Sezoni i ri futbollistik pritet të njihet me ndryshime të rëndësishme, teksa lidhet me skemën dhe numrin e të huajve. Superiorja zor se do të ndryshojë, kjo për shkak se skema me 10 ekipe shihet si e duhura për të shmangur sa më shumë ekipet që e mbyllin kampionatin para kohe dhe më pas mund të kthehen në një problem për garën, që aq “e shenjtë” duhet të jetë. Gjithsesi zërat janë nga më të ndryshmit, teksa janë disa klubet që kërkojnë që të rritet numri i ekipeve pjesëmarrëse, për ta bërë kampionatin me 12 skuadra, apo me 14.
Kjo duket e vështirë të ndodhë, por skema duket e sigurt se do të ndryshojë në Kategorinë e Parë, ku ndarja në dy grupe me nga 10 ekipe, apo edhe sistemi “play-off” e “play-out” në fazën e tretë ka rezultuar një dështim. Kemi parë pa fund se si ekipet shëtitin nëpër fushë, pasi për interesa politike, shpesh krerë bashkish kanë urdhëruar t’i hapet rrugë ndonjë ekip. Në të Parën vetëm Tirana, Bylisi, Shënkolli dhe Kastrioti nuk varen nga bashkitë, ndërsa pjesa tjetër klubeve financohen prej tyre. Nga kjo listë dalin krutanët dhe bardheblutë, që nga sezoni i ardhshëm do të jenë pjesë e Superiores. Është e kuptueshme që shëtitjet do të vazhdojnë.
Ideja është që skema të kalojë me 18 ekipe dhe nga këto katër të bien në Kategorinë e Dytë, por në plan gjithashtu është që deri në vitin 2021 numri i skuadrave në të Parën të rritet e të shkojë në 14 ekipe shkruan “Sport Ekspres”. Shkrirja në grup bëhet për të mos pasur më polemika në lidhje me ndarjen. Në vendin tonë shumë e mendojnë se janë grupi i Veriut dhe grupi i Jugut, kur në fakt janë thjesht grupi A dhe grupi B. Kjo bën që më pas të ketë polemika: pse Besa është në grupin A, kurse Tirana në grupin B, kur Kavaja është më në jug. Kjo shmanget. Normalisht veçse do bien katër skuadra, dy të tjera do luajnë në “play-out”. Probleme do të ketë sërish, por kjo skemë mendohet të propozohet për momentin dhe shpresohet të rezultojë më e suksesshme se kjo e dy viteve të fundit. Por duhet kuptuar që nuk e bën skema garën, por klubet, që për sa kohë janë vegla të bashkive, do ofrojnë shfaqje të shëmtuara.
NUMRI I TË HUAJVE – Sipas interesit momental, duke parë se tregu vendas nuk ofron lojtarë për të bërë ekipin, klube të ndryshme kanë ndërmarrë nisma për të shtuar numrin e të huajve. Por nuk ka pasur unanimitet në lidhje me këtë çështje. Por sezoni i ardhshëm në Superiore me shumë mundësi do të ketë një rregull ndryshe për këtë çështje. Produkti vendas duhet nxitur të punojë, ndaj edhe FSHF deri më tani i ka rezistuar “presionit” të klubeve, duke qenë fanatik i rregullit që lejon vetëm 4 të huaj të luajnë njëkohësisht. Dy janë opsionet, të lejohet të luajnë 5 të huaj në një ndeshje, ose që çdo klub të mund të federojë vetëm 6 të huaj dhe ata të kenë të drejtë të luajnë të gjithë njëkohësisht.