Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është efektivisht e mbyllur, për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1992, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në veting dhe vetëm dy kanë mbijetuar.
Por mbyllja e përkohshme e kësaj gjykate mund të jetë vetëm një pjesë e problemit pasi mënyra e emërimit të anëtarëve të rinj sipas kushtetutës së re dhe fakti që kaq shumë vakanca do të duhet të plotësohen njëherësh krijon shqetësime për funksionimin normal të saj për së paku disa vite. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë, e cila, sipas Kushtetutës duhet të furnizojë tre anëtarë në Gjykatë Kushtetuese, mund mbesë me më pak se tre anëtarë në fund të procesit të vetingut.
Sistemi i drejtësisë sipas kushtetutës së re është krijuar me një numër mekanizmash ndërvarësie, por periudha e tranzicionit nga sistemi i vjetër deri në sistemin e ri po rezulton i vështirë për shkak të vakancave të krijuara në të gjithë strukturën nga procesi i vetingut dhe dorëheqjet.
Gjykata Kushtetuese është një nga shumë gjykatat që janë jashtë funksioni ose pjesërisht jashtë funksioni në Shqipëri. Gjykata të ndryshme rrethesh kanë prej vitesh funksionalitet të pjesshëm, pasi me raste kanë vetëm dy gjyqtarë ndërsa u nevojiten tre për të krijuar trupë gjykuese në çështje të rëndësishme. Por ndryshe nga gjykatat e tjera, Gjykata Kushtetuese u shpërbë në masën dërrmuese nga procesi i vetingut dhe nga dorëheqjet dhe tërheqjet nga posti i gjyqtarëve të lidhura me procesin e vetingut.
Gjykata Kushtetuese kishte nëntë anëtarë në vitin 2015, kohë kur ishte në funksion të plotë. Por në prill të vitit 2016, gjyqtarit Vladimir Kristo i mbaroi mandati. Sipas kushtetutës, Kristo duhej të vijonte të mbante detyrën në pritje të zëvendësimit, por në korrik të vitit 2017, Kristo njoftoi se nuk dëshironte më të vijonte punën dhe u tërhoq. [Link] Tërheqja nga vijimi i punës pas përfundimit të mandatit e shpëtoi Kriston nga procesi i vetingut, por ndërkohë la efektivisht bosh një pozicion që për mbi një vit nuk ishte plotësuar.
Në të njëjtën kohë, anëtari Sokol Berberi vendosi të tërhiqej nga pozicioni pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Largimi i Berberit e uli në shtatë numrin e anëtarëve efektivë të Gjykatës Kushtetuese. [Link]
Besnik Imeraj, i cili ishte emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2013, dha dorëheqjen në janar të këtij viti “për arsye personale dhe shëndetësore”. Imeraj i shpëtoi procesit të vetingut, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e referoi atë në prokurori. Rezultati i referimit nuk dihet.
Dorëheqja e Imerajt e uli numrin e gjyqtarëve kushtetues në gjashtë.
Fatos Lulo ishte anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtari i parë që iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri të shumta me burime të pajustifikuara. Lulo zgjodhi të mos paraqitej vetë në komision por dërgoi një avokat. Ai e apeloi vendimin e komisionit ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzoi kërkesën e tij më 17 qershor.
Më 23 prill, Altina Xhoxhaj u ngel në veting për mospërputhje deklarimesh, mosjustifikim pasurie dhe mungesë të ardhurash. Xhoxhaj është në pritje të apelit në Kolegj.
Më 10 maj vetingu rrëzoi Fatmir Hoxhën, duke e lënë Gjykatën Kushtetuese me tre anëtarë ndërsa në korrik, Gani Dizdari, i fundit që iu nënshtrua vetingut, u shpall gjithashtu i papërshtatshëm.
Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por në seancën dëgjimore u ngritën pikëpyetje të mëdha mbi burimet e krijimit të pasurisë së tij. Vendimi i zbardhur i komisionit zbuloi se komisionerët ishin të ndarë në opinionin e tyre nëse Dedja do të duhej të provonte me dokumente se persona të lidhur me të kishin të ardhura të ligjshme për t’i dhënë atij hua për blerjen e një apartamenti me vlerë 180 mijë euro.
Historia e Dedes duket se nuk mbaron këtu. Javën e kaluar, Institucioni i Komisionerëve Publikë bëri një deklaratë për shtyp ku shkruhej se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka rekomanduar apelimin e vendimit për konfirmim në detyrë të tij. Komisionerët publikë kanë afat deri në fund të kësaj jave për të vendosur apelimin apo jo.
Vetëm një nga nëntë anëtarët fillestarë të gjykatës Kushtetuese, gjyqtarja Vitore Tusha, e cila u konfirmua në 5 prill, është tashmë e konfirmuar në detyrë dhe vendimi nuk është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Zëvendësim i vështirë
Kushtetuta sanksionon që vakancat në Gjykatë Kushtetuese të zëvendësohen me emërime të kryera nga tre institucione të tjera, me kushtin që rënditja fillestare e listës së aplikantëve të bëhet nga një institucion i katërt i quajtur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Këshilli, i cili u krijua më 19 mars 2013, përbëhet nga një përzgjedhje me anëtarë nga gjykata të ndryshme dhe anëtarët përcaktohen me short të hedhur nga Presidenti i Republikës. Problemi është se nga lista e anëtarëve të parë të KED [link] disa kanë rënë, ndërsa disa të tjerë presin vetingun. Mbetet e paqartë se si KED do të arrijë të rëndisë kandidatët për vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, funksion që duhet ta kryejë para se Presidenti dhe Parlamenti të kryejnë emërimet përkatëse.
Por problemi më i madh lidhet me tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që duhet të zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë në fillim të vetingut por ka mbetur aktualisht me gjashtë anëtarë, nga të cilët, tre janë konfirmuar në shkallën e parë të vetingut ndërsa tre të tjerë janë në pritje. Nga tre të konfirmuarit, njëri, Xhezair Zaganjori nuk mund të zgjidhet në Gjykatë Kushtetuese pasi ka qenë më parë në këtë institucion ndërsa tjetri, Edmond Islamaj, pret apelin e vetingut. Edhe në rast se tre të mbeturit kalojnë vetingun, sërish Gjykatës së Lartë do t’i duhet të plotësojë tre vakanca në kushtetuese ndërkohë që njëri prej tyre duhet të jetë anëtar dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe si i tillë, nuk dihet nëse do të mund të kandidojë veten për anëtar të Gjykatës së Kushtetuese.
Mosfunksionimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese është konsideruar sakaq si një problem i rëndë nga opozita politike por edhe nga ekspertë të ndryshëm. Pavarësisht se shumica e anëtarëve të kësaj gjykate u rrëzuan në veting ose u tërhoqën para vetingut, kjo gjykatë i është përgjigjur një numri të lartë kërkesash për antikushtetutshmëri ligjesh ose vendimesh qeverie ndërsa së paku një ligj aktual i parlamentit, ai për teatrin kombëtar, ka ngritur pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë.
Por mosfunksionimi i përkohshëm është njëra anë e problemit. Ana tjetër është rreziku i vonesave të gjata të zëvendësimit të të gjithë anëtarëve që mungojnë si dhe faktin që kushtetuta e vitit 2016 nuk është krijuar me supozimin që shumica dërrmuese e gjyqtarëve kushtetues do të iknin apo rrëzoheshin.
Kushtetuta aktuale sanksionon që radhët e gjykatës Kushtetuese të rifreskohen një herë në tre vjet me nga 3 anëtarë, me synimin e krijimit të vijimësisë dhe larmishmërisë. Sipas kushtetutës, tre anëtarë do të duhet të emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Që të gjithë duhet të vijnë nga një përzjedhje paraprake e kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Problemi është që një pjesë e funksionarëve të KED nuk i janë nënshtruar akoma procesit të vetingut.
Por përveç faktit që funksionimi i KED nuk është i sigurt, problemi tjetër lidhet me Gjykatën e Lartë, e cila duhet të furnizojë tre anëtarë të kushtetueses, por ka pësuar humbje të mëdha nga dorëheqjet, tërheqjet pas mbarimit të mandatit dhe vetingut. Gjykata e Lartë ka aktualisht gjashtë anëtarë efektivë, nga të cilët tre janë konfirmuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndërsa tre të tjerë presin vetingun. Nga tre të konfirmuarit, njëri ka qenë sakaq në Gjykatë Kushtetuese ndërsa një tjetër e ka vendimin e konfirmimit në apel.
Njëri nga gjyqtarët, Ardian Dvorani është sulmuar nga Partia Demokratike si person i kryeministrit Edi Rama. Kryetari i PD Lulzim Basha protestoi pak ditë më parë duke argumentuar se Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë “pritet të dërgohet në kushtetuese nga Edi Rama”. Në fakt Dvorani mund të jetë nga të vetmit të mbetur në Gjykatë të Lartë për të plotësuar vakancat në Gjykatë Kushtetuese.
Sipas Kushtetutës, anëtarët e rinj të gjykatës do të duhet të marrin mandatin e mbetur të gjyqtarit që ka lënë pozicionin vakant. Kjo do të thotë se pesë nga nëntë anëtarët e ardhshëm do të kenë mandate të pjesshme. Procesi i zgjedhjes së tyre pret në çdo rast krijimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ndërsa vetë KED pret të shohë nëse mes radhëve të saj do të ketë apo jo të mbijetuar të mjaftueshëm nga vetingu për të plotësuar radhët.
Marrë nga BIRN