Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë sfidën e parë të Ligës së Kombeve në stadiumin “Elbasan Arena” më 7 shtator ndaj Izraelit.
Djemtë e Christian Panuccit do të kërkojnë që ta nisin me fitore pas disa sfidave jo të mira që kanë bërë së fundmi në miqësoret e zhvilluara.
Për të arritur tek suksesi ekipi kombëtar do të kërkojë dhe mbështetjen e tifozave në shkallët e stadiumit dhe këtë gjë dhe ish-kapiteni legjendar i kombëtares, Lorik Cana.
Cana i bëri thirrje tifozave për të qenë të pranishëm në “Elbasan Arena” pasi ky është momenti i duhur për të mbështetur skuadrën.
“Shqiptarët padyshim duhet të përkrahin siç e kanë bërë shumë herë, disa herë me shumë pasion pasi ka dashamirësi ndaj ekipi kombëtar që nuk mungon dhe nuk do të mungojë asnjëherë, sidomos kur kombëtarja ka nevojë më shumë.
Është një fillim, një kompeticion i ri dhe po ndërtohet skuadra që do të na përfaqësojë për shumë vite dhe sot më shumë se kurrë kanë nevojë për mbështetje.
Në momente vështirësie kur fillon një kompeticion i ri kur ka probleme me dëmtime dhe me skuadra, mbështetja e tifozëve bëhet më e rëndësishme.
Ne si shqiptarë kemi nevojë në këto momente kyçe dhe të vështira që të tregojmë prezencë dhe dashamirësi e ngrohtësi për këtë ekip kombëtar.
Unë i pari do të jem në stadium duke mbështetur me shumë qejf dhe jam i sigurt se do të ndërtohet një skuadër që na jep shumë kënaqësi në të ardhmen”, deklaroi Lorik Cana.