Arsyeja që më bëri të ulem e të shkruaj këto rreshta ishte habia që ndjeva kur dëgjova Kryeministrin para pak ditëve të fliste për IPO-t. IPO është termi i përdorur në një treg të rregulluar titujsh, ai që rëndom quhet treg kapitalesh, për daljen në bursë të një shoqërie tregtare. Shoqëria tregtare që për një arsye apo një tjetër ndodhet në mungesë të fondeve të mjaftueshme financiare për të financuar ecjen përpara apo zgjerimin e biznesit, del në bursë dhe përmes emetimit dhe shitjes së aksione të reja thith kapital duke rritur numrin e aksionerëve (pronarëve të shoqërisë).
Habia zgjoi kujtesën dhe riktheu në vëmendje një deklaratë të një personazhi interesant për botën e biznesit. Pronar i një piramide kompanish të organizuara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.) Pak javë përpara kësaj deklarate publike të Kryeministrit, biznesmeni i njohur në një dalje fare të pazakontë për natyrën e vet, deklaroi se menaxhmenti i kompanisë po shqyrtonte idenë e daljes në bursë.
Këtë deklaratë e shoqëroi me premtimin se brenda vitit shqiptarët do të bëheshin pronarë të bizneseve të tij. Për të dhënë këtë njoftim personazhi në fjalë përdori tone kaq interesante sa kush nuk kupton as nga Bursa as nga IPO-t, besoi se portat e bamirësisë do hapeshin pas kësaj.
Nuk do të isha habitur nëse një anëtar i bordit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare të kishte dalë e të fliste për IPO si nevojë e zhvillimit të bursës në përgjithësi apo të tregut financiar në veçanti.
Nuk do të isha habitur nëse do të kisha parë apo ndjerë një lëvizje të biznesit drejt bursës apo IPO-ve.
Në vend të gjithë këtyre,përkundrazi, dëgjova një Kryeministër që në vend të deklaronte se qeveria do të privatizonte përqindje të aksioneve të OSHE, apo që do të ftonte shqiptarët që nëpërmjet bursës të bëheshin aksionerë në këtë kompani shtetërore , foli me gjuhë financash të larta. “Doli dhe foli me qëllimin që të impresionente të gjithë duke përdorur terma tregjesh kapitali që NUK I KUPTON asnjë nga shqiptarët drejt të cilëve po synohej të arrinte me deklaratën e vet. ”
Dëgjova një biznesmen pronar i “kuotave” të pjesëmarrjes në një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, që deklaronte se praktikisht do shiste “aksionet” e veta (kuota dhe aksionet janë të ndryshme) tek shqiptarët! Doli të shiste një gjë që nuk e ka, por kërkoi të impresionojë të gjithë duke u dhënë kohë që të prisnin derisa të shkruhej ligji.
Kuptova që të dy kishin folur për gjëra, të cilat në thelb nuk i kuptonin. Ndaj njëri fliste me terma të komplikuar (sepse e di që shqiptarët nuk pyesin kurrë kur nuk kuptojnë dhe kanë maninë që në heshtje të përgjigjen “yes yes” sa herë nuk kuptojnë) dhe tjetri ja fuste kot, me fjalët e veta për diçka që mbase ja kishin shpjeguar gjatë.
Gazetarët nuk i pyetën! As njërin e as tjetrin! Bënë thjeshtë një shenjë me kokë për të treguar që e kishin të qartë gjithë sa dëgjuan.
Po çfarë po përgatitet?
Kur ka nevojë për oferte publike për shitje titujsh financiar, atëherë duhet të paraqitet një plan investimi i cili ka nevojë për financim nga publiku. Kush është plani i investimit që ka sot Kryeministri për OSHE? Kush është plani i investimit që ka sot biznesmeni që zotëron shoqëri me përgjegjësi të kufizuar? Pse plani i tyre i biznesit, nuk financohet dot me burimet e veta? Pse asnjëri nuk na thotë që nuk kanë mundësi financiare për të financuar planin e ri të biznesit, por secili vec e vec dhe njësoj po përpiqen ta shesin idenë si ‘hapës të portave’ të biznesit për gjithë shqiptarët?
Në vitin 2008 Ministria e Financave si pjesë e një paketë për ngritjen e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, ka hartuar dhe më pas miratuar nga Kuvendi, një set të plotë aktesh ligjore për titujt financiarë si dhe për investimet në tituj financiar në tregjet e rregulluara me ligj e që janë bursat.
Por, pse u deklarua që shqiptarët duhet të prisnin ditën e fatit derisa të hartohej legjislacioni??? Një investigim i vogël me siguroi që Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka nisur proçesin e rishkruajtjes se paketës ligjore që rregullon investimin në tituj financiarë.
Dhe nuk u habita më pas kur kuptova që gjithë “reforma” në tregun e titujve financiarë që po përgatitet ka vetëm një synim, hapjen e aksesit me ligj të krijimit të fondeve të investimit alternativ në tituj financiarë.
Alternative Investment Funds, nuk janë skema të reja investimi në atë botën e madhe të tregjeve financiare. Aty zhvillimi i tregjeve financiare, edukimi i lartë i publikut i mësuar prej dhjetë-vjeçarësh me bursën, termat, të mirat dhe të këqiat, ka krijuar edhe hapësirat ligjore për këto skema investimi. Por, të lançosh skema si këto të quajtuara skema spekulative, që mbartin me vete rrisk shumë të lartë, në një hapësirë shoqërore të pamësuar ende as me skemat e fondeve të pensionit vullnetar, në një situatë depresioni social ndërsa të gjithë kërkojnë të kapërcejnë kufijtë nga mungesa e shpresës, do të thotë të tentosh të futesh potencialisht të gjithë shqiptarët në një lojë bixhozi të rrezikshme.
Sot nuk është vështirë të kuptosh (kur do), se çdo të thonë termat apo shprehjet e përdorura nga dikush. Mjafton të klikosh në internet dhe do bombardohesh me informacion. E mjafton të pyesësh në Google për fondet e investimit dhe të marrësh leksione pa pagesë, në të cilat mund të sqarohesh, të kuptosh dhe të mendohesh nëse kupton që ja vlen. Nuk ka këmbana alarmi për investimin në fonde investimi. Edhe ligji aktual i ka lejuar prej viti 2008. Por, provo të pyesësh internetin për fondet e investimit alternativ! Të gjitha informacionet pulsojnë rrezikun që mbartin këto skema.
Por, pse paska biznesmenë që duan të dalin në bursë dhe nuk dalin sot? Çfarë po presin? Se i vetmi ndryshim i qënësishëm që po i bëhet paketës ligjore të AMF është hapja e spirales së investimeve alternative! Sorosi është një nga individët që kanë bërë pasuri me skema të tilla që në bursë njihen si skema spekulative me rrisk të lartë.
Në fund, duke qenë se shpesh edhe në Shqipëri 1+1 bëjnë 2, besoj se kjo është ajo që po presin.
Deri tani dy vetë kanë dalë dhe e kanë paralajmëruar. Kanë folur me gjuhë që për ta është e huaj, por kanë folur. Besoj do flasin përsëri.
Për të zbërthyer gjithçka deri në fund, kemi dy rrugë! Ose të presim pak që të kuptojmë se çfarë po na fshehin të dy, ose të gjejmë këshilltarin që po këshillon të gjithë për të bërë atë që ai beson se e di mirë. Deri atëherë të paktën t’ua japin të shkruar ato që duhet të thonë kur dalin publikisht. Dalja në bursë (going publik) në çdo rast kalon nga transparenca. Dhe nëse flasin për bursë duhet të fillojnë të thonë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës.
(Vijon…..)