Goditja e Bajrave në Shkodër mund të konsiderohet aksioni më i suksesshëm i policisë shqiptare në vitet e fundit. E trullosur nga aroma e kanabisit gjatë drejtimit të dyshes Tahiri-Çako, policia e ka të vështirë ta rimarrë veten, por aksione si ai i të premtes janë pozitive jo vetëm për mesazhin që i japin opinionit publik, por edhe për vetë moralin e policëve.
Mbetet për t’u parë, nëse goditja e Bajrave do të jetë pikënisje e një qasjeje të re të policisë dhe prokurorisë kundër krimit të organizuar, apo një rast sporadik i imponuar nga rrethanat. Dhe në rast se vërtet ekziston vullneti që “Forca e Ligjit” të triumfojë, duhet marrë parasysh se kjo nuk është një punë e lehtë.
Për të kuptuar më mirë se në çfarë përmasash ka arritur krimi i organizuar në Shkodër, vlen të lexohet pjesë e një studimi të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar. Shkodra, në bazë të këtij studimi, rezulton të jetë një qytet thellësisht i kriminalizuar, ku sundojnë 4 familje. Nga të dhënat, duket se familja Bajri, është familja e dytë që përshkruhet në studim. Dhe të tjerat nuk janë më pak të rrezikshme.
Një nga autorët e studimit është Besfort Manallari, aktualisht zv.ministër i Brendshëm, tjetri Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë publike.
Pjesë nga studimi, Shkodra
“Është e nevojshme që fillimisht të sqarojmë kuptimin e organizatave kriminale të cilat mbështeten në lidhje të ngushta familjare (“Familje”), karakteristikë kjo e grupeve kriminale të zonës veriore të vendit. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël, kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë. Mendohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Këto “familje” hamendësohet ti kenë rezistuar kohës për shkak të lidhjeve të forta familjare, agresivitetit dhe lidhjeve me politikën. Fillimet e tyre nisin të duken që në fundvitet 80-të, kur në Shkodër, si në shumë qytete të mëdha të vendit, filluan të krijoheshin grupe të rinjsh të dhunshëm në lagje të caktuara të qytetit të cilët njiheshin si të “fortët e lagjes“, si: “Grupi i Rusit” “Xhabijes” ose “Kirasti”. Ndër këto grupe kishte edhe djem të cilët ju përkisnin “familjeve” që dyshohet se dominojnë sot krimin në qytetin e Shkodrës. Anëtarë të këtyre familjeve njiheshin për pjesëmarrjen në veprimtari kriminale para dhe gjatë periudhës së komunizmit. Pra kishin një histori të përfshirjes së familjarëve në veprimtari kriminale edhe në të shkuarën. Këto grupime kriminale janë kryesisht të mbështetura në lidhje familjare dhe kontrollojnë zona të caktuara. Fuqizimi i tyre filloi me kontrabandën e karburanteve e cila lulëzoi në rrethin e Shkodrës pas thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara vendosur ndaj ish-Jugosllavisë në maj të vitit 1992, si dhe konfliktet e armatosura në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.
Më pas këto “familje” u angazhuan në trafikun e qenieve njerëzore dhe atë të narkotikëve. Këto veprimtari kriminale ju mundësuan të krijojnë lidhje edhe me rrjetet ndërkombëtare kriminale. Gradualisht këto familje u fuqizuan financiarisht duke u integruar në veprimtari tregtare të rëndësishme në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë. Një tjetër faktor fuqizues është edhe lidhjet që disa nga këto familje vendosën me “familje “mafioze italiane në jug të Italisë, por edhe pranisë së kësaj të fundit në Malin e Zi. Ky shtet njihet edhe si një ndër portet kryesore të kontrabandës së duhanit në Ballkan e dirigjuar nga Sacra Corona Unita. Deri në vitin 2012 Mali i Zi konsiderohej nga media ndërkombëtare si një “shtet mafioz”.
Familjet e mësipërme në qytetin e Shkodrës mendohet të kenëkonsoliduar pozitat e tyre në qytet dhe rrethina nëpërmjet dhunës dhe shantazheve, por dhe gjobëvënies ndaj bizneseve. Kjo e fundit ka qënë fenomen shqetësues në Shkodër edhe pas vitit 2005. Struktura e organizimit të këtyre “familjeve” hamendësohet se i ngjan një “biznesi familjar”, ku organizata kriminale vepron në emër dhe përfitim të familjes ose klanit familjar. Zakonisht drejtuesi i organizatës është kryefamiljari, i cili, pas vdekjes së tij, zëvendësohet nga vëllai më i madh.
Siç u përmend më sipër, hierarkia më pas zbret në varësi të afërsisë së gjakut me drejtuesin e organizatës dhe kjo përcakton dhe rëndësinë dhe rolet. Kështu në rang më të ulët vijnë kushërinjtë e parë, të dytët e me radhë. Në organizatë përfshihen edhe individë të cilët kanë lidhje shoqërore me anëtarët kryesorë të organizatës si dhe djemtë e lagjes ku organizata ka qendrën e saj. Këto “familje” kontrollojnë territore të caktuara dhe kanë linjat e tyre të trafiqeve. Në përgjithësi këto “familje” janë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e njëra-tjetrës pasi një gjë e tillë aludohet t’i ketë kushtuar mbi 20 të vrarë dy prej familjeve në konflikt në periudhën 1999-2013. Pas vrasjes së Edmir Koçisë në vitin 2012 hamendësohet se ka një ristrukturim tjetër të kontrollit të qytetit nga këto familje. Koçia konsiderohej deri në vitin 2012 si një ndër individët më të rrezikshëm dhe drejtues i organizatës më me influencë në qytet. Ai dyshohej për një sërë vrasjesh, ku ndër to dhe për vrasjen e Çim Cafit.84 Një vit më pas eliminohet edhe Gjon Gjeka85, i cili gjithashtu dyshohet të jetë ekzekutuar nga e njëjta dorë dhe porositës, për shkak të stilit fare të ngjashëm të vrasjes. Pas këtyre vrasjeve mendohet që “familjet” dominuese në qytet të kenë vendosur një situatë paqeje.
Sot këto “familje” kanë të ndara qartë territoret e tyre, ku kryesisht ndodhen biznese apo veprimtari ekonomike të cilat janë nën mbrojtjen e tyre. Secila nga këto familje ka karakteristikat e veta. Një “familje” (1) mendohet të jetë më afër politikës dhe të ketë ndikim të fortë në pushtetin vendor në çështjet që lidhen me lejet e ndërtimit apo dhe punësimet në institucionet zyrtare. Por, gjithashtu, kjo familje hamendësohet të jetë e përfshirë edhe në trafikun e drogave të forta (heroinë dhe kokainë).
Një “familje” (2) tjetër përflitet se ka ndikim dhe kontroll në një zonë që fillon që nga qendra e qytetit, drejt Dobraçit, deri në rrethinat dhe një pjesë të Dukagjinit. Kjo “familje” dyshohet se kontrollon drogat e lehta (kanabis) dhe është e përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të narkotikëve kryesisht në Belgjikë, Hollandë dhe Suedi. Gjithashtu aludohet se kjo “familje” jep para me fajde në tregun e zi, dhe se është përfshirë në trafik klandestinësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo “familje” (2) dyshohet të ketë lidhje edhe me një ndër organizatat kriminale të rrethit të Tiranës që u trajtua më sipër dhe e cila vepron kryesisht në Tiranë – Durrës
dhe Fushë-Krujë. Së fundmi përflitet se kjo familje (2) është angazhuar në të ashtuquajturën “mbledhje borxhesh” (biznese të ndryshme, në pamundësi për të mbledhur borxhet, ju paguajnë një tarifë organizatave kriminale të cilat në këmbim ju marrin borxhin debitorëve), e ngjashme kjo me “pizzo” e mafies Italiane, kryesisht asaj Siciliane. Mendohet se kjo “familje” është familja më e zgjeruar në numër dhe në lidhje gjaku në krahasim me të tre “familjet” e tjera.
Një familje tjetër (3) e cila ndan territorin e kontrollit në qytet me “familjen” (2) më sipër, ka ndikim të konsiderueshëm dhe mendohet se ka influencë në një territor që fillon nga qendra e qytetit dhe më pas vijon në lagjet e njohura si ajo e Xhabijes dhe Zdrales. Përflitet se një ndër veprimtaritë e saj kryesore është siguria që ju ofron bizneseve në zonën që kontrollon kundrejt një pagese mujore. Kjo “familje” kryesisht është e kujdesshme dhe e sofistikuar, nuk ekspozohet në krime ordinere dhe është më e vogël në numër se familjet e tjera. Dyshohet gjithashtu se ka lidhje me një organizatë shumë aktive në rrethin e Tiranës që u trajtua më sipër.
Një familje tjetër (4), e cila nuk ka influencën e të parave, dyshohet se ka influencë në zonën e Kirasit dhe mendohet se ka kryesisht lidhje të forta me organizatat kriminale në Kosovë. Numri i anëtarëve të kësaj organizate mendohet të jetë i konsiderueshëm dhe përgjithësisht përbëhet nga persona me lidhje gjaku dhe shoqërore të lagjes ku drejtuesit e organizatës banojnë. Mendohet se krerët e kësaj “familjeje” trafikojnë lëndë narkotike dhe janë të angazhuar në trafikun e prostitucionit në Suedi dhe
Danimarkë.
Në përgjithësi, grupet kriminale të rrethit të Shkodrës janë “poli-kriminale” dhe përdorin gjerësisht zonën e Velipojës, portin e Shëngjinit dhe portet e Malit të Zi për trafikun e narkotikëve. Ky trafik bëhet kryesisht me kontenierë ose anije peshkimi të cilët e çojnë “mallin” në det të hapur i cili më pas tërhiqet nga grupet e tjera kriminale që veprojnë në BE. Organizatat kriminale në rrethin e Shkodrës kanë rritur gjithashtu veprimtarinë e tyre edhe në trafikun e armëve, të cilat i transportojnë ato nga Mali i Zi, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Malësi të Madhe. Armët, së bashku me narkotikët, dyshohet se transportohen për në BE nëpërmjet skafeve të cilat nisen nga grykëderdhja e Bunës ose lugina e Vilunit në Velipojë.
Pas goditjes që ju bë “kanabisit” në fshatin e Lazaratit hamendësohet se një ndër “hambarët” më të mëdhenj të rritjes së tij në mënyrë të përqendruar do të zhvendoset në zonën e Dukagjinit, kryesisht në Pult, Shal dhe Shosh. Dhe kjo tendencë e prodhimit të kanabisit ka rrezik të sjellë zhvillime të reja të organizatave kriminale në rrethin e Shkodrës.
Përflitet që të ardhurat që do të sjellë çmimi tashmë i rritur i kanabisit në tregun ndërkombëtar do t’iu mundësojë këtyre organizatave jo vetëm rritje të ndjeshme të fuqisë ekonomike por edhe akses të konsiderueshëm në mafian ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin strategjik të qytetit të Shkodrës, fuqinë relativisht të dobët goditëse të shtetit si dhe ekuilibrat kulturorë dhe fetarë, “Kryeqendra e Veriut” rrezikon të kthehet në një ndër “polet” kryesore të organizatave kriminale më të rrezikshme në vend në vitet e ardhshme”.