Sot në orën 17:30, do të mbahet protesta para godinës së Kryeministrisë kundër dhunës ndaj grave, pas rastit të Xhisiela Malokut, 25-vjeçares së dhunuar nga djali i deputetit socialist në Krujë, Rrahman Rraja.
Dy ditë më parë, gratë deputete të opozitës, gra intelektuale dhe studente, u mblodhën para Kryeministrisë u mblodhën në një tubim në shenjë revolte kundër dhunës shtetërore, ndërsa bënë thirrje që këtë të hënë protesta të bëhej më masive.
Ato bëjnë thirrje që ditën e hënë në orën 17:00, pjesëmarrja në protestë të bëhet masive, në mbështetje jo vetëm të Xhisielës, por edhe të gjithë femrave që dhunohen.
“Thërritini ndjenjës njerëzore të mëmësisë dhe denonconi ngjarjen e paprecedentë. Kërkojmë që kryetari i Kuvendit, presidenti, kryeministri, Ministri i Brendshëm, prokuroria dhe të gjitha institucionet të prononcohen, jo vetëm të distancohen por të dënojnë me forcë këtë ngjarje. Ndaj djalit të deputetit, që është denoncuar për dhunën nuk është marrë asnjë masë, kemi mosreagim nga Ministria e Brendshme dhe kreu i policisë së Shtetit. Ndaj vajzës nuk është marrë asnjë masë mbrojtjeje. Duam të informohemi për cdo masë që do të merret për jetën dhe sigurinë për Xhiselën”, tha deputetja Oriola Pampuri.
Ndërsa deputetja e LSI-së dhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se rasti i Malokut është i paprecedentë dhe tregon qartazi gjendjen e shtetit shqiptar, ndërsa bën thirrje që të hënën të ketë pjesëmarrje sa më masive.
“Siç e shikoni ne jemi mbledhur të gjithë këtu pa ndasi. Të gjithë krahët opozitarë janë këtu sot së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile për një kauzë që është përtej asaj çka diskutohet këto ditë në media. Nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e gruas. Nuk ka të bëjë vetëm me dhunën në familje. Ka të bëjë me dhunimin që i bëhet gjithë shoqërisë nëpërmjet krimit të organizuar, nëpërmjet bandave, nëpërmjet njerëzve me kaq shumë pushtet sa tashmë ka kaluar çdo kufi. Unë mendoj që rasti i Xhisielës është realisht i paprecedentë dhe tregon në mënyrë të qartë stadin në të cilin ndodhet shteti shqiptar sot, mosfunksionimin e institucioneve, rënien e sistemeve të drejtësisë, rënien e Policisë së Shtetit, e Ministrisë së Brendshme e cila minimumi duhet të kishte dhënë një deklaratë të vetme ku realisht të tregonte të vërtetën e asaj çka i ka ndodhur Xhisielës. Sepse rasti i Xhisielës sot nuk është i vetëm. Janë me qindra dhe me mijëra raste të tjera që qëndrojnë aty të fshehura dhe nëse ne sot nuk arrijmë të ngremë zërin, imagjinoni nesër do të jemi të gjithë të vetëm përballë një shteti kriminal.”, tha Gjosha.
Ndërkohë që gratë e opozitës së bashkuar janë ngritur në protesëta për t’i dalë në mbrojtje Xhesiela Malokut, vajzës së dhunuar nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, gratë e PS-së kanë reaguar përmes një njoftimi, përmes së cilës sulmojnë opozitën.
Grupi i grave deputete të PS-së thonë që kjo çështje duhet të hetohet ndërsa akuzojnë opozitën për shpifje dhe kërkojnë mospërdorimin politik të vajzës.
“Grupi i Grave Deputete të Partisë Socialiste dënon çdo lloj forme dhune dhe mbështet e inkurajon institucionet përkatëse në kryerjen deri në fund të të gjitha procedurave të nevojshme për nxjerrjen e përgjegjësive dhe ndërshkimin ligjor të përgjegjësit për dhunën e ushtruar mbi vajzën Xh.M.
Grupi i Grave Deputete të PS ka në prioritet të punës ndër të tjera edhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore, si dhe mbrojtjen e viktimave të saj. Ne kemi një qëndrim të palëkundur kundër çdo rasti dhe forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë edhe abuzimin për qëllime politike me viktimat e dhunës.
Ashtu siç mbështesim dhe inkurajojmë organet kompetente të shkojnë deri në fund të hetimit e të ndëshkimit të këtij rasti, dënojmë publikisht sulmet e shëmtuara politike dhe mediatike ndaj Policisë së Shtetit apo kryetarit të grupit tonë parlamentar.
Duke e përshëndetur deklarimin publik të qëndrimit solidar ndaj vajzës së dëmtuar, nga ana e kolegeve tona të opozitës, u bëjmë thirrje atyre të ndikojnë në ndalimin e keqpërdorimit publik të vajzës për motive politike. Shpifjet dhe gënjeshtrat me të cilat opozita po përpiqet të ngarkojë opinionin publik, janë dhunë publike ndaj vajzës, e cila meriton drejtësi dhe vetëm drejtësi!”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë që gratë socialiste mjaftohen me këtë shkrim, ato të opozitës, sëbashku me gra intelektuale dhe vajza studente, u mblodhën të shtunën dhe do mblidhen edhe sot përpara Kryeministrisë për t’i dalë në mbrojtje Xhisiela Malokut.
Xhisiela Maloku rezulton të jetë dhunuar me mjete të forta dhe me shenja të djegies me cigare në kofshë.
Raporti i ekspertëve të Mjekësisë ligjore mbështet pretendimet e 25-vjeçares, e cila me 21 korrik të këtij viti denoncoi për dhunë ish-të dashurin e saj Rexhep Rrajan, djalin e deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja.
Në dokument thuhet se vajza ka shenja dhune në shpatull, ndërsa djegie me cigare në kofshë.
Por ajo çfarë e rëndon më shumë ngjarjen është përfshirja e Taulant Ballës dhe kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi, siç deklaroi nënkomisari Emiljano Nuhu, që bashkë me vëllain e deputetit socialist, Rrahman Rraja, i kanë vënë pistoletën kokës në komisariat. Por socialistet e konsiderojnë këtë pjesë shpikje të opozitës dhe mjaftohen vetëm me një shkrim. Disa ditë pas lajmit të bërë publik, Rexhep Rraja, djali i deputetit Rraja u arrestua ditën e djeshme në Rinas.