Nga Boldnews.al
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka shkelur me të dyja këmbët një prej prioriteteve, të deklaruara prej saj në seancën dëgjimore parlamentare, para se të merrte detyrën.
Ajo premtoi para deputetëve se do të ndëpriste të gjithë komandimet e shefave të prokurorisë në rrethe. Gjatë prezantimit të platformës së saj, Arta Marku u shpreh se “Prioriteti numër tre gjatë punës sime është se nuk do të ketë komandime të prokurorëve nga një prokurori në tjetrën, në mënyrë që në sistem të ketë stabilitet, pasi çmoj se kjo gjë ndikon direkt në punën e prokurorisë”.
Por, në fakt, ajo jo vetëm që nuk i është përmbajtur këtij prioriteti të vetë-deklaruar, por përkundrazi ka shtuar numrin e prokurorëve të komanduar.
Ndër urdhërat e parë të Kryeprokurores së Përkohshme ishte largimi i drejtuesve të komanduar në Prokuroritë e Tiranës, Elbasanit, Kukësit dhe Fierit. Pra, ajo lëvizi 4 drejtues të komanduar, të cilët i zëvendësoi me…4 drejtues të tjerë të komanduar. Madje, ajo shtoi radhën e të komanduarve në radhët e drejtuesve të Prokurorisë, pasi lëvizi nga detyra edhe shefin e Prokurorisë së Durrësit, i cili ishte i emëruar. Në vend të tij, Arta Marku caktoi sërish një drejtues të komanduar.
Gjithashtu, me firmën e Kryeprokurores së Përkohshme, janë realizuar komandime të shumta të prokurorëve nga një prokurori në tjetrën. Kjo, nëse i përmbahemi deklarimeve të vetë Markut, ndikon direkt negativisht në punën e Prokurorisë.
Dhe, në fakt, disa prej këtyre lëvizjeve kanë ndikuar negativisht në punën e prokurorisë, e cila dukshëm ka marrë një orientim pro-qeveritar në aktivitetin e saj.
Rasti më flagrant është Prokuroria e Kukësit. Drejtuesja e komanduar nga Arta Marku, Alketa Nushi, është prokurori që ka firmosur urdhër-ndalimet për protestuesit e varfër kuksianë, të cilët kundërshtonin vendosjen e taksës në Rrugën e Kombit. Për më tepër, media ka zbuluar se urdhër-ndalimet janë zbatuar në shkelje të plotë me ligjin nga ana e Policisë, por Prokuroria e Kukësit, vetë drejtuesja, ka mbyllur sytë para abuzimit.
Një tjetër rast shumë i diskutuar mediatikisht është edhe komandimi e më pas “dorëheqja e sforcuar” e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Ardian Nezha u komandua si shef i kësaj prokurorie menjëherë pasi Arta Marku mori detyrën. Por, pa mbushur tre muaj, ai “dorëhoq”, pasi, siç u raportua në media, dyshohet se ka krijuar lidhje me një familje kriminale në Elbasan.
Arta Marku komandoi edhe një Durrës një drejtuese, mikeshën e saj, Donika Prela, të cilës i ngarkon “detyrat e posaçme”, atë të hetimeve problematike për Kryeprokuroren e Përkohshme. “Boldnews.al” ka raportuar më parë se prokurorja Prela mund të japë dorëheqjen, për shkak se ndaj saj ekzistojnë disa raporte të Shërbimit Informativ, në të cilat ka dyshime për veprime korruptive nga ana e saj.
Përtej problematikave që kanë këta drejtues prokurorie, fakti konkret është që Arta Marku, ndryshe sa deklaroi, po vijon të funksionojë me drejtues të komanduar, pjesa më e madhe e të cilëve njerëz të besuar të saj.
Në Veriun e Shqipërisë, kanë një shprehje të bukur lidhur me këto situata: “Hiqja Lenës, vërja Prenës”.