Reforma në fushën e autorësisë është konkretizuar edhe me miratimin e masës së tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv.
Kjo do të thotë se tashmë krijuesit dhe zotëruesit e veprave të pronësisë intelektuale do të mund të shpërblehen drejtësisht për përdorimin e produktit të tyre intelektual.
Kjo nënkupton edhe një tarifë të shtuar për të gjitha bizneset që luajnë muzikë apo transmetojnë video, mbi të cilat nuk kanë të drejta.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të së Drejtës së Autorit dhe synon t’i japë fund problematikave dhe konflikteve mes krijuesve dhe subjekteve të biznesit përdorues të produktit artistik.
Sistemi i hartuar në bashkëpunim me ekspertë të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale do të tarifojë subjektet përdorues aq sa përdorin produktin artistik, ndërsa artistët shpërblehen për kontributin e tyre.
“Aplikimi i deritanishëm ka qenë tejet i kontestuar nga subjektet dhe praktikisht i pa aplikueshëm. Si rezultat i kësaj është trashëguar një realitet abuzues, viktimizues për të gjitha palët në këtë proces.
Tashmë me këtë sistem tarifor vendoset ekuilibri i munguar mes palëve duke i dhënë fund abuzimeve në tregun e produktit artistik”, lexon njoftimi i Ministrisë së Kulturës, e cila garanton për moslejimin e abuzimit me fuqinë e tregut që zotëron nga ana Agjencive të Administrimit Kolektiv.
Tarifat që do të aplikohen janë si më poshtë:
Radiot dhe Televizionet do të paguajnë në bazë të përqindjes që vepra e mbrojtur zë në programacionin 24-orësh. Sipas tabelës, një Televizion Kombëtar Publik do të duhet të paguajë 2% të të ardhurave bruto në rast se 11-35% të kohës televizive transmeton vepra të tilla.
Nëse këto subjekte janë radio apo televizione lokale, në formulë shtohet edhe tarifa fikse në bazë të numrit të banorëve të përcaktuar në licencë.
Edhe për televizionet kabllorë, apo platformat dixhitale, IPTV, OTT do të paguhet në varësi të kohës që veprat zënë në programacionin e tyre.
Sakaq strukturat akomoduese si hotelet, motelet, resortet, bujtinat, etj. do të paguajnë në bazë të një sistemi me pikë, ku subjekti do të paguajë për çdo përcjellës qendror, altoparlant, TV apo radio nëpër dhoma e mjedise të përbashkëta.
Nga kjo vlerë do të zbritet 20-30% e tarifës nëse struktura akomoduese nuk gjendet në bregdet, destinacione turistike, apo në qarqet Tiranë, Fier dhe Gjirokastër.
Konkretisht, nëse një hotel në Ksamil ka 10 dhoma me nga 1 televizor (10×17), 1 sistem audio qendror (1×170) me 4 bokse (4×8), si edhe 1 televizor në dhomën e pritjes (1×46), atëherë ky subjekt duhet të paguajë shumatoren e këtyre pikëve (x10), të konvertuara në lekë, pra 4180 lekë në muaj.
Për vendet ku konsumohen ushqime apo pije, si restorantet dhe diskotekat tarifat janë të përcaktuara në bazë të orarit që qëndrojnë hapur dhe kapacitetit maksimal të ofrimit të shërbimit. Kështu, një zgarë në Tiranë që qëndron hapur deri në orën 10 të darkës dhe ka hapësirë për 150 persona duhet të paguajë 6000 lekë në muaj.
Qendrat tregtare dhe dyqanet brenda tyre do të tarifohen sipas sipërfaqes, ku 1 pikë është 10 lekë dhe mbahet për metër katror:
Sipërfaqja në m2 | Pikë/ m2 |
Deri në 50 m2 | 1 |
51-200 m2 | 0.75 |
Mbi 200 m2 | 0.5 |
Përdoruesit e veprave të mbrojtura, biznese të tjera jashtë qendrave tregtare do të paguajnë 80% të vlerës së llogaritur sipas tabelës së mësipërme. Panairet, spektaklet dhe tregjet e tjera të përkohshme do të kenë një tarifë prej 300 pikësh në ditë, ndërsa mjetet të cilat realizojnë promocion me altoparlant kanë një tarifë ditore prej 10 pikësh, raporton Scan.
Nga këto tarifa nuk do të shpëtojnë as autobusat dhe taksitë:
Përdorimi i materialeve audiovizive me të drejtë e autorit do të paguhet edhe nga palestrat, kurset e kërcimit, etj.