Në zonën e djegur nga zjarret në Greqi është një situatë e përzier mes zisë dhe zemërimit, ku viktimat e zjarreve më vdekjeprurëse po fajësojnë shtetin që u tregua i paaftë për të menaxhuar tragjedinë.
Ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, vizitoi fshatin Mati të enjten pasi autoritetet njoftuan se numri i të vdekurve ishte rritur në 85 vetë. Mati, fshati bregdetar pothuajse tërësisht i zhdukur nga zjarri, ka edhe numrin më të madh të viktimave.
Banorët, të cilët kishin humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre, e rrethuan ministrin duke i bërtitur të përlotur: “Na latë të digjeshim. Na keni lënë në mëshirën e Perëndisë”.
Kammenos, i cili kryeson “Grekët e Pavarur”, partnerin e vogël të koalicionit qeveritar të udhëhequr nga majtistët, ishte zyrtari i parë i rangut të lartë që vizitoi Matin, katër ditë pas zjarreve të përhapura nga erërat me shpejtësi 124 km/h. Mungesa e pranisë së zyrtarëve në një komunitet aq të shkatërruar e shtoi zemërimin.
Janë 85 të vdekur, 187 të plagosur, nga të cilët 11 që po luftojnë me vdekjen, si dhe dhjetëra të zhdukur, të cilët nuk ka shumë shanse të gjenden gjallë. Zjarret përshkruhen si më të këqijat që kanë goditur kontinentin që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas “Guardian”, asnjë vend tjetër, me përjashtim të Australisë, nuk ka pësuar një humbje të tillë jetësh apo sasi shkatërrimi si pasojë e zjarreve në këtë shekull. Mungesa e gatishmërisë së qeverisë për t’u marrë me një katastrofë të një shkalle të tillë është kritikuar shumë.
Të mërkurën, administrata e Alexis Tsipras njoftoi se do ndihmë për të lehtësuar situatën, por zemërimi publik nuk u zhduk. Kryebashkiakë lokalë kanë rritur ankesat për plane joadekuate të evakuimit. Banorët janë ankuar për bllokimet vdekjeprurëse të trafikut, kur shoferët e keqdrejtuar u gjendën në rrugët e shpëtimit të ndërprera nga autoritetet. Të bllokuar mes zjarrit shumë prej tyre u dogjën në makina.
“Pse e keni izoluar Maratonën?”, bërtiti një grua duke qarë para Kammenos. Ajo i referohej rrugës kryesore që të çon nga Mati në Athinë. Por shefat e zjarrfikësve thanë se njerëzit në Mati dhe në Rafina kishin vetëm 20 minuta kohë për të shpëtuar nga ferri.
Por shefi i zjarrit, Dimitris Stathopoulos, kreu i Bashkimit të Punonjësve të Zjarrfikësve, tha se banorët e Matit do të kishin vetëm 20 minuta për të ikur në zonë të sigurt.
“As 1000 aeroplanë nuk do të ndihmonin në parandalimin e kësaj katastrofe”, tha Dimitris Stathopoulos.
“Në atë orë të mallkuar, zjarri u bë si një pishtar goditës që synonte vendbanimet”, shtoi ai.
Zjarret ishin një dukuri e zakonshme në muajt e verës, por në të kaluarën era frynte nga deti në drejtim të maleve dhe e mbante Matin të sigurt nga dëmtimi. Por të hënën pasdite ajo ndryshoi drejtimin dhe flakët shkuan drejt fshatit.