Legjenda e Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili la katalanasit në moshën 35-vjeçare për t’u aktivizuar dy vitet e fundit me Al Saddin në Katar, ka zbuluar një të vërtetë që mund të konsiderohet disi surprizuese.
Neymar, sipas asaj që rrëfen 37-vjeçari, i kishte thënë gjatë dasmës së Lionel Messit më 30 qershor se do të largohej nga klubi “blaugrana”. Xavi, edhe pse jo më pjesë e Barcelonës, ishte i ftuar në ceremoninë martesore të “pleshtit” argjentinas verën e këtij viti.
“Neymar i kishte të gjitha mundësitë që të vendoste vetë mbi të ardhmen e tij, e vendosi pikërisht të shkonte te Paris SG”, tha Xavi për “BBC”. Edhe pse largimi i tij u zyrtarizua vetëm më 3 gusht për një shumë prej 222 milionë eurosh, braziliani duket se i kishte pasur planet e qarta shumë më herët.
“Në dasmën e Messit, ai na tha se dontë të ndryshonte klubin. E pyeta se përse, e më tha se nuk ndihej i lumtur te Barça dhe se preferonte të shkonte diku tjetër për të pasur një eksperiencë të re në Europë, ndoshta te PSG-ja. E ky destinacion edhe u realizua pas vendimit që mori vet ai. Ne duhet thjesht ta respektojmë”, deklaron më tej Xavi.
Me synimin për të ngushtuar disi hendekun me gjigantë të tillë si Barcelona, Real Madrid apo Bayern Munchen, PSG-ja u hodh në sulm gjatë merkatos së verës për të nënshkruar me Neymarin dhe Kylian Mbappe.
Parizienët, nën drejtimin e Nasser Al-Khelaifit kanë fituar 4 herë në 5 vitet e fundit titullin kampion në Francë, por sërish kanë dështuar të bëjnë të njëjtën gjë edhe në kompeticionin më madhor për klube në Europë, Champions League, duke mos shkuar më larg sesa çerekfinalet.
Xavi, natyrshëm, mendon se pas merkatos së bujshme, ekipi francez do të mund të konkurrojë bindshëm për trofeun më të lakmuar të Al-Khelaifit. “Mendoj se me Neymarin dhe Mbappe, PSG-ja ka mundësi shumë të mëdha për të fituar Champions League këtë sezon”, tha legjenda katalanase.
Dy blerjet e fundit kanë shënuar 13 gola për PSG-në në këtë fillim mbresëlënës të sezonit, duke i bërë parizienët të udhëheqin si në Ligue 1, edhe në grupin e Champions League, ku bën pjesë edhe Bayern Munchen.