Ajo është një ndër deputetet më të reja që hynë para një viti në karriget e deputetëve. Izmira Ulqinaku, deputetja e PD-së nga Shkodra në një intervistë ekskluzive ka folur për përzgjedhjet e saj në rrugën e politikës dhe jo vetëm. Se si vendosi të jetë një 18-vjeçare në radhët e PD-së, si dhe projektet që ajo aspiron të sjellë në jetë falë rolit që ka në Kuvend.
Jeni një ndër femrat në moshë shumë të re, të spikatura në fushën politike. Si lindi dëshira për të zgjedhur këtë orientim politik?
Përfshirja në politikë më kujton thënien e një kleriku të njohur: “Pak kush vjen me këmbët e veta për herë të parë në kishë”. Me këtë dua të them se përfshirja në politikë nuk ka qenë një dëshirë e imja e çastit, apo një rastisje ose tërheqje e momentit. Me politikën jam rritur. Rrethi im familjar dhe ai shoqëror kanë qenë vazhdimisht të angazhuar politikisht, kanë qenë protagonistë, madje, për fat të keq, edhe viktima të ngjarjeve që kanë ndikuar politikisht edhe në ndryshimet politike të vendit.
Mjafton të kujtojmë ngjarjen e dhimbshme të 2 prillit 1991. Në fakt, disa vite më përpara, të ardhmen time e shihja vetëm tek arkitektura, ajo ishte dhe mbetet pasioni im, por angazhimi politik është diçka tjetër. Përgjegjësi dhe përfaqësim. Të përfaqësosh Shkodrën dhe të mbrosh interesat e këtij qyteti, tejkalon pasionin.
Në moshën 18-vjeçare ju iu bashkuat PD-së. Pse pikërisht PD dhe jo një partie tjetër? Cila ka qenë shtysa juaj?
Unë kam lindur së bashku me Partinë Demokratike. Është e vërtetë se PD lindi nga lëvizja e studentëve të Dhjetorit 1990, por djep i saj dhe qyteti që e ka përjetuar si një prej fitoreve më të mëdha të tij ka qenë Shkodra. Dua të them që për një shkodrane si unë, rritur në qytetin me vokacionin më antikomunist dhe më perëndimor, nuk mund të kishte zgjidhje tjetër përveçse PD. Mos ma merrni vetëm për politikë, por kjo është bindja ime se PD është e vetmja alternative e duhur që mund të zgjedh çdo i ri që dëshiron të jetojë i lirë në vendin e vet. Realisht, për mua nuk ka sens që një i lindur pas viteve ’90, të përfshihet në parti politike të krijuara për të shtypur klasa të caktuara sociale. Dua ta theksoj sërish që unë vij nga një familje antikomuniste dhe që vuajti sistemin monist nga ’45-’90, të persekutuar nga Partia e Punës për 45 vjet, por edhe të vrarë po nga kjo parti, por me emrin e ndryshuar tashmë, Partia Socialiste, më 2 prill 1991. Thuhet se ne jemi një shoqëri me kujtesë të shkurtër historike, por unë dhe bashkëqytetarët e mi nuk mund t’i harrojmë lehtë shumë gjëra, aq më tepër që prej pesë vitesh nuk po na lë as vetë kryeministri Rama me diskriminimin e vazhdueshëm politik dhe ekonomik që po i bën këtij qyteti.
Jashtë fushës politike, si është Izmira? Me çfarë ju pëlqen të merreni në kohën e lirë?
Nuk besoj se jam ndryshe në politikë dhe ndryshe jashtë saj. Dhe nuk do të doja të isha. Aktualisht kam shumë pak kohë të lirë, pasi angazhimi politik më merr të shumtën e kohës. Por mundohem që pothuaj çdo ditë të gjej pak hapësirë për të lexuar, pasi leximi është ndër pasionet e mia, bashkë me pikturën. Por për pikturën duhet kohë dhe kushte, të cilat angazhimi politik m’i ka kushtëzuar shumë.
Cilat janë pasionet tuaja përveçse politika?
Pasionet e mia vazhdojnë të mbesin piktura dhe arkitektura. Piktura me nxit të hulumtoj dhe të gjej veten. Ndërsa arkitektura është për mua art dhe filozofi. Ndihem me fat që ndoqa ëndrrën time dhe studiova për arkitekturë, kjo e fundit po më ndihmon që ta shoh edhe politikën me një sy tjetër.
Partneri juaj ka të njëjtin orientim politik me ju? Nëse do të ishte ndryshe do ta pranonit apo..?
Po kemi të njëjtat bindje politike dhe besoj se është një ndër pikat që na ka bashkuar. Po të ishte ndryshe do të bëja të pamundurën që ta ktheja me PD. Përtej humorit, përveç vlerave të vërteta njerëzore, besoj se dhe bindja politike luan rol.
Nëse s’do të kishit zgjedhur të ishit deputete apo edhe politikën, çfarë do të kishte zgjedhur të bënte Izmira si profesion në jetë përveçse arkitekturës? Pse nuk e zgjodhët këtë të fundit duke qenë se ka qenë një ndër pasionet tuaja të hershme?
Arkitektura ka qenë një pasion i imi i hershëm, të cilin nuk e ndaj nga politika. Politikën e zgjodha si dëshirë për të kontribuar në ndryshimin për mirë të jetesës së shqiptarëve, ndërsa arkitektura kontribuon më shpejt dhe më direkt në mirëqenien e jetesës të secilit. Janë dy drejtëza, të cilat i bashkon mirëqenia e individit. Nuk e di dhe nuk e imagjinoj veten se mund të bëj një profesion tjetër. Prandaj parapëlqej të them se profesioni im është arkitektura dhe angazhimi im është politika.
Duke qenë se ju keni studiuar për arkitekturë, çfarë do të donit të ndryshonit në arkitekturën e Shkodrës? Cilat janë pikat që do të donit të përmirësonit apo edhe t’i hiqnit duke i zëvendësuar me të tjera?
Shkodra është një ndër qytetet më të bukura për sa i përket arkitekturës dhe urbanistikës. Mund të jetë ndër qytetet e rralla që ka një larmi modelesh arkitektonike që dëshmojnë jo vetëm kontakte të ndryshme kulturore, por edhe dëshmi të një shijeje plot finesë edhe në ndërtim. Ka plot banesa karakteristike, monument kulture, të cilat duhen ruajtur dhe të cilat kanë nevoje urgjente për restaurim. Prandaj, së pari, do të doja më shumë fonde për ruajtjen e këtyre monumenteve. Nga degradimi që po pësojmë po humbasim një pjesë të mirë të atyre ndërtesave që përbëjnë identitetin e qytetit. Nga ana urbanistike ka vend për përmirësim. Kryesorja që do të ndryshoja është hyrja e qytetit. I gjithë trafiku i qytetit është i varur nga Ura e Bahçallëkut, ku vjen e krijohet një hinkë, sidomos në periudhën e sezonit të verës bëhet shumë problematik. Ndërtimi i një ure të re, apo gjetja e një zgjidhjeje tjetër po kthehet në një prej domosdoshmërive për zhvillimin e qytetit.
Çfarë synon Izmira në politikë përveçse të jetë një “zë” përfaqësues i partisë së PD-së?
Unë synoj që të jem zëri i të rinjve dhe i vajzave e grave shqiptare. Të jap kontributin tim në përpilimin e ligjeve që garantojnë mirëqenien dhe sigurinë e jetesës së çdo individi në vendin tonë. Sidomos në një këndvështrim më të ngushtë, do të doja që të ndihmoja sado të mundja për qytetin tim, kthimin e vëmendjes së duhur të shtetit tek Shkodra. Besoj se edhe Shqipëria ka nevojë që Shkodrës t’i rikthehet shkëlqimi.
Cila është motoja e jetës suaj që edhe e keni të përditshme dhe ia kujtoni shpesh vetes?
Unë mund të bëj gjithmonë më shumë!
A ka patur një person të rëndësishëm që ka ndikuar dhe ndihmuar ju në shumë hapa që keni hedhur në jetë? Cili është?
Janë dy persona, të cilët më bënë kjo që jam sot. Janë dy prindërit e mi, për të cilët jam shumë krenare. Ato kanë ndikuar në edukimin tim dhe me kanë ndihmuar gjithnjë hap pas hapi, edhe tani vazhdoj t’i kem inkurajuesit e mi kryesorë. Nuk e di a do kem mundësi ndonjëherë që tua shpërblej të gjitha sakrificat që kanë bërë për mua.
Si i keni marrëdhëniet me deputetët moshatarë të partive të tjera? A keni ndonjë miqësi me ndonjërin në veçanti edhe pse ndani mendime të kundërta?
Kam marrëdhënie korrekte me deputetët e rinj të partive të tjera. Së fundmi është krijuar Aleanca e Deputetëve të Rinj, e cila na ndihmon që në mbledhjet që organizojmë, të ndajmë shqetësimet e të rinjve shqiptarë, të japim mendime dhe të marrim iniciativa për rregullimin apo krijimin e ligjeve përkatëse. Shpresoj që edhe për shkak të moshës të jemi më bashkëpunues dhe të përçojmë këtë frymë edhe në radhët e tjera të parlamentit dhe politikës në përgjithësi.