Partia Demokratike ka zbuluar sot të tjera fakte, dhjetë milionë euro, që e kanë çimentuar miqësinë familjare të kreut të Grupit Socialist, Taulant Ballës, me biznesmenin trafikant droge Edmond Bego. Këto miliona, përveç 1 miliard lekëve për nënstacionin e Librazhdit, janë përfituar nga firma e tij si nënkontraktore në ndërtimin e autostradës Tiranë-Durrës gjatë 3 viteve të fundit.
Ja ç’deklaroi sot deputeti Gent Strazimiri nga selia e PD-së:
T”re vjet më parë si në këtë kohë, i shtrënguar nga presioni ndërkombëtar, Edi Rama u detyrua të nxirrte një nga një kriminelët e tij nga parlamenti. Por kjo ishte vetëm fasada sepse bashkëqeverisja e Ramës me krimin mbetet e pacenuar dhe Shqipëria mbetet parajsë e krimit të organizuar. Kjo qeveri ka vënë Buxhetin e Shtetit në shërbim të trafikantëve të drogës, të vrasësve, të dënuarve për përdhunim.
Dokumenti që PD-ja publikoi dje për tenderin 1 miliardë lekë që miku trafikant droge i Taulant Ballës fitoi në Librazhd dy muaj më parë, është vetëm një nga shumë dokumentat që provojnë sesi taksat e shqiptarëve shkojnë për pasurimin e një grushti kriminelësh të lidhur me pushtetin.
Talant Balla hesht për të fshehur atë që e mendojnë të gjithë se është ky personi i pushtetshëm që i ka siguruar trafikantit të drogës akses në pasuritë e shqiptarëve dhe se ky akses miliona euro është burimi i miqësisë familjare që Balla ka me ish-anëtarin e bandës së Lushnjes, që dikur luante futboll me koka të prera.
1 miliard lekë të dy muajve më parë janë shumë pak në krahasim me paratë e siguara vitet e fundit jo nëpërmjet tenderave publikë, por si nënkontraktues i firmave private që detyrohen nga i pushtetshmi i PS-së t’ia kalojnë paratë, kompanisë së trafikantit të drogës.
Rasti më frangrant është ai i ndërtimit të autostradës së Elbasanit. PD ka vërtetuar se kompania Inerte Expres e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Ballës ka përfituar dhjetë milionë euro, që nga 2015 e deri më sot, nga taksapaguesit shqiptarë.”