Qeveria mbetet e vendosur për të mos ulur taksën e qarkullimit, që paguhet aktualisht me 32 lekë në çdo litër karburant që blejmë. Një taksë që të paktën teorikisht ka si destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që pas vendosjes së pagesës për rrugën Durrës-Kukës, pati apele të forta nga ekspertët, opozita dhe qytetarët për heqje ose ulje të nivelit të saj.
Por duket se qeveria nuk e ka në plan një skenar të tillë. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e mazhorancës se niveli i taksës së qarkullimit nuk do të ndryshojë.
Kreu i Financave ka shpjeguar se të ardhurat që mblidhen nga kjo taksë dhe që arrijnë në rreth 120 milionë euro në vit përdoren në të tjera drejtime.
“Taksa e qarkullimit nuk shkon në destinacionin e përdorimit. Shkon për ndërtim rrugësh, shlyerjen e borxhit të trashëguar, për financimin e shëndetësisë dhe ndihmës ekonomike”, deklaroi Ahmetaj.
Ai shtoi se rruga Durrës-Kukës është e papërfunduar, edhe pse i kushtoi shqiptarëve 1.3 miliardë dollarë.
“Ajo rrugë është e papërfunduar dhe ka kushtuar 1.3 miliardë dollarë. Nga të cilat 300 milionë janë të vjedhura, ku Lulzim Basha ishte kryesori”, u shpreh Ahmetaj. Sipas ministrit të Financave, rruga e Kombit kërkon edhe 200 milionë euro të tjerë që të mbyllet, pasi mungojnë masat mbrojtëse dhe urat.
Braçe: Qeveria të kërkojë ndjesë, banorët të përjashtohen nga pagesa
Pas deklaratave të ministrit të Financave, Ahmetaj ka reaguar kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe.
Ai ka vlerësuar se në pikëpamje ekonomike, rruga Durrës-Kukës nuk ka sjellë përfitimet e pritshme, pasi komuniteti është ende i varfër. Nga ana tjetër, Braçe deklaroi se qeveria duhet të kërkojë falje dhe të përjashtojë banorët e zonës nga pagesa e kalimit të rrugës.
“Më shqetëson varfëria e banorëve dhe jo sa do të paguajë Basha apo Kryemadhi për atë rrugë. Duhet të komunikonit me shumë me qytetarët dhe duhet të kërkoni ndjesë për këtë. Banorët e zonës të përjashtohen nga tarifa. Fondi i kompensimit të mos bëhet rrush e kumbulla, por të adresohet atje ku duhet”, ka deklaruar Braçe.
Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se niveli i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës ka pësuar rritje vitet e fundit, ndonëse në nivele të ulëta. Për 2017-ës, niveli i eksporteve tona drejt tregut kosovar vlerësohet në rreth 20.9 miliardë lekë, me rritje vjetore 4.3 miliardë.
Ndërsa importet për këtë periudhë janë në vlerën e 8.4 miliardë lekëve, me rritje 2.6 miliardë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Prodhuesit shqiptarë eksportojnë drejt Kosovës kryesisht materiale ndërtimi dhe produkte bujqësore.