Nga Boldnews.al
Qeveria e Edi Ramës dhe maxhoranca e tij socialiste janë tronditur gjatë vitit 2018 nga disa ngjarje kriminale, që lidhen me eksponentë të saj. Megjithatë, falë bllofeve propagandistike dhe, sidomos, kontrollit të plotë qeveritar mbi drejtuesit e strukturave hetimore në Shqipëri, Fatmir Xhafajt dhe Arta Markut, ngjarjet e rënda kanë kaluar në harresë, deri sa ato të fashiten fare.
Shkurt, zbulohen 613 kg kokainë në Durrës
Në muajin Shkurt 2018, policia shqiptare, në bazë të informacionit dhe këmbënguljes së agjencive të huaja ligjzbatuese, sekuestrojnë në portin e Durrësit rreth 618 kg kokainë të pastër, në kamionët me banane të kompanisë “Arbi Garden”. Kjo ngarkesë përbënte edhe sasinë më të madhe të kësaj lënde narkotike në vendin tonë.
Zbulimi i ngarkesës u cilësua arritje nga qeveria. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare e konsideroi një këmbanë alarmi dhe një dëshmi se tashmë Shqipëria është kthyer në rrugë të rëndësishme të trafikut të lëndëve të forta nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.Sipas opozitës, trafiku i këtyre përmasave mund të ndërmerret vetëm me garanci qeveritare.
Pas më shumë se 6 muajsh nga zbulimi i kësaj ngarkese të madhe, në pranga janë vetëm dy shoferë të kamionit ku gjendej malli. Gjithashtu, i arrestuar në Gjermani gjendet edhe pronari i kompanisë “Arbi Garden”, ndërkohë që nuk rezulton të jetë zbuluar askush nga organizatorët, porositësit dhe transportuesit e kokainës. Autoritetet shqiptare hetimore kanë mbetur në vend-numëro.
Policia dhe Prokuroria Shqiptare, me shumë mundësi, janë mjaftuar me arrestimin e pronarit të kompanisë, Arbër Çekaj, për të cilin, ambasadori amerikan në ikje, Donald Lu, nxitoi ta konsideronte “peshk të madh”. Pra, “peshku i madh”, meqë e tha edhe ‘Amerika” është Çekaj, kështu që hetimi nuk ka nevojë të vijojë më tëj për të zbuluar rrjetin dhe lidhjet e mundshme të trafikantëve me zyrtarë policorë apo qeveritarë.
Të gjendur nën presionin e opozitës dhe të opinionit publik, zyrtarë të lartë të maxhorancës luajtën bllofin mediatik. Njeriu që socialistët e kanë votuar si numrin dy të tyre, Taulant Balla, deklaroi pak kohë pas zbulimit të lëndës narkotike se “ekzistonin informacione se pas 613 kg kokainë ishin persona me lidhje me PD dhe shumë shpejt do të zbuloheshin…”. Balla e kreu detyrën e tij, por, deri më tani, nuk është identifikuar asnjë lidhje e kokainës me funksionarë opozitarë. Gjithësesi, bllofi i tij funksionoi, sa për të organizuar militantët mediatikë dhe jo vetëm, për të hedhur mjegullnajën e radhës.
Vëllai i ministrit Xhafaj, trafikant
Një investigim mediatik, i realizuar nëpërmjet një audio-përgjimi, zbuloi se Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, jo vetëm që i ishte shmangur një dënimi për trafik narkotikësh në Itali, por rezultonte se ai vijonte këtë veprimtari kriminale në qytetin e Vlorës.
Ky investigim e tronditi rëndë qeverinë e Edi Ramës, e cila kundërsulmoi në të gjitha mënyrat për të shuar skandalin. Geron Xhafaj u dërgua me urgjencë në Itali, për të vuajtur dënimin që e kishte “harruar” ta kryente. Ndërkohë, u deklarua, të paktën zyrtarisht, se Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin për të zbuluar nëse ishin të vërteta akuzat që ai drejtonte një rrjet trafiku narkotikësh nga Vlora drejt Italisë.
Fatmir Xhafaj mohoi që vëllai i tij të vijonte të kryente trafik, ndërkohë që justifikoi veten, duke thënë që nuk mund të mbante përgjegjësi për veprimet që ka kryer vëllai i tij në Itali, ku edhe rezultonte i dënuar.
Kryeministri Edi Rama mori vetë rolin e avokatit të Geron Xhafaj. Vetëm një ditë pas publikimit të audio-përgjimit, ai foli me garanci të plotë se “kishte kryer ekspertizën e zërit në një studio prestigjioze ndërkombëtare, nga e cila kishte marrë përgjigjen se zëri në audio nuk ishte ai i vëllait të ministrit”.
Ky ishte një bllof spektakolar mediatik, pasi, deri më tani, Prokuroria ende nuk ka marrë një përgjigje nga agjenci prestigjioze mbi ekspertizën e zërit nëse është vërtetë apo jo i Agron Xhafaj. Nga ana tjetër, prokuroria e drejtuar nga Donika Prela, mikeshë e ngushtë e Arta Markut, nuk ka arritur në asnjë rezultat nga hetimet e nisura prej saj.
Minierat e milionave Toyota Yaris
Në qershor 2018, pas një paralajmërimi të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, policia zbuloi në portin e Durrësit 3.4 milionë euro, në bordin e dy automjeteve Toyota Yaris. Basha, në paralajmërimin e tij për mbërritjen e kësaj sasie parash, akuzoi publikisht krahun e djathtë të Edi Ramës, Taulant Ballën, si “garant i mbërritjes së këtyre parave, për llogari të një grupi të fuqishëm kriminal në Elbasan”.
Taulant Balla humbi për shumë se 48 orë nga skena publike pas zbulimit të parave. Më pas ai doli mediatikisht, duke luajtur sërish me lojën që di më mirë maxhoranca rilindëse kur gjendet zbuluar-bllofin.
Balla, njëlloj si në rastin e 613 kg kokainë, deklaroi se “do të zbulohej shumë shpejt që pas 3.4 milionë eurove qëndronin njerëz me lidhje me PD-në”. Pas më shumë se dy muajsh, prokuroria e Arta Markut dhe policia e Fatmir Xhafaj, të cilët kanë “edhe gurin, edhe arrën” në dorë, nuk kanë zbuluar asnjë lidhje të funksionarëve të Partisë Demokratike me trafikun e parave.
E vetmja “provë” e siguruar nga Balla ishte një foto e vëllait të një prej personave të dyshuar si transportues të parave, me kryetarin e PD, Basha, ku gjendeshin edhe persona të tjerë. Kjo, sipas Ballës, ishte prova se Basha dhe persona pranë tij ishin përfshirë në trafikun e parave. Ai i kërkoi llogari kryetarit të PD-së të shpjegonte se përse vëllai i një prej personave të dyshuar në trafikun e parave gjendej në foto me Bashën.
Është po i njëti Ballë, i cili, në mbrojtje të ministrit Xhafaj, deklaronte se “Fatmiri nuk mund të mbaj përgjegjësi për vëllain”. Ndërkohë që i kërkonte Lulzim Bashës që të jepte llogari për vëllain e një të dyshuari, i cili gjendej në foto, bashkë me shumë persona të tjerë. Ironike, por që i shërbeu Ballës për të luajtur bllofin mediatik dhe për të shmangur prozhektorët e dyshimit mbi vetë atë si “garant të Toyota Yaris”. Edhe për këtë rast, Prokuroria për Krime të Rënda nuk ka asnjë rezultat.