Ky vit i ri shkollor, në vend që të ishte ditë feste për 480 mijë nxënësit në të gjithë vendin, është kthyer pa më të voglin dyshim në një stres më vete. Që nga mbyllja e disa shkollave me histori në arsimin shqiptar, largësia e krijuar mes disa zonave dhe shkollave ku zhvillohet mësim aktualisht, nxënësve u duhet të përballen edhe me një tjetër problematikë po aq të rëndësishme.
Janë tekstet shkollore. Boldneës.al ka konstatuar gafën e radhës të Lindita Nikollës dhe Ministrisë që ajo drejton. Këtë herë është libri i Informatikës për arsimin 9-vjeçar i cili ka një cilësi skandaloze përkthimi nga anglishtja në shqip. Komisioni i teksteve në Ministri e ka parë të udhës ta përkthejë me “Google Translate”, sesa këtë punë ta bëjë një profesionist i fushës. Ky tekst duket lehtësisht që është përkthyer automatikisht online jo vetëm nga fjalitë pa kuptim por në një paragraf të tij ka mbetur në gjuhën angleze.
Nuk është libri i gjuhës angleze, por ai i Informatikës të cilin Ministria e ‘Padijes’ e ka bërë pjesë të kurrikulës mësimore. Deri këtu arrin shpërfillja dhe neglizhenca e autoritetit kompetent ndaj arsimit në vend.
S’do mend të kuptohet se, përsa kohë kemi një ministre me diplomë nga një prej universiteteve që shefi i saj e mbylli me argumentin se ishte “kioskë që lëshonte diploma”, do kemi injorancën të ulur këmbëkryq në Arsimin shqiptar dhe ata që do ta vuajnë do jenë brezat pasardhës të cilët në vend të formimit dhe edukimit, po kultivohen me injorancë funksionale.
Arsimi në Shqipëri sot ndodhet në gjendje alarmante. Kur duhej të ishte sfera e cila do ushqente vendin me elita, në fakt po bën të kundërtën, po prodhon injorancë funksionale. Në vend të “kioskave që lëshojnë diploma” kemi injorancë të prodhuar nga tekset shkollore por edhe i gjithë sistemi që kanë ngritur në këmbë si “Kala prej rërë” dy të pashkollët, njëri Kryeministër, tjetra ministre e Arsimit.