Gazetari Jetmir Olldashi i cili u mor me investigimin për kanabisin në Vlorë së bashku me Albert Veliun të njohur si “Dëshmitari X”, ka marrë masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i dyshuar për kallëzim të rremë, ka treguar për Hashtag,al se prokurorët e shantazhuan për “Babalen” dhe se do ndjekë rrugën ligjore për këtë çështje.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar ndaj jush masën e sigurimit “detyrim për paraqitje” si i dyshuar për kallëzim të rremë. A jeni njohur me këtë kërkesë të prokurorisë? Nëse po, në ç’formë?
Po jam njohur nëpërmjet medias dhe jam paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë Vendore Tiranë ku më është komunikuar vendimi i Gjykatës bashkë me urdhërin e ekzekutimit të firmosur nga prokurorët Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri. Rreth orës 13:00 kam qenë në një emision televiziv, në transmetim direkt në televizionin “Fax News”. Pasi kam dalë nga ambjentet e televizionit jam njohur nga koleget e mi gazetarë se në media ishte shpërndare një mesazh nga prokurori i çështjes Gentian Osmani i cili njoftonte vendimin e marrë ndaj meje. Menjëherë telefonova familjarët e mi të cilët më komunikuan se në ambjentet e banesës kishin shkuar oficerë të policisë gjyqësore. Më pas komunikova me kolegë të mi ndërsa u njoftova me telefon nga një oficere e policisë gjyqësore dhe u paraqita në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Akuza e ngritur nga Prokuroria për Krime të Rënda është ajo e “kallëzimit të rremë”. A keni bërë ju ndodnjëherë kallëzim pranë organit të prokurorisë?
Jo, nuk kam bërë asnjëherë kallëzim penal pranë kësaj prokurorie, përveç faktit që kam denoncuar në media lidhjet që krimi i organizuar ka me Ministrin e Brendshëm. Për këtë fakt jam thirrur disa herë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku kam kam kërkuar nga dy prokurorët e çështjes të hetojnë pistën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe kam marrë përgjigje prej tyre se “droga në Vlorë është fenomen normal”.
Pra ndaj jush është ngritur një akuzë vetëm sepse si gazetar keni denoncuar publikisht lidhjet e krimit me qeverinë?
Kjo është e dukshme. Prokuroria e Krimeve të Rënda vulosi sot faktin se ajo është vetëm në shërbim të qeverisë dhe krimit të organizuar dhe nuk ka vullnetin minimal të hetojë trafikun ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e tij me persona në pushtet. Gjatë seancave të pyetjeve në prokurori u kam kërkuar prokruroëve të hetojnë lidhjet e dhjetra skafistëve të kapur në Itali për trafik droge me personat e pushtetshëm që ndodhen në Shqipëri. Por me sa duket prokurora jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë por është angazhuar maksimalisht të mbulojë edhe ato të vërteta që janë publikuar.
Të kthehemi edhe një herë te historia që ju keni denoncuar në media, respektivisht në emisionin “Ajsberg”. Sa herë jeni thirrur për të dëshmuar në prokurori dhe për çfarë jeni pyetur?
I jam përgjigjur pozitivisht kërkesës së prokurorisë disa herë me shpresën se institucioni më i rëndësishëm i akuzës po bënte përpjekjet e duhurua për hetimin e lidhjeve të krimit me politikën. Por aty kam vënë re se prokuroria ishte e interesuar për mbylljen e kësaj çështje duke u sikronizuar me deklaratat publike të Kryeministrit Edi Rama të bëra një ditë pas publikimit të regjistrimit audio, por edhe të deklaratave të bëra nga Ministri i Brendshëm. Por pavarësisht përpjekjeve për të mbyllur çështjen, është një fakt të cilin prokuroria nuk e manipulon dot. Janë tabulatet telefonike mes vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron (Geron) Xhafaj dhe dëshmitarit Albert Veliu. Prokuroria ka detyrimin që këto tabulate t’i bëjë publike.
Pra ju po thoni se interesi i vetëm i prokurorisë ishte mbulimi i trafikut të drogës?
Kjo bindje më ëshët krijuar nisur nga bisedat me prokurorët e çështjes gjatë seancave të pyetjeve. Aty më është përmendur edhe burgu apo edhe rrëziqe të tjera ndaj të cilave sipas tyre unë isha i ekspozuar. Kishte një tendencë të prokurorëve për t’më detyruar të shkelja mbi parimet dhe etikën profesionale. Këtë gjë nuk e kam pranuar dhe mbas refuzimit tim të vazhdueshëm më është bërë e qartë se ndaj meje do kishte represion nga aparati shtetëror që po përdor si mashë Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Sipas jush masa e sigurimit të kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ishte suprize?
Siç e thashë edhe më sipër, për mua misioni i Prokurorisë ishte i qartë: Duhej nxjerrë i pastër nga kjo histori Agron Geron Xhafa bashkë me të vëllain Ministër të Brendshshëm dhe duhet të ndëshkoheshin ata që denoncuan. Kjo është taktikë e përdorur dikur nga Sigurimi i Shtetit, që z.Xhafaj i njeh mirë dhe që fatkeqësisht po përdoren rregullisht për të mbyllur gojën e çdo gazetari që tenton të denoncojë lidhjet e krimit me qeverinë. Mjafton të përmendim disa raste konkrete si për shembull kolegu Telnsi Skuqi i cili denoncoi trafikun e drogës me avion dhe u kërcënua bashkë me familjen ç’ka e detyroi të largohet nga Shqipëria, pasi nuk ju ofrua asnjë mbrojtje nga institucionet. Po ashtu kolegu tjetër, Basir Çollaku i cili denoncoi lidhjen e Ministrit të Brendshëm me trafikun e drogës u kërcënua dhe anatemua nga institucionet të cilat gjithashtu nuk i ofruan asnjë mbrojtje. Pak kohë më parë banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala u qëllua me breshëri automatiku dhe institucionet nuk kanë zbardhur ende ngjarjen. Rasti më i freksët është ai i Fushë Krujës, ku një pjesë e medias u bë bashkë me qeverinë për të mbrojtur zyrtarët e denoncuar nga oficeri i policisë dhe duke lënë në mëshirë të fatit një punonjës të shtetit si Emilano Nuhu dhe viktimën e kësaj ngjarje, vajzën jetime.
Përballë një qëndrimit të tillë të Prokurorisë, cili do jetë reagimi juaj? Çfarë hapash do të ndiqni në vazhdim?
Fillimisht do respektoj vendimin e institucioneve shtetërore. Më pas do ndërmarrim disa hapa ligjorë, duke nisur nga kërkesa për publikimin e tabulateve telefonike të prokurorëve të çështjes, të cilët ndoshta mund të kenë komunikime me persona në kërkim apo me emisarë të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Si dhe do të kërkojmë gjithë dokumentacionin që disponon prokuroria, duke përfshirë ekspertizën e audio-përgjimit. Më pas, audio-përgjimi që ka patur prokuroria në dispozicion do t’i dërgohet për ekspertim të njëjtit laborator ku është bërë ekspertiza për llogari të Prokurorisë.
Intervistoi: H.Hasani