Nga Boldnews.al
Të dielën e 1 Prillit, kur vëmendja e opioninit publik u përqëndrua te protesta e qytetarëve kundër tarifës në Rrugën e Kombit, Ambasadori amerikan Donald Lu, i’u rikthye historisë së “peshqëve të mëdhenj”.
Ai, në kuadër të fushatës së tij në Shqipëri, u kujtoi me anën e një karikature politikanëve dhe qytetarëve shqiptarë se nuk kanë mbajtur premtimin për vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe bosëve të krimit të organizuar.
Në një situatë më të qetë, ky mesazh i Lu-së, do të ishte i kuptueshëm, brenda sjelljes së tij dy-vjeçare në Shqipëri. Por, bazuar në një analizë faktesh, krijohet bindja se ndërhyrja e diplomatit amerikan mund të jetë një formë për të tërhequr vëmendjen nga protesta.
Ekzistojnë disa lidhje të fuqishme të ambasadorit Lu me një nga “oligarkët” në fushën e karburanteve, i cili (nëse është Shefqet Kastrati pasi në tregun shqiptar me metodë përajshtimi shumë pak mbeten biznesmenë të fuqishëm në këtë sektor) do të vjelë taksën e shqiptarëve në Rrugën e Kombit. Lidhja më e fuqishme mes oligarkut të karburanteve, të paktën ajo që është përmendur shkarazi publikisht, është çështja “Bankers Petroleum”.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një intervistë në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në datë 02.02.2017, i pyetur për përplasjen me ambasadorin amerikan Donald Lu, përgjigjet se gjithçka ka nisur nga një hetim për “Bankers Petroleum”.
Në këtë intervistë , duke filluar nga min. 33.45, Llalla thotë: “… Në korrik 2015, në zyrën time vjen një biznesmen i fuqishëm shqiptar në fushën e karburanteve, i cili interesohet për hetimet e nisura nga Prokuroria e Fierit lidhur me Bankers Petroleum (për shpërthimet e gazit në zonën e Patos Marinëz, në 1 prill 2015). Ky biznesmen më thotë që hetimet për “Bankers…” nuk kanë arsye pse të vijojnë, pasi ngjarja ishte aksidentale…Gjithashtu, ky biznesmen më thotë që, për këtë çështje, nesër do të vijë në zyrë edhe ambasadori Lu. Dhe, ashtu siç tha ky bisznesmen, të nesërmen, ambasadori Lu më kërkoi takim. U takuam dy ditë më pas dhe i pranishëm ishte edhe presidenti i Bankers Petroleum…”.
Adriatik Llalla nuk e përmendi emrin e biznesmenit shqiptar, pavarësisht këmbënguljes së Fevziut. Por, atë që nuk bëri Llalla publikisht, përflitet që e ka bërë vetë oligarku i karburanteve i cituar nga Llalla në ambjentet e biznesmenëve. Ai nuk e kishte aspak problem, ndoshta edhe për mburrje, t’u thoshte kolegëve të tij se ishte ai që kishte takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe se ishte po ai që kishte “përdorur” ambasadorin amerikan, Lu, që të bënte presion te Llalla për mbylljen e hetimeve për Bankers Petroleum, gjithsesi kjo mbetet një e vërtetë që mund të dëshmohet vetëm nga Llalla, Lu apo biznesmenët shqiptarë të fushës së karburanteve.
Shefqet Kastrati, i cili nuk e ka mohuar ndonjëherë këtë takim, “oligarku” i ri i Edi Ramës, i cili tashmë ka shtrirë ekspansionin e tij me ndërtimet e kullave në qendër të Tiranës, duket se nuk e ka pasur aspak problem të shfrytëzojë edhe ndikimin e ambasadorit të rëndësishëm, për të realizuar qëllimet e tij. Rasti “Bankers Petroleum” është shembull tipik se si, një biznesmen shqiptar, nxit një diplomat të huaj për të arritur synimet e tij.
Ndërkohë triumvirati, Rama-Kastrati-Lu, janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes këto ditë, për shkak të protestave të qytetarëve për tarifën e Rrugës së Kombit, secili në rolin e tij.
Kryeministri Edi Rama është përgjegjësi kryesor për acarimin e situatës, pasi qeveria e tij ka miratuar tarifën 5-20 euro për çdo automjet që do të kalojë në këtë rrugë. Shefqet Kastrati është emri kryesor në kompaninë konçensionare që do të vjelë qindarkat e kuksianëve të varfër në këtë rrugë. Po ambasadori Lu? Ai, mesa duket, po mundohet të ndihmojnë dyshen Rama-Kastrati, duke tentuar të tërheqë vëmendjen e qytetarëve nga protesta drejt “peshqëve të mëdhenj”.
Nëse ky ka qenë qëllimi, dhe renditja e fakteve duket se të çon në këtë drejtim, atëherë Lu nuk ia ka arritur që të tërheqë vëmendjen. Opinion publik dhe politik vijon të jetë në pritje të reagimit qeveritar që të tërhiqet nga “gjoba” e Rrugës së Kombit, duke kontribuuar në këtë mënyrë në qetësimin e situatës. Kjo është çështja më e rëndësishme sot për shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të cilët e përdorin shumë shpesh rrugën që mban emrin e Kombit.