Gjykata e Shkodrës ka liruar tre nga 9 personat të cilët u arrestuan dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Garantuesi”, të cilët trafikonin persona drejt Anglisë dhe SHBA kundrejt shumave që shkonin deri në 12 mijë euro. Ndërsa për 6 prej të arrestuarve gjykata ka dhënë masën arrest me burg.
1- Bledjan Ramadani, 29 vjeç në rolin e ndihmësit lihet në arrest shtëpie
2- Eduart Shima, 37 vjeç në rolin e rekrutuesit lihet në arrest shtëpie
3-Tonin Shtjefni me detyrim paraqitje
Arrest me burg
1-Gazmend Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër,. Ky shtetas ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.
2-Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.
3- Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në rolin e bashkëpunëtorit.
4-Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).
5-Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e transportuesit dhe ndihmësit.
6- Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.
Rolin e organizatorit të grupit e kishte Gazmend Garupi, Sotiraq Antoni ishte në rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri. Të tjerët ishin në rolin e ndihmësit, rekrutuesit, apo transportuesit
Si bëhej? – Pasi siguronin personat që pranonin të largoheshin drejt SHBA-se dhe Anglisë kundrejt shumës në fjalë, siguronin pajisjen e tyre me dokumente të falsifikuara në vendet e origjinës shtete të BE-së apo martesa fiktive me shtetas (e) bullgare. Personave të interesuar u garantohej dhe shoqërimi deri në destinacionin final kundrejt pagesës.
“Ndihma e ofruar konsistonte ne falsifikimin e dokumenteve në vendet e origjinës shtete të BE-së, ku këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, mundësonin gjetjen e personave dhe më pas, pajisjen e tyre me dokumente te falsifikuara (karta identiteti italiane dhe greke, viza, leje drejtimi, karta studenti etj.) dhe nga përdorimi i tyre mundësohej kalimi për në Angli dhe SHBA.
Po kështu këta shtetas u ofronin personave të interesuar, kundrejt pagesës, shoqërimin e tyre deri në destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë nëpër zyra të ndryshme të Gjendjes civile të Shqipërisë”
Kush ishte itenerari? – Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali, – Maltë – Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri – Kosovë – Kroaci – Itali – Maltë – Angli – Sh.B.A.
Ndërsa janë shpallur në kërkim: K.P.,46 vjeç, banues në Lezhë, në rolin e ndihmësit pasi ndërmjetësonte martesat fiktive me shtetase bullgare.
Y.Th. 36 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, i shpallur në kërkim për “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”, dhe “Prodhim e shitje narkotikësh. Ky person kishte rolin e ndihmësit.
Sekuestrohet dhe laboratori
U sekuestrua gjithashtu një laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve si dhe prova të shumta materiale të kësaj skeme trafiku.
Në laborator u gjetën 3 njësi kompjuteri, 2 laptopë, 5 skanera, 5 printera, 3 printer-skaner, 5 vula të ndryshme, 14 usb, 17 tampona vulash, 1 pasaportë biometrike, 1 kartë identiteti, 10 platforma me strukturë plastike, 2 karta identiteti të huaja, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, 9 copë telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu.
Hetimet
Shtetasit e arrestuar dyshohen se kane konsumuar element te veprave penale të disa neneve të Kodit Penal si : “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”; “Prodhim i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”; “Falsifikim i vulave dhe stampave ose formularëve”; “Falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave ose vizave”; “Falsifikim i dokumenteve shkollorë”; “Prodhim e shitje narkotikësh”.