Zbardhet dosja e plotë e Prokurorisë së Vlorës për masakrën me 8 të vrarë në Selenicë, për të cilën akuzohet 24-vjeçari Ritvan Zykaj. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur pasditen e së premtes, kur familja e autorit, xhaxhai, halla dhe kushërinjtë ishin nisur për një drekë familjare në shtëpinë e gjyshit të tij, Kujtim Zykajt.
Teksa shkonin te banesa e Kujtimit, nëna e autorit ka pasur një debat me tone të ashpra me një nga viktimat, Vasilika Zykajn, e cila më pas u vra nga Ritvani, bashkë me të shoqin e dy fëmijët. Në dosje theksohet se, para drekës, Vasilika ka kontaktuar duke i folur me tone të larta shtetases Lindita Zykaj, nëna e autorit, ku ka akuzuar të dy djemtë e kësaj të fundit si autorë të vjedhjes së disa pulave të detit, vjedhje e ndodhur sipas saj në të njëjtën ditë. Por brenda pak minutash situata është qetësuar, pasi nëna dhe xhaxhai i Ritvanit e kanë sqaruar viktimën, se djemtë nuk kishin lidhje me atë ngjarje. Më poshtë dosja e plotë e Prokurorisë së Vlorës, rrethanat e ngjarjes, denoncimi i saj në Polici, arrestimi i autorit dhe provat e administruara.
DOSJA E PLOTË E PROKURORISË SË VLORËS
Në orën 06:30 të datës 11.08.2018, Policia Gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Ritvan Zykaj, i biri i Sadik dhe i Lindita, i datëlindjes 16.06.1994, lindur dhe banues në Selenicë të rrethit Vlorë, me arsim 8- vjeçar, me shtetësi shqiptare, me gjendje familjare beqar, banues në lagjen “Resulaj”, Bashkia Selenicë e rrethit Vlorë, i arrestuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, të parashikuara nga neni 79/dh dhe 278 të Kodit Penal.
Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimeve të bëra nga prokurori, rezultojnë këto rrethana për faktin, për gjendjen e flagrancës dhe rrezikshmërinë e të arrestuarit: Se, më datë 11.08.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e materialit hetimor të referuar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr.1434 për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Nga përmbajtja e materialit referues rezulton se, më datën 11.08.2018, ora 06:30, nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ritvan Zykaj, 24 vjeç. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë për kryerjen e dy veprave penale të përmendura më sipër, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Më datë 10.08.2018, rreth orës 16:45, në lagjen “Resulaj” të Bashkisë Selenicë, shtetasi Ritvan Zykaj ka vrarë me armë zjarri në banesat e tyre shtetasit; Demir Zykaj, i biri i Nuredin dhe i Pashako, i ditëlindjes 1942; Perri Zykaj, e bija e Veli dhe e Bejushes, e datëlindjes 1940; Azem Zykaj, i biri i Demir dhe Perrisë, i datëlindjes 1969; Afërdita Zykaj, e bija e Dajlan dhe e Merushes, e datëlindjes 1971; Besim Zykaj, i biri i Demir dhe i Perrisë, i datëlindjes 1973, Vasilika Zykaj, e bija e Qemal dhe Bukuries, e datëlindjes 1978; Sara Zykaj, e bija e Besim dhe Vasilikës, e datëlindjes 2003 dhe Ledion Zykaj, i biri i Besim dhe Vasilikës, i datëlindjes 2010. Pas kryerjes së krimit, shtetasi Ritvan Zykaj është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit dhe gjatë ndjekjes policore në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, më datë 11.08.2018, rreth orës 04:30, pas negocimit u është dorëzuar forcave të Policisë, ku ka treguar dhe vendin ku kishte fshehur armën e krimit.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 14 gëzhoja të qitura nga armë zjarri e kalibrit 7.62 mm, një predhë, një fishek arme zjarri model 56, e kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, automatik model 56, me numër 14230145, kalibër 7.62 mm, së bashku me 2 krehra automatiku model 56 dhe përkatësisht me 30 dhe 20 fishekë, si dhe një sasi prej 51 fishekësh model 56 të kalibrit 7.62. Në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethanat e hetimit janë pyetur shtetasit: Sadik Zykaj, Lindita Zykaj, Hoveljando Zykaj, Kujtim Zykaj, Bujar Zykaj, Spartak Hoxhaj, Pashako Hoxhaj, Olardio Hoxhaj dhe Fiqiri Serjanaj. Nga deklarimet ka rezultuar se më datë 10.08.2018, familja e shtetasit Bujar Zykaj, Sadik Zykaj dhe Spartak Hoxhaj, kanë organizuar një drekë në banesën e shtetasit Kujtim Zykaj.
Rreth orës 13:30, shtetasi Bujar Zykaj, së bashku me nipin e tij Ritvan Zykaj dhe pas tyre shtetasja Lindita Zykaj, së bashku me vajzën e saj Noçe Zykaj, janë nisur nga banesa e Sadik Zykajt për të shkuar te banesa e Kujtim Zykajt, ku do të zhvillohej dreka. Gjatë rrugës, shtetasja Vasilika Zykaj ka kontaktuar duke i folur me tone të larta me shtetasen Lindita Zykaj, ku ka akuzuar të dy djemtë e kësaj të fundit si autorë të vjedhjes së disa pulave të detit, vjedhje e ndodhur sipas saj në të njëjtën ditë. Në këtë debat ka ndërhyrë për ta qetësuar dhe shtetasi Bujar Zykaj dhe së bashku me Linditën dhe Vasilikën kanë shkuar te shtëpia e kësaj të fundit për të sqaruar mosmarrëveshjen nisur nga lidhja farefisnore që kanë midis tyre. Këtu Ritvani, së bashku me motrën e tij kanë vazhduar rrugën për te shtëpia e Kujtimit. Shtetasit Bujar Zykaj dhe Lindita Zykaj, pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht. Pas kësaj, Bujari dhe Lindita kanë shkuar te shtëpia e Kujtimit, ku do të zhvillohej dreka.
Gjatë drekimit familjarisht, ku vetë Ritvani është shprehur dhe është ankuar se shtetasja Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me të padrejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Ritvani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit. Familjarët që mbetën pasi mbaruan drekën kanë dalë në verandën e banesës, duke qëndruar aty dhe në këtë moment kanë dëgjuar disa krisma arme zjarri, të cilat vinin nga drejtimi ku ndodhet dhe banesa e shtetasit Sadik Zykaj, por nga vendi ku ndodheshin nuk mund të saktësohej vendi se ku po gjuhej me armë. Pasi krismat kanë pushuar, shtetasit Sadik dhe Lindita Zykaj janë larguar nga banesa e Kujtimit për në banesën e tyre.
Pak minuta pas largimit të tyre, shtetasit Olardio Hoxhaj, në telefonin e tij celular, në aplikacionin Mesenxher, i ka ardhur një video e dërguar nga shtetasi Ritvan Zykaaj, në të cilën shfaqeshin dy persona të shtrirë në tokë, në oborrin e banesës së shtetasit Demir Zykaj. Këtë video Olardio ia tregoi dajës së tij Bujar Zykaj dhe babait të tij, Spartakut, të cilët pasi e panë këtë video, shtetasi Spartak Hoxhaj i ka thënë djalit ta fshinte pasi pamjet ishin të rënda. Spartaku me familjen e tij është nisur me automjetin e tij për të shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Panaja dhe gjatë rrugës nusja e Spartakut ka komunikuar në telefon me Sadikun, i cili në gjendje të rënduar psikologjike i ka pohuar asaj se djali i tij Ritvani kishte vrarë me armë zjarri shtetasit Azem dhe Afërdita Zykaj.
Komunikim telefonik ka pasur edhe midis Sadik Zykajt dhe Bujar Zykajt, ku sërish Sadiku i ka pohuar të njëjtat fakte atij. Në të njëjtën kohë, Sadik Zykaj ka komunikuar në telefon dhe me Policinë, të cilën e ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur.
I pyetur nga prokurori në prani të mbrojtësit të caktuar, i arrestuari Ritvan Zykaj e ka pranuar faktin penal dhe ka shpjeguar mekanizmin e ngjarjes. Nga shpjegimet e dhëna përpara prokurorit, rezulton se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta, duke marrë jetën e shumë personave.
Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës në ngarkim të shtetasit Ritvan Zykaj, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”. Për sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar se ndodhemi përpara figurës së veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”.
A. Gjendja e flagrancës dhe kushtet e arrestit Në nenin 252 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se: Është në gjendje flagrance ai që është kapur në kryerje e sipër të veprës penale ose ai që menjëherë pas kryerjes së veprës penale ndiqet nga Policia Gjyqësore, nga personi i dëmtuar ose persona të tjerë, ose që është kapur me sende dhe prova materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale. Neni 251/2 i K.Pr.Penale, në të cilën thuhet: Oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer apo të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënim me burgim jo më të ulët, në maksimumin 2 vjet.
Në rastin konkret, personi nën hetim është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ritvan Sadik Zykaj ka konsumuar këto vepra penale, pasi nga veprimet e tij të kundërligjshme ai ka vrarë tetë persona, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Po kështu, ai është kapur me sendet provë materiale e më konkretisht me armën e zjarrit model 56, kalibër 7.62 mm, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sende me anën e të cilave ka kryer veprën penale. Nuk ekziston ndonjë shkak, ku të rezultojë se veprimi të jetë kryer gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të ndonjë të drejte të ligjshme ose ekzistencën e ndonjë shkaku pabesueshmërie. Përfundimisht, i kërkojmë gjykatës të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim.
B. Në lidhje me kushtet për caktimin e masës së sigurimit dhe faktorët që mbahen parasysh. Nga shqyrtimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori rezulton se, arrestimi në flagrancë i personit nën hetim, i kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore është i ligjshëm, pasi është kryer në përputhje me nenet 251 e vijues të K.Pr.Penale.
1. Vepra penale, për të cilën dyshohet shtetasi është “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”. Sanksioni për këtë vepër penale është jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm (Neni79/dh K.P.) dhe me burgim nga tre deri në 7 vjet burgim (Neni 278 K.P.). Për këtë arsye, arrestimi i të dyshuarit është bërë në përputhje me kërkesat e nenit 251/2 i Kodit të Procedurës Penale.
2. I arrestuari është arrestuar në gjendje flagrance, pasi është kapur nga agjenti i Policisë Gjyqësore menjëherë në kryerjen e sipërme të veprës penale. Për sa më lart, arrestimi i të dyshuarit është bërë konform nenit 252 të K.Pr.Penale.
Përveç sa më sipër çmojmë se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personit nën hetim të caktohet masa sigurimi me karakter shtrëngues.
1. Konkretisht, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, të cilat në unitetin e tyre krijojnë dyshimet se veprat penale kanë ndodhur dhe se janë kryer nga personi i arrestuar. Me dyshim të arsyeshëm do të kuptojmë që heqja apo kufizimi i lirisë personale të personit do të bëhet në rast se ka baza të forta për arrestimin e tij. Kusht i rëndësishëm është dyshimi i arsyeshëm, sipas të cilit askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova.
2. Nuk ka shkaqe pandëshkueshmërie ose të shuarjes së veprës penale, pasi i arrestuari e ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm para ligjit për veprimet e kryera, si dhe vepra penale nuk është parashkruar apo shuar në ndonjë mënyrë tjetër.
3. Ekziston rreziku që personi nën hetim të kryejë vepër tjetër penale të njëjtë me atë që dyshohet apo më të rëndë. Në rastin konkret, ekziston rreziku real që personi nën hetim të kryejë përsëri të njëjtën vepër penale si ajo që dyshohet apo një vepër penale edhe më të rëndë se ajo që dyshohet.
4. Në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet, mbajmë parasysh propocionalitetin dhe përshtatshmërinë specifike të nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit.
5. Në caktimin e masës së sigurimit duhet të kihet parasysh raporti me rëndësinë e faktit dhe me saksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Të dhënat dhe deklarimet e sipërcituara që i bashkëngjiten kësaj kërkese, mbështesin ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se ky shtetas është autor i veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtjes pa leje e armëve luftarake e municionit”.
Të gjitha këto rrethana e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit, caktimin ndaj shtetasit Ritvan Zykaj të masës së sigurimit “arrest me burg”, që parashikohet nga neni 238 i K.Pr.Penale. Kjo masë është në përputhje me nevojat e sigurimit, rëndësinë e faktit të kryer nga i arrestuari, pasojën e ardhur dhe me sanksionin që parashikohet për këtë vepër penale.
Për këto arsye, bazuar në nenet, 228, 229, 230, 238, 244, 258 dje 259 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë:
1. Të vlerësohet i ligjshëm arrestimi në flagrancë i shtetasit Ritvan Zykaj, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”.
2. Të caktohet masa e sigurimit “arrest me burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin Ritvan Zykaj, i biri i Sadik dhe Lindita, i datëlindjes 16.06.1994, lindur dhe banues në Selenicë të rrethit Vlorë, me arsim 8-vjeçar, me shtetësi shqiptare, me gjendje familjare beqar, banues në lagjen “Resulaj”, Bashkua Selenicë e rrethit Vlorë.