Në historinë e saj të gjatë, Fortesa mesjetare Bregancon ka shërbyer si një kështjellë për të zmbrapsur piratët plaçkitës e barbarë nga Afrika e Veriut, që shqetësonin ujërat e Mesdheut.
Më vonë gjatë Revolucionit francez, Napoleon Bonaparti e admironte aq shumë pozicionin e saj strategjik, sa që instaloi atje 23 topa pasi mori Toulonin fqinj nga monarkistët. Ajo mbeti një fortesë ushtarake deri pak pas Luftës së Parë Botërore, ku ishte vendosur edhe një garnizon i vogël ushtarakësh.
Tashmë, ndërtesa imponuese është sërish një fortesë, por këtë herë e Bashkimit Europian nën maskën e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili do të takohet aty me Theresa Mayn gjatë së premtes. Është një vizitë e rallë e një kryeministreje britanike në këtë vend piktoresk, një version më imponues veror, nën rrezet e diellit, sesa “Chequers”.
Gjatë takimit informal në këtë fortesë, e cila shërben si rezidencë private e presidentëve francezë që prej vitit 1968, May do të përpiqet t’i shpjegojë avantazhet e marrëveshjes kontroverse “Chequers” Macronit. Se kush do të dalë fitues nga ky takim, mbetet ende për t’u parë.
Por, ajo që ofron media britanike është një ide se çfarë mund të presë May të shohë kur të mbërrijë atje. “Daily Mail” kujton gjithashtu se May i ka ndërprerë para kohe pushimet, pikërisht për këtë takim.
Fortesa Bregancon vendoset në një kulm shkëmbor, rreth 35 metra mbi nivelin e detit, që të ofron pamje të mrekullueshme mbi ujërat e kaltër e nuanca të gjelbra të Mesdheut.
I aksesueshëm përmes një shtegu të ngushtë nga një prej pjesëve më të bukura e të paprekura të Rivierës franceze, apo me helikopter për ata që kanë mundësi, ajo fshihet nga sytë e publikut për shkak të mureve të larta, pishave, dhe plantacioneve me “boungainvillea” dhe mimoza. Ajo ka gjithashtu edhe plazhin e vet, edhe pse – siç është provuar nga e kaluara, – nuk ruhet edhe aq mirë nga sytë apo apartet fotografike të paparacëve.
Edhe pse Macron duket se e pëlqen tej mase atë, fortesa nuk ka qenë aq shumë e vlerësuar nga 7 presidentët e mëparshëm të Francës, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë rezidencë verore presidenciale më parë, që nga gjenerali Charles de Gaulle, e deri te Francois Hollande. Ajo ka qenë pronë shtetërore që prej Revolucionit francez, por ishte pikërisht presidenti De Gaulle që propozoi ta kthente në rezidencë zyrtare.
Gjithsesi, nata e parë e De Gaulle atje, në vitin 1964, ka mbetur e paharrueshme vetëm për arsye të gabuara. Qëndrimi i tij atje u rregullua me ngut që të koinçidonte me pjesëmarrjen e tij në 20-vjetorin e zbarkimit të aleatëve në Provence, por shtrati i vogël dhe një ushtri mushkonjash thuhet se ia bënë të parehatshëm gjumin. Kjo do ta frymëzonte atë që ta rinovonte fortesën. George Pompidou dhe bashkëshortja e tij qëndruan disa raste aty, sikurse bëri edhe pasardhësi i tij, Valery Giscard d’Estaing.
Presidenti Francois Mitterrand priti Kancelarin e asaj kohe gjerman, Helmut Kohl në fortesën Bregancon, në gusht të vitit 1985. Jacques Chirac dhe bashkëshortja Bernadette e vizituan shpesh gjatë presidencës së tij nga viti 1995 deri në 2007-n, duke u takuar vazhdimisht me banorë lokalë dhe ata të fshatrave fqinje.
Nicolas Sarkozy, president nga viti 2007 deri në 2012-n, e shfrytëzonte për vrapim dhe çiklizëm atë. Por, pasi u martua me supermodelen e kthyer në këngëtare, Carla Bruni, gjatë kohës që ishte kryetar shteti, ata u fotografuan atje duke shijuar plazhin së bashku.
Ishte pikërisht koha e qëndrimit në Fort Bregancon, në vitin 2011, kur Carla Bruni u pa për herë të parë me barkun e fryrë nga shtatzënia, pavarësisht se nuk e kishte konfirmuar pritjen e fëmijës së tretë të çiftit.
Por, Francois Hollande, paraardhësi i Macronit, zgjodhi të mos e frekuentonte më fortesën, pasi ai dhe ish-e dashura e tij, Valerie Trierweiler, u fotografuan me rroba plazhi. Valerie paditi me sukses mediet franceze për shkelje të privatësisë së saj. Ndërsa ish-presidenti socialist Hollande vendosi në vitin 2014 që t’ia besonte menaxhimin e fortesës Qendrës Kombëtare franceze të Monumenteve, e ta hapte për publikun atë gjatë verës.
Që prej atëherë, Pallati “Elysee” ka marrë sërish menaxhimin e drejtpërdrejtë të fortesës, që sipas presidencës thueht se shërben “për mikpritjen e presidentit për pushime, për takime zyrtare dhe për samite të vogla diplomatike”.
Fortesa është ende e hapur për publikun në ditë të caktuara, për t’u vizituar përmes guidave turistike me një çmim prej 9 paund (pak më shumë se 10 euro) për person. Rezidenca presidenciale pushtoi titujt e medieve së fundi, kur Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte kërkuan të ndërtohej një pishinë, në mënyrë që të shmangnin fotografitë e paparacëve në plazhin privat të fortesës.