I ashtuquajturi Forum i Alpbachut tregoi se disa politikanë austriakë janë bërë kumbarë të ndarjes së Kosovës, por me një kusht: duhet të ruhet stabiliteti rajonal, sipas tyre. Domethënë: për rreth 40 mijë serbë të veriut të Kosovës hidhet në ajër Republika e tanishme e Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi duhet të rrinë të qetë.
Dy presidentë, «Aleksandri» dhe «Hashimi», folën në Forumin e Alpbachut në Austri për ndarjen e Kosovës dhe pjesëmarrës të tjerë nuk i kundërshtuan. Presidenti slloven Borut Pahor duke folur në Forum në një çast tha se «jemi këtu me Hashimin dhe me presidentin Vuçiq». Kjo ishte simptomatike. Kosova përfaqësoj nga «Hashimi», ndërsa Serbia nga presidenti i saj. Negociatat mes këtyre dyve për ndarjen e Kosovës duket se kanë shkuar larg. Këtë e linte të nënkuptohej edhe toni gati familjar i komunikimit mes Thaçit dhe Vuçiqit, të cilët njëri-tjetrit i drejtoheshin me «Aleksandar» dhe «Hashim». Në një moment Vuçiq madje tha: «Hashimi është politikan më i mirë se unë», pastaj me dinakëri akuzoi vendet perëndimore që po «na pyesin se çfarë po bëjmë?» Përse duhet t’ju interesojë kjo vendeve perëndimore, pyeti Vuçiqi, i cili tha se të dy po kërkonin një zgjidhje për konfliktin mes serbëve dhe shqiptarëve.
Zgjidhja magjike quhet: «korrigjim i kufijve». Si duket kjo zgjidhje? «Aleksandri» dhe «Hashimi» nuk janë të gatshëm ta thonë. Dhe presidenti austriak Alexander van der Bellen, i cili njihet si politikan i ndershëm, në Forumin e Alpbachut zgjodhi rolin e cinikut. Ai i luti gazetarët që të mos jenë shumë kureshtarë, të mos u bëjnë pyetje «Hashimit» dhe «Aleksandrit» se për çka janë duke negociuar.
Më shumë si politikan austriak dhe më pak si komisioner i Bashkimit Europian foli Johannes Hahn, «një mik i vërtetë i Serbisë» (sipas Vuçiqit). Nëse e përkthejmë në gjuhë të kuptueshme, Hahn tha se Kosova bën të ndahet, por duhet të ruhet stabiliteti rajonal. Nëse e interpretojmë si duhet këtë cinizëm austriak të mbështjellë me fasadë europiane, kjo domethënë: shqiptarët në Maqedoni duhet ta ruajnë Maqedoninë super-multietnike, shqiptarët në Mal të Zi – duhet të rrinë urtë, shqiptarët në Luginë të Preshevës ose të rrinë urtë nën Serbi ose të shpërngulen në Kosovë. Ndërsa rreth 40 mijë serbë të veriut të Kosovës Europa e Johannes Hahnit i sheh si racë superiore, andaj, sipas tij, me fatin e Kosovës mund të bëjnë çfarë të duan «Hashimi» dhe «Aleksandri», vetëm, aman, të ruhet stabiliteti rajonal.
Presidenti i Kosovës me anglishten e tij që tingëllonte si një ekskavator në gurthyes kërkoi «përkrahje nga të gjithë» për të gjetur shpejt një zgjidhje, sepse edhe në Kosovë kërcënon rreziku nga forcat «nacionaliste» dhe «antiperëndimore». Është e qartë se në mesin e këtyre forcave ai nuk e numëron partinë e tij, PDK-në. Mesazhi i presidentit të Kosovës në Forumin e Alpbachut ishte, pak a shumë, ky: «Me Aleksandrin», tha ai, kemi diskutuar të gjitha opsionet – edhe «korrigjimin e kufijve», «kjo është serioze», por «korrigjimi» nuk domethënë «ndarje sipas vijave etnike». Kosova do të mbetet, sipas Thaçit, shoqëri multietnike». E për çka po bëhet ndarja atëherë? A do të vlejë për Kosovën e ndarë Plani i Ahtisaarit? Zonat pothuaj eksterritoriale përreth manastireve të Kishës Ortodoske Serbe? Komunat e panumërta dhe të panevojshme serbe gjithandej Kosovës? Asgjë nuk dihet. Dhe ndoshta kjo është metoda e re e Thaçit për zgjidhjen e problemeve të Kosovës bashkë «me Aleksandrin».
«Aleksandri» e nisi fjalimin e tij me një sulm ndaj një djali nga Bosnja që tregoi historinë e tij personale dhe historinë e qytetit të tij të lindjes, Dobojit, ku forcat serbe vranë dhe dëbuan boshnjakët dhe kroatët, shkatërruan pronat e tyre dhe xhamitë i hodhën në ajër. Vuçiq nuk shprehu keqardhje për atë çfarë bashkëkombësit e tij kanë bërë në Bosnjë, kuptohet nuk e përmendi as Srebrenicën, krimet serbe në Kosovë jo se jo, harrojeni, Vuçiq me ton teatral filloi të tregojë historinë e familjes së tij të vrarë nga nazistët kroatë në Luftën e Dytë Botërore. Ky rrëfim me gjasë duhej të shërbente si arsyetim për krimet serbe gati gjysmë shekulli më vonë. Kështu «argumentonte» edhe Ratko Mlladiqi duke hyrë në Srebrenicë, ndërsa përbetohej se ka ardhur dita që «t’u hakmerremi» turqve. Boshnjakët konsideroheshin turq, turqit kishin pushtuar Ballkanin para 600 vjetësh, blla, blla, blla. Narrativi ultranacionalsit serb jehoi edhe në Forumin e Alpbachut, politikanët austriakë qëndruan në heshtje ose i duartrokitën kësaj propagande, bashkë me «Hashimin».
Procesi për ndarjen e Kosovës me gjasë ka ecur mjaft. Para zyrtarëve të BE-së Vuçiq dhe Thaçi me vite janë sjellë sikur po negociojnë për «normalizimin e marrëdhënieve» mes «Beogradit dhe Prishtinës». Në prapaskenë ata me gjasë prej vitesh janë duke diskutuar për ndarjen e Kosovës. Nuk duhet të zemërohet askush në Kosovë që Hashim Thaçi ka hyrë në pazare «me Aleksandrin» për të ardhmen e Kosovës. Vetë klasa politike e Kosovës, parlamenti, partitë politike me apo pa vetëdije, heshtur apo hapur atij ia kanë dhënë mandatin për të negociuar me Serbinë pa vija te kuqe, pa limite. Tash parlamenti i Kosovës ose duhet të vrapojë pas Thaçit ose ta ndalë Thaçin. Por, ndoshta gjithçka është vonë, sidomos pasi idenë e ndarjes së Kosovës e përkrahu edhe këshilltari për siguri nacionale i Donald Trumpit.
Nën hijen e këtij debati vërtet duket kontribut i madh humoristik i Fatmir Limajt kur thotë se ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh është antikushtetuese. Tash politikanëve të Kosovës, dhe sidomos deputetëve, u ka mbetur të bëjnë sehir dhe të presin se si do t’i mbrojë interesat e Kosovës një kafexhi e pronar hoteli në Prishtinë kur të takohet me John Boltonin, këshilltarin e Trumpit për siguri nacionale. Të dy mund të gjejnë shpejt gjuhë të përbashkët: njëri dikur e ka pasur Kremlinin punëdhënës, tjetri një televizion propagandistik të Kremlinit.
E Ramush Haradinaj? Isa Mustafa? Albin Kurti? Shpend Ahmeti? Fatmir Limaj? Këta të kujtojnë atë ushtarin e Armatës Popullore të Jugosllavisë, të cilin televizioni slloven e pyeste se çfarë po bënte me shokët e tij pranë disa shkurreve pasi Sllovenia kishte shpallur pavarësinë. Ushtari, një boshnjak, u përgjigj me humor gjenial boshnjak: «Ç’të them? Ata (sllovenët) po bëjnë sikur duan të shkëputen, ne (ushtarët e APJ-së) po bëjmë sikur nuk po i lejojmë». Nëse Haradinaj, Mustafa dhe të tjerët vërtet janë kundër ndarjes së Kosovës duhet të veprojnë, nëse janë për ndarje, atëherë le të rreshtohen pas Thaçit. Fundja, LDK e ka zgjedhur president, AAK është e lumtur që falë tij Haradinajt iu plotësua ëndrra të vizitojë St. Moritzin, pardon të bëhet kryeministër.