Nga Fatos Lubonja
Kjo është fushata elektorale më groteske që na kanë parë sytë në këta 25 vjet. Arsyet janë të shumta , por si kulm i tyre qëndron fakti se nuk ka ndodhur ndonjëherë që partitë që na kanë qeverisur këta 25 vjet të bëjnë të gjitha fushatë si opozitare. Kështu, ato ua kanë lënë votuesve “dobiçin në derë”: d.m.th. pa ditur se kë duhet të ndëshkojë për keqqeverisjen e këtyre viteve që ka bërë që 56% e shqiptarëve (sipas Gallupit) të kërkojnë të lënë Shqipërinë.
Po si arritëm deri këtu?
Gjykoj se në këtë grotesk na solli marrëveshja Rama–Basha. Fushata e nisur pas saj ka kaluar deri tani në dy faza. Në fazën e parë, aktorët e nisën fushatën si të paqartë për rolet e reja që duhet të luanin. Edi Rama e filloi me do batuta e tallje të zbehta për kundërshtarin Basha, që s’kishin asnjë efekt. Lulzim Basha, pasi e harxhoi gjithë talentin e tij si aktor te çadra, u kthye në një kopje të zbehtë të vetes. “Republika e re” filloi të tingëllonte në gojën e tij si sinonim i “Rilindjes”. Ilir Meta po përpiqej me zor të luante një lojë të dyfishtë, pa ditur nëse duhet të bënte opozitarin apo maxhoritarin. Edhe më qesharake u bë situata kur të tria palët, duke i trajtuar shqiptarët si të paaftë për të menduar përtej çka u servirin ata, filluan të na thonë se do të dalin parti e parë, duke mos pranuar të vinin në diskutim asnjë alternativë se çfarë do të bënin nëse do t’u duhej koalicioni…
Pas këtij momenti kaluam në fazën e dytë, që e gjallëroi disi skenën elektorale sepse u duk se u gjet çelësi i motivimit apo mashtrimit edhe një herë të votuesit. Konflikti opozitë (PD)– maxhorancë (PS+LSI) u zhvendos befasisht në konfliktin midis partive të mëdha PS+PD dhe partive të vogla me në krye LSI-në. Nëse Shqipëria ka pasur keqqeverisje gjatë këtyre viteve fajin nuk e kanë të mëdhatë, por “shushunjat” e vogla si LSI-ja – po thotë Rama. Kurse Basha nuk e shfajëson PS-në, por theksin e vë edhe ai te sulmet ndaj LSI-së. Si kundërpërgjigje Meta po merret me karakteristikat (i)morale të dy kryetarëve të marrëveshjes, si dhe duke bërë opozitarin për qeverisjen që ka mbështetur deri dje vetë. Kështu, kemi arritur në fazën kur, pasi të gjithë kanë bërë marrëveshje me të gjithë, kanë filluar të gjithë t’i shajnë të gjithë.
Po a duhet ta marrim aq seriozisht motorët e urrejtjes që u ndezën, apo duhen parë thjesht si “fushatë elektorale” (sipas një fjale që tha Berisha për akuzat e tij se Nano kishte vrarë Azem Hajdarin kur u pajtua me të)? Po të kemi parasysh se çfarë kanë thënë më parë për njëri-tjetrin dhe se prapë kanë bërë marrëveshje dhe koalicione, kjo urrejtje ndaj imoralitetit të kundërshtarit duhet parë me shumë mosbesim. Për të bërë analiza e parashikime nuk duhen matur helmet që derdhin kundër njëri-tjetrit, por duhet munduar t’u hyjmë kalkulimeve që kanë bërë.
Në lojën e kalkulimeve – pa përgjegjësi për të shkuarën dhe pa vizion për të ardhmen (përveç parasë dhe pushtetit)- nuk është vështirë të kuptojmë se kalkulimet jo gjithmonë u kanë shkuar mbroth deri në fund. P.sh. kalkulimet e para Rama i bëri, edhe me ndihmën e disa ambasadorëve, që të hynte pa opozitën në zgjedhje. Ishte ky kalkulim që e shtyu të pranojë Metën në presidencë. Sikur ta dinte se do të bënte marrëveshje nate me Bashën them se nuk do të bënte këtë zgjedhje. Nga ana e tij Meta e pranoi këtë, duke braktisur PD-në në fatin e vet – edhe me idenë se kështu do të merrte votat e PDsë, ndërkohë që të dy do të qeverisnin së bashku me dhe pa opozitë. Pas marrëveshjes kalkulimet ndryshuam. Metës i dolën keq sepse Rama po përdor ministrat e PD-së dhe fushatën e PD-së për të dobësuar sa të mundë fuqinë klienteliste të LSI-së, të cilën edhe po e sulmon si shkaktaren kryesore të dështimeve të tij, duke kërkuar votën e votuesit të LSI-së. Ndërkaq, fjala e përhapur (e që po zë vend) se pas zgjedhjeve mund të ketë koalicion të madh PS-PD demotivon të zhgënjyerit gjatë këtyre katër vjetëve, një pjesë e të cilëve mund të votonin një PD me frymën e çadrës, por kurrsesi një marrëveshje Rama–Basha. Kjo lojë duket se po rrit shanset e Ramës që të kapë i vetëm 71% dhe, në këtë rast futja e PDnë në qeverinë Rama 2 me një LSI të dobësuar të mbetur në opozitë do të ishte një asgjësim i PD-së, që nesër do të quhet një shitje e aksioneve të PD-së nga Basha për përfitime personale e të klanit të tij.
Rasti më problematik, (por jo për demokracinë) madje dhe më i mundshëm, është ai që partitë paradoksalisht nuk e përmendin: nëse do t’u duhet të bëjnë koalicione. Duke ndjekur fazën e dytë të fushatës nuk mund të mos lindë pyetja: po a do të pranonte Meta një Ramë kryeministër me gjithë këtë urrejtje që po shprehin ndaj njëritjetrit? Më shumë gjasa ka që Meta ta kondicionojë një koalicion me PS-në me ikjen e Ramës. Por, në këtë fazë të dytë të fushatës, më afër pranimit të Ramës kryeministër duket Basha. Por edhe për atë ngrihet pyetja: me ç’fytyrë do të pranojë ai një Ramë kryeministër në një qeveri PD-PS? Ndërkaq, duke pasur parasysh armiqësinë që kanë pasur si PD dhe LSI me Ramën “autoritar”, “arrogant” dhe “të lidhur me krimin”, si ka mundësi që nuk mendojnë se mund të bëjnë koalicion kundër tij nëse u dalin votat?
Këto janë pikëpyetje që i ngre çdo votues që ka pak mend në kokë dhe që ka një lloj përgjegjësie për votën që hedh. Dhe paqartësia ia bën fushatën qesharake. Por duket se ndërkaq partitë si ndërmarrje biznesi nuk e llogarisin këtë votues, por vetëm votuesin klientelist quaje po deshe pragmatist që është zhveshur nga skrupujt moralë, si dhe nga pyetjet se ku po shkon vendi i tij, por që sheh vetëm interesin e vet dhe të familjes së vet. Atij nuk i intereson të dijë nëse këta e duan njëri-tjetrin apo e urrejnë njëri-tjetrin dhe aq më pak arsyet e kësaj. Për të e rëndësishme është se fiton apo humbet, duke u bërë me njërën apo me tjetrën parti, apo koalicion të mundshëm. Modeli par exellence i këtij votuesi janë oligarkët. Janë ata që e dinë më saktë se si janë të lidhura fijet, me të cilat ndahen fitimet e që do të përcaktonin edhe koalicionet. Sipas Ilir Metës te “Të paekspozuarit” këta janë për koalicionin Rama-Basha. Sipas të tjerëve, është më i mundur një koalicion PS–LSI. Më i pamunduri duket se është ai PD–LSI, sepse kështu me sa duket ndërpriten disa fije të lidhura më parë në “Republikën e vjetër” që ka sharë aq shumë Basha në çadër.
Sido që të ndodhë, koalicioni i radhës do të jetë akti i radhës i tragjedisë dhe komedisë së radhës. E vetmja shpresë për të dalë nga kjo tragjikomedi është që ata 56% shqiptarët që, sipas Gallupit, kërkojnë të lënë Shqipërinë, – kuptohet si rezultat i keqqeverisjes dhe zhgënjimit nga të tria partitë kryesore, – t’i japin një goditje të triave, duke votuar ndonjë parti të re si LIBRA e Ben Blushit, që i është kundërvënë të triave dhe që duket se kërkon të mbesë kundër tyre në opozitë edhe pas zgjedhjeve. Të paktën sa për të ruajtur shpresën gjallë.
*Titulli origjinal: Të opozitarë në fushatë