bëri me pranga në duar teksa dilte nga ambientet e gjykatës ku iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg”. Shtuar edhe këtë kërcënim të paprecedentë, prania e Rrahman Rrajës në grupin parlamentar të PS vetëm sa e rëndon edhe më shumë imazhin e kësaj force politike, e cila në dy mandatet që po qeveris vendin është përballur me mjaft raste si ky i fundit. Dorëheqja e deputetit në këtë situatë të pazakontë do ishte një akt i mirëpritur, por që ka shumë pak gjasa të ndodhë.
Më shumë se dëshira për të mbrojtur Rrajën, Rama është i detyruar ta mbajë deputetin e Durrësit brenda Kuvendit për shkak edhe të listës së Partisë Socialiste në këtë qark. Ashtu siç ndodh edhe në qarqe të tjera të vendit, emrat e kandidatëve socialistë për të marrë postin e deputetit kanë probleme të theksuara, qoftë politike ashtu edhe penale.
Altin Kaziaj, njeriu i LSI në listën e PS në Durrës
Në rast se Rrahman Rraja do të dorëhiqej si deputet, vendin e tij në Kuvend do duhet ta marrë Altin Kaziaj, i renditur i nënti në listën e PS-së në Durrës. Politiko.al mëson se Kaziaj nuk preferohet nga strukturat e socialistëve në qytetin bregdetar dhe as nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Ai konsiderohet si “njeriu i LSI-së” që ka arritur të penetrojë në listën e partisë së Edi Ramës. Frika e Ramës ka të bëjë me rrezikun se Kaziaj do e kalonte në opozitë mandatin e tij të deputetit, në rast se arrin të hyjë në Kuvend.
Madje, vetë Kaziaj nuk e ka fshehur as përpara zgjedhjeve parlamentare se mbështeste LSI-në. Ai ka publikuar vazhdimisht në profilin e tij në ‘Facebook’ deklarata të ish-kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ndonëse vetë ishte i renditur në listën e PS.
Postimi në ‘FB’ i kandidatit Kaziaj
Por edhe nëse socialistët do të arrinin të shmangnin hyrjen e Altin Kaziajt në Kuvend, sërish lista e tyre nuk është favorizuese.
PS ka renditur të dhjetin në qarkun e Durrësit, kandidatin Alban Ramohitaj, i cili mban aktualisht postin e kreut të Këshillit Bashkiak. “CV”-ja e këtij kandidati paraqet probleme për socialistët që drejtojnë në Tiranë dhe hyrja e tij në Kuvend nuk do ndihmone aspak në përmirësimin e imazhit të PS, por përkundrazi, do hapte një tjetër debat.
Bazuar në formularin e dekriminalizimit që vetë Ramohitaj ka dorëzuar përpara zgjedhjeve parlamentare, rezulton se është i dënuar në vitin 2004 për ‘vjedhje të energjisë elektrike’. Dënimi me dy muaj me kusht për një afat prej 18 muajsh ka qenë i formës së prerë.
Edhe pse dënimi për vjedhje të energjisë nuk e ka penguar Alban Ramohitajn që të ngjisë shkallët e karrierës politike në Durrës, hyrja e tij në Kuvend dhe spostimi i vëmendjes në Tiranë do të sillte kosto për PS-në.
Reforma në energji konsiderohet nga kryeministri Rama si tepër e suksesshme dhe që e shpëtoi vendin nga një krizë e madhe ekonomike, ndërkohë që për disa vite raportohen raste kur kryefamiljarë arrestohen pse rilidhin energjinë elektrike apo kapen duke e vjedhur atë nga pamundësia për ta paguar. Nuk kanë munguar as ngjarjet tragjike ku qytetarë janë vetëvrarë për shkak se janë burgosur për vjedhje të energjisë apo sepse nuk kanë patur mundësi të shlyejnë detyrimet.
Formulari i vetëdeklarimit i kandidatit Ramohitaj
Në listën me 15 kandidatë, edhe ndaj personit të renditur i 11-i, Ledion Lako, ka patur akuza të forta politike.
Më 25 qershor 2017-të, kur shqiptarët i ishin drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e rinj të Kuvendit, Lëvizja Socialiste për Integrim denoncoi blerjen e votës në qytetin e Durrësit. LSI akuzoi shtetasin Agron Sulejmani, votues në qendrën e votimit ‘Shkolla e Muzikës’, si dhe kandidatin e PS për deputet, Ledion Lako, se po u shpërndanin para qytetarëve në këmbim të votës. Kjo parti publikoi disa foto që sipas saj konfirmonin akuzën që po bëhej ndaj Lakos.
Nëse Edi Rama do të kërkojë të shkarkojë Rrahman Rrajën nga posti i deputetit, do i duhet që të shmangë tre kandidatë të tjerë në listë që në Kuvend të mund të hyjë Ana Dhamo, e renditur e 12-a dhe që deri më tani paraqitet me figurë të pastër. Por ashtu siç shkruhet edhe më lartë, pengesa më e madhe haset që në fillim, me Altin Kaziajn, që klasifikohet nga socialistët e Durrësit si simpatizant i LSI-së. /Politiko.al