Firma “Fusha” shpk, e preferuara e kryebashkiakut Erion Veliaj, vijon të fitojë tenderë që varen direkt nga kryetari i bashkisë së Tiranës. Në pritje të fillimit të punimeve për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave me teatër, Ujësjellësi i Tiranës, një institucion me varësi direkte nga Bashkia, e ka shpallur fituese këtë firmë, megjithëse kishte ofertën më të lartë në tender.
Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi të ri. Nga katër firma në garë, firma “Fusha” shpk, ka kërkuar më shumë para, për të zhvilluar një punë publike. Por, ashtu siç kemi denoncuar edhe më herët për lidhjet mes Veliajt dhe Shkëlqim Fushës, firma “Fusha” shpk vazhdon të thithë para publike.
Në dokumentet e siguruara nga Tpz.al bëhet me dije se Ujësjellësi i Tiranës ka hapur tenderin “Asfaltimi i objekteve të investimeve dhe mirëmbajtjes së rrjetit UKT sha”. Fondi për këtë tender ka qenë 14.885.745 lekë të reja pa TVSH. Në tender kanë marrë pjesë 4 firma, ku një firmë nuk ka paraqitur ofertë ekonomike. Oferta më e ulët, e cila duhet edhe të dilte fituese, ka qenë prej 9.450.000 lekë pa TVSH. Ndërkohë, firma “Fusha” shpk ka ofruar plot 13.147.050 lekë pa tvsh, ose mbi 90 përqind të shumë së akorduar nga UKT Tiranë.
Pas verifikimit të dokumenteve, tre firmat që ofruan më pak se “Fusha” u skualifikuan, dy prej të cilave se nuk kishin disa kamionçina, siç parashikohej në dokumentet standarte të tenderit. Duket se hartuesit e dokumenteve janë kujdesur më së miri që të përpilojnë kërkesat në favor të kompanisë së preferuar të Veliajt. Dhe, s’kishte si të ndodhte ndryshe; “Fusha” vazhdon të marrë para nga taksapaguesit e Tiranës!
/TPZ.AL/
Dokumentet e tenderit të ri
/TPZ.al/