Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik në raportin e shëndetit për vitin 2015 vënë në dukje se barra e sëmundshmërisë për ngjarje shëndetësore si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike, përbën shqetësimin kryesor për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura.
Përveç krijimit të një sistemi shëndetësor eficient, të arritshëm dhe të përballueshëm, ekzistojnë mundësi për shmangien e të rinjve nga duhanpirja, abuzimi me alkoolin, inaktiviteti fizik dhe dietat jo të shëndetshme, të cilat kontribuojnë në barrën e ardhshme të sëmundjeve kronike në Shqipëri, pohojnë ata.
Ata rekomandojnë se ndërhyrjet për parandalimin e sëmundjeve kronike duhet të nisin që në fëmijërinë e hershme, me përmirësimin e praktikave të ushqyerjes në foshnjat dhe të porsalindurit, madje edhe më herët, me kujdesin shëndetësor për të gjitha gratë shtatzëna që në fazat e hershme të shtatzënisë.
Ata kërkojnë se sistemi i informacionit shëndetësor në Shqipëri ka nevojë për reformim dhe rinovim, që të bëjë të mundur menaxhimin dhe vlerësimin e përshtatshëm të sistemit shëndetësor shqiptar. Këtu përfshihet monitorimi i ndërhyrjeve parandaluese dhe i hapave kryesorë në rinovimin ose reformimin e kujdesit shëndetësor.
Faktorët e rrezikut
Në Shqipëri, tre faktorët e rrezikut përgjegjës për pjesën dërrmuese të barrës së sëmundshmërisë janë të lidhura me dietën ushqimore (i pari), hipertensioni arterial (i dyti) dhe duhanpirja (i treti) sipas analizës së barrës Globale të Sëmundjeve.
Ekspertët në ISHP pohojnë se prevalenca e duhanpirjes mund të rritet nëse nuk merren masa, dhe kjo mund të frenojë seriozisht rritjen e jetëgjatësisë së pritshme dhe uljen e mundshme të barrës së sëmundjeve kronike. Vlen të theksohet se ka pasur rritje domethënëse në barrën e sëmundshmërisë, që i atribuohet secilës karakteristikë të mënyrës së jetesës në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit. Faktorët e stilit të jetesës përbënin më tepër se 70% të barrës totale të sëmundshmërisë në Shqipëri. Rreziqet e lidhura me dietën ushqimore përbënin 38% të nivelit total të vdekshmërisë në Shqipëri, duke u bërë, për nga madhësia, faktori më i rëndësishëm i rrezikut në shoqërinë tonë tranzitore.
Në vitin 2010, duhanpirja ishte shkaktare e 22% të të gjitha vdekjeve në Shqipëri. Gjatë dy dekadave të tranzicionit të shpejtë politik dhe social-ekonomik, niveli i vdekshmërisë që i atribuohet duhanpirjes pothuajse është dyfishuar për sëmundjet kronike në përgjithësi, dhe sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjen ishemike të zemrës, sëmundjet cerebrovaskulare, neoplazmat totale, kancerin e mushkërive dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike, në veçanti. Niveli total i vdekshmërisë dhe barra totale e sëmundshmërisë që i atribuohen konsumit të alkoolit është rritur 2.5 herë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
Në veçanti, niveli i vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe cirroza e mëlçisë për shkak të konsumit të alkoolit është dyfishuar, kurse niveli i vdekjeve nga sëmundja cerebrovaskulare pothuajse është trefishuar gjatë periudhës 1990- 2010.
Gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, niveli total i vdekshmërisë për shkak të mbipeshës dhe obezitetit është rritur më shumë se dy herë. Në veçanti, niveli i vdekjeve nga sëmundja ishemike e zemrës është rritur 2.5 herë, ndërsa niveli i vdekjeve nga diabeti është trefishuar.
Niveli i vdekshmërisë nga sëmundja ishemike e zemrës që i atribuohet hipertensionit është rritur dy herë në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit, kurse niveli i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare për shkak të hipertensionit arterial është rritur me më tepër se 70%.
Gjatë 20 viteve të fundit, në Shqipëri ka pasur një rritje pothuajse të dyfishtë të nivelit të vdekshmërisë nga sëmundja ishemike e zemrës, dhe një rritje të trefishtë të nivelit të vdekshmërisë nga diabeti, për shkak të nivelit të lartë të glukozës, dietës jo të shëndetshme, obezitetit dhe inaktivitetit fizik. Në vitin 2010, vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës që i atribuohet hiperkolesterolemisë pothuajse është dyfishuar në Shqipëri, i cili është i vetmi vend në rajonin e Europës Juglindore që po kalon një rritje graduale të barrës së sëmundshmërisë që i atribuohet nivelit të lartë të kolesterolit total. Një grup faktorësh rreziku të parandalueshëm (duhanpirja, abuzimi me alkoolin, mbipesha, dieta jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik) po kontribuojnë në mënyrë shqetësuese në rritjen e barrës totale të sëmundjeve kronike si kanceri, sëmundja e zemrës, sëmundjet e mushkërive dhe mëlçisë, si dhe diabeti. Parandalimi i rinisë shqiptare nga fillimi i duhanit, shmangia e abuzimit me alkoolin, shmangia e një diete jo të shëndetshme, si dhe promovimi i aktivitetit fizik, aktualisht janë ndër sfidat kryesore për Shqipërinë.
Shqipëria shpenzimet më të ulëta për shëndetësinë
Ndër 43 vende europiane, Shqipëria renditet e fundit për sasinë e fondeve që akordon për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas agregateve fiskale të publikuara nga FMN për periudhën 2012-2015, shihet se shpenzimet e Shqipërisë në drejtim të shëndetit janë vetëm 2.8% e PBB-së, teksa mesatarja europiane për këtë tregues ishte 6%.
Në këtë renditje, Shqipëria shpenzon më pak se çdo vend i rajonit për shëndetin e popullatës së saj. Bosnja akordon 6.9% të fondeve në raport me PBB për shërbimet publike të shëndetësisë; Kroacia 6.4%; Maqedonia 4.3%; Mali i Zi 4% dhe Serbia 6.1%.
Vendet e rajonit shpenzojnë mesatarisht për shërbimet e shëndetit 5.5% të PBB-së, ndërsa Shqipëria sa gjysma e këtij treguesi me vetëm 2.8% të PBB-së.
Shpenzimet më të larta shihet t’i kenë Danimarka, Holanda dhe Suedia, të cilat kanë dedikuar 9-10% të PBB-së për shëndetësinë.
Shpenzime të larta mbi 8% ofrojnë edhe Gjermania, Franca dhe Belgjika, ndërsa për shumicën e vende europiane, ky tregues është 5-7% të PBB-së.
Shqipëria ka pasur historikisht shpenzime të ulëta për shërbimet e shëndetit dhe arsimit për shkak të të ardhurave të ulëta që grumbullon arka e shtetit.
Për 2012-2015, vendi ka grumbulluar 25.2% të të ardhurave në raport me PBB-në, teksa mesatarja e Europës për këtë periudhe është 40.4% e PBB-së.
Me gjithë fondet e pakta, shpenzimet dedikuar shëndetit nuk mirëpërdoren dhe nuk arrijnë të alokohen sipas programit. Në dy vitet e fundit, gjatë rishikimit të buxheteve vjetore, fondet për shëndetësinë janë shkurtuar.
BB: Shqiptarët pagesa nga xhepi për shëndetësinë, ndër më të lartat në Europë
Në një studim të fundit, Banka Botërore e theu mitin për shëndetësinë falas, teksa publikoi së fundmi një raport në të cilin u gjet se shqiptarët bëjnë pagesat më të larta nga xhepat e tyre për shërbimet shëndetësore se në të gjitha vendet e Europës.
Sipas Bankës Botërore, shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre rreth 49.9% të kostove totale për kujdesin shëndetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës këto pagesa janë shumë të ulëta.
Në Turqi, pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9%.
Në Maqedoni, këto pagesa janë 36.7%; në Malin e Zi janë 42.8%; në Serbi 36.6% dhe në Bosnje 27.9%. Në vendet europiane, këto pagesa janë shumë të ulëta mesatarisht nën 15% e së gjithë kostos.
Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe është e krahasueshme me vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë.
Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku përfshihet edhe Shqipëria, shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë të larta dhe mund të jenë një rrezik i madh financiar për të varfrit, lajmëron Banka Botërore. Rritja e financimit buxhetor për shëndetësinë është një prioritet i programit qeverisës. Aktualisht shpenzimet publike për shëndetësinë kanë arritur në 2.8% të PBB dhe kanë tendencë rritjeje. Gjatë tre viteve të fundit janë arritur rezultate të dukshme në përmirësimin e raportit midis shpenzimeve publike dhe private në shërbimet shëndetësore. Nëse në vitin 2013, raporti midis shpenzimeve publike e private ka qenë 48-52%, në vitin 2015 ky raport u përmbys në 55-45%. Pra, kemi arritur në një situatë kur shpenzimet publike janë më të mëdha se shpenzimet private për shëndetin.
Qeveria është e angazhuar të rrisë financimin në shëndetësi, duke rritur financimet publike deri në masën 4% të PBB në 2025, si dhe uljen e pagesave nga xhepi deri në 30%.
Strategjia, financimi publik synon të mbulojë 70% të shpenzimeve
Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë, 2016.
Strategjia parashikon që financimi publik për hallkat e kujdesit shëndetësor, nga parandalimi te kujdesi paliativ, do të realizohet nëpërmjet paguesit të vetëm, duke mundësuar një mjedis konkurrent ofruesish të kujdesit shëndetësor.
Financimi publik për kujdesin shëndetësor synohet të arrijë jo më pak se 70% të shpenzimeve totale për shëndetësinë, duke siguruar që asnjë familje shqiptare të mos duhet të zgjedhë midis blerjes së ushqimeve dhe shërbimeve jetike apo pagesës direkte për kujdes shëndetësor.
Check-Up, mamografët lëvizës ofrojnë tashmë shërbim për mbi 5 mijë gra në vit, të cilat u kursejnë buxheteve familjare rreth 67 mijë dollarë çdo vit, thuhet në dokument.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka pohuar se strategjia parashikon promocionin shëndetësor me masat fiskale dhe administrative, për të kufizuar dëmet që sjellin përdorimi i alkoolit dhe duhanit.
Strategjia parashikon më shumë investime për sigurinë rrugore dhe një urgjencë mjekësore që përgjigjet me efektivitet në territor.
Strategjia parashikon zgjerimin e mbështetjes për rehabilitimin, kujdesin paliativ dhe atë geriartrik. Synohet që për çdo person në moshën e pensionit të realizohet kompensimi plotë i materialeve mjekësore që ndihmojnë në kryerjen e funksioneve jetike të domosdoshme.
Kujdesi parësor do të financohet duke kombinuar pagesën për frymë me pagesën për performancë, ndërsa kujdesi spitalor do të financohet sipas DRG-ve. Qendrat e ofrimit të shërbimeve unikale do të financohen direkt nga paguesi i vetëm. Monitor