Mira Kazhani: Elona përshëndetje!
Elona Çaushi: Përshëndetje!
Mira Kazhani: Pse vendose të flasësh pikërisht tani për historinë tënde dhe të bashkëshortit tënd? Dhe kurioze jam, pse zgjodhe tiranapost.al?
Elona Çaushi: Në fakt po shikoja portalet një ditë dhe të them të drejtën më thanë që ishte një portal relativisht i ri. Autorin e portalit nuk e dija. Pronaren e portalit nuk e dija. Thjesht klikova, klikova dhe më dolët ju, më doli Mira me një editorial që të them të drejtën më la përshtypje. Përshtypje pozitive. Editoriali kishte përmbajtje. E pëlqeva. Thashë, pse jo… Pas kaq vitesh thëniesh, citatesh, artikujsh, thashë ja kam borxh vetes në radhë të parë, familjes time një sqarim dhe për më tepër opinionit publik. Por opinionit publik… dhe këtë e theksoj Mira për të vetmen arsye, sepse edhe kryeministri e ka problem deformimin e shumë gjërave në shtyp dhe ne si familje jemi viktimë e kësaj. Kështu që thashë të marr një portal, mu duk me përmbajtje dhe të them të pathënat e mia, të vërtetat ashtu sikurse miq, të afërm të mi e dinë dhe më thonë ke një të metë të madhe se je libër i hapur. Unë nuk e quaj të metë, e quaj plus. Këtu jam sot për të thënë atë që ndoshta njerëzit, opinion i ka keqkuptuar, ose ka dashur dhe të besojë.
Mira Kazhani: Ju falënderoj për besimin që i jep portalit tiranapost.al, sot do të flasim gjatë në këtë intervistë dhe kam shumë pyetje për të bërë në lidhje edhe me bashkëshortin tuaj, gjyqtarin tashmë të famshëm në Shqipëri, Zotin Gjin Gjoni, por fillimisht dua të flasim pak për ju! Ku ke lindur, ku je rritur, si je edukuar, kush është familja jote, formimi yt?
Elona Çaushi: Unë kam lindur në Tiranë, jam edukuar në Tiranë, dy prindërit i kam intelektualë. Ime më pedagoge e gjuhës angleze, bile do e korrigjoja e gjuhës shqipe dhe angleze se po të shoh intervistën ka për të më korrigjuar, jam e bindur. Im atë diplomat karriere, prej mund të them me plot gojë 30 e ca vjetësh dhe unë sigurisht, e bija e një diplomati, e bija e një pedagogeje… Kam lindur në Tiranë, kam një vëlla të vetëm ai është jashtë, nuk jeton këtu. Unë kam lindur, nuk e di Tirana e vjetër. Unë gjithmonë, i referohem Tiranës së vjetër te pallati i Kadaresë. Ne i kemi pas thënë pallati i Kadaresë, sepse aty ka jetuar Kadareja i famshëm, unë kam pasur fatin dhe shansin t’i njoh të dy, jam rritur me ta dhe kanë qenë sipër nesh. Kemi një marrëdhënie tepër miqësore me ta. Përveç marrëdhënies që ka babai edhe intelektuale, por edhe miqësore dhe unë jam rritur me ta. Aty është lagjja ime që aty ka mbetur shumë pak, prej lagjes së vjetër, sigurisht që e them me nostalgji.
Mira Kazhani: Në moshën 19-vjeçare jeni larguar nga Tirana ku ke jetuar në Gjermani. Keni jetuar atje disa vite për t’u kthyer në 98’ në Shqipëri ku keni hapur edhe Duty-Free-n e parë…
Elona Çaushi: E saktë. Do të korrigjoja vetëm për diçka, kur i referohesh numrave, numrat s’duan komente duhet të jesh e saktë, faleminderit për research-in është totalisht i saktë, dua thjesht të të korrigjoj, që edhe pas maturës, në moshën 18 vjeç, kam kryer disa kurse gjermanishteje jashtë. Babai, nuk e di a keni bërë kërkimet tuaja ai ka qenë diplomat karriere. Ai ka filluar aktivitetin e tij në Budapest në Hungari, unë kam qenë tepër e re. Pastaj shkoi ambasador në vendet Nordike, por me qendër në Stokholm dhe pastaj ishte ambasadori i parë i Republikës Federale në atë kohë Gjermane, që për atë kohë ka qenë një njeri më i rëndësishëm se një anëtar i byrosë politike. Dhe këtë e them, sepse ju vu shumë rëndësi atëherë, se kush do të shkonte ambasador i parë. Dhe të them të drejtën, për të kur e shoh më sytë e mi, tani pas kaq shumë kohësh edhe me pjekurinë që të jep mosha, gjykoj që ka qenë një detyrë tepër e vështirë. Dhe kur bëj biseda me të, mendoj dhe them se edhe ata kanë pasur shumë stres, po stresin e kanë pasur ndryshe nga ne.
Mira Kazhani: Jo se ka shumë të bëjë me intervistën dhe qëllimin e intervistës sonë, por babai juaj nga një deduksion i shpejtë në kokën time vazhdon të jetë i majtë?
Elona Çaushi: Unë gjithmonë edhe kur pi kafe, nuk e di ndoshta e ke vënë re, kur u takuam bashkë përpara intervistës, që unë të them të drejtën, jam tip që… çdo njeri ka komplekse, pavarësisht se ka njerëz, që thonë se janë pa komplekse se asnjeri nuk është pa komplekse. Unë hyj te ajo kategori që i ka të minimizuara komplekset, ndoshta ma ka dhënë dhe ajo fat, do thoja për atë kohë, që unë kam shëtitur në shumë vende të botës dhe në Gjermani quhej ajo që ne themi multi-kulti, kur një njeri ka një farë domethënë perceptimi për botën, jashtë. I shef dhe gjërat dhe i minimizon problemet, komplekset minimizohen. Unë të them të drejtën Mira kur them që kam lindur këtu, nuk e perceptoj jam vajzë Tirane ose vajzë e vërtetë Tirane, siç kanë qejf ca udhëheqës sot ti… s’e kam fare këtë kompleks. Unë përderisa jam martuar me një verior do të thotë se për mua çdo krahinë, ka minuset dhe pluset e veta. Unë kam një mama që vjen me origjinë nga jugu. Nga një familje shumë e njohur me origjinë nga Gjirokastra, me mbiemrin Baboçi, babai është Tiranas, jo prej Tirane është Tiranas prej shumë vitesh. Megjithatë e them pa… mund të isha edhe nga Puka, nuk e kam fare problem dhe kur shoh më shqetëson vetëm ky fakt, këtu që edhe politizohet… Ne shqiptarët, ngaqë jemi dhe popull i vogël, kemi qejf shumë politikën, çdo gjë politizohet në këtë vend, gjë që ka për mua më shumë minuse se pluse, nuk i shohim gjërat nga kush vend vjen. Bile, bile hyjmë edhe deri te emrat dhe te emrat e vjetër që janë pellazgë, veriorë. Për shembull unë kam bërë një studim, jam historiane, ka emra që neve ajo Tirana e mëparshme ose jugu, nuk i ka shqiptuar dot dhe nuk e dinte se ekzistonte, tani ka dalë dhe i shqetësojnë këto pseudo-qytetarët.
Mira Kazhani: Keni studiuar histori? Kur? Si e keni bërë mes Tiranës dhe Gjermanisë?
Elona Çaushi: Mes Tiranës dhe Gjermanisë, ka qenë profesor Paskal Milo që kam shumë respekt për të, ka qenë Dekan në atë kohë, më bëri një do ta quaj favorizim për atë kohë, që unë vija edhe këtu domethënë studioja ditën 20 ditë të muajit dhe 10 ditë isha në Gjermani për të kapur gjuhën, bëra ca edhe studime atje, por bëra edhe studime pasuniversitare në Gjermani në Ludvig Maksimilia. Dhe pastaj isha aty ku thatë juve që u ndava, jo përfundimisht me Gjermaninë, por që shkoja dhe vija, sepse një mik i familjes, më tha idenë për bërë një biznes në Shqipëri. Për të hapur Duty Free-në…
Mira Kazhani: Ka qenë viti 98’, kur ju vini në Shqipëri?
Elona Çaushi: Firma është krijuar në fakt, në qoftë se dua të jem tamam e saktë në 97’, domethënë kur këtu… unë nuk kam qenë në 97’me thënë të drejtën. Më thonë që 97’ ka qenë diçka e tmerrshme, për shqiptarët dhe ka ngelur si njollë e zezë edhe sot e kësaj dite, por që… Ne e krijuam firmën në 97’ dhe në 98’ ne bëmë një kontratë me Hajnamanin, që është një nga më të mëdhenjtë në botë në fushën e Duty-Free-s, i dyti. Në Evropë është numër 1.
Mira Kazhani: Gjatë gjithë kësaj kohe se vlen të theksojmë, po flasim për një kohë që Gjin Gjoni nuk ishte në jetën tënde, e ke njohur shumë vite më vonë, por do flasim pak më vonë. Këtu jeni akoma vetëm. Këtu është Elona vetëm që po përpiqet të hapë një biznes në Tiranë.
Elona Çaushi: Këtu është Elona Çaushi, për të bërë, për të thënë të drejtën për të hapur biznes në Tiranë, si natyrë jam praktike, nuk e kam problem fare të shkëputem nga një vend në tjetrin, qoftë edhe në këtë moshë. Nuk e di nga vjen kjo, ndoshta është vetësiguri, ndoshta është ajo që thashë pak më parë, që duke shëtitur ti arrin të kuptosh dhe të mendosh që të gjithë njerëzit janë të barabartë. Kanë të njëjtat probleme, qoftë nga ngjyra i verdhë, i zi, i bardhë, amerikan, shqiptar…
Mira Kazhani: Në probleme po Elona, janë të barabartë, por në standard jetese jo. Në kapitalizëm ka të pasur dhe të varfër dhe ju bëni pjesë tek të pasurit. Jeni një grua e pasur?
Elona Çaushi: Koncepti i pasur, këtu duhet pasur pak parasysh edhe ti vetë Mira kur ma bën pyetjen, çfarë kupton ti me konceptin i pasur? Në qoftë se ti thua Elona bën një jetë me një cilësi X ose Y të mirë unë do isha dakord, e pasur pastaj, është një koncept i gjerë që këtu në Shqipëri keqkuptohet. Këtu në Shqipëri, ka diçka që në qoftë se një njeri ka biznes, qoftë mashkull ose femër, por më tepër femër, që në rastin tim kjo është, keqkuptohet. Ose ka informalitet, para të pista, para të lara… Është shumë e vështirë të konceptohet dhe kjo është fatkeqësi, është shumë e vështirë të perceptohet që një femër si unë ja ka dalë. Unë përfitova atëherë, edhe nga një lloj “injorance”për Duty-Free-n.
Mira Kazhani: E more në Gjermani si ide…
Elona Çaushi: Kjo ide nuk ishte aspak e imja që të mburrem apo të them që e kisha unë këtë ide. Ishte e atij personi, që u bë më vonë dhe bashkëpronar i Duty-Free-s, i cili kishte idenë dhe është shumë e thjeshtë. Ai vuri kapitalin, kurse unë gjeta vendin, që ishte aeroporti i vjetër, i vjetri fare, sepse ka pasur dy faza ne jemi te faza e tretë e aeroportit Nënë Tereza dhe unë solla licencën. U bashkuan energjitë, dikush kapitalin, dikush kontaktet edhe punën. Nuk ka asnjë teori konspiracioni këtu, kjo është e thjeshtë fare.
Mira Kazhani: Ky është i vetmi biznes që ju keni aktualisht që flasim?
Elona Çaushi: Jo, Duty-Free-ja ka qenë i pari biznes. Fillimet kanë qenë të vështira shumë, kur koncepti nuk ishte dhe ne përfituam nga një lloj “injorance”, nga padija që çfarë ishte Duty Free-ja. Sigurisht ministri asaj kohe patjetër që e dinte dhe unë kam shumë respekt për të. Ka qenë zoti Angjeli, që me shumë bon-sense, tha pse jo. Pa asnjë shtypje pa asnjë “kafe”, pa asnjë takim. Sigurisht është financier tepër i zoti dhe jam shumë e sigurt që edhe në atë kohë ai e dinte çfarë është Duty-Free-ja dhe unë mora guximin, të them te drejtën nga natyra guxoj. Pata guximin, pse jo te ai aeroport, qoftë dhe aq i shëmtuar, të kishte në sallën e transitit diçka për shqiptarët origjinale. E them origjinale, sepse në atë kohë edhe sot e kemi ne vuajmë nga ajo është origjinale nuk është origjinale. E kanë edhe ca vende të botës nuk jemi vetëm ne, por atëherë ka qenë tepër e theksuar. Ne sollëm cigaret, mallin e aksicëz, me shumë korrektesë dhe ne patëm një biznes me thënë të drejtën që për kohën ishte diçka ishte një risi. Domethënë unë me këtë e fillova, pastaj në vitet e mëvonshme, unë gjithmonë kam pasur këtë teorinë, të jo hapjes shumë të bizneseve. Dhe gjithmonë kam ndenjur kam respektuar atë kuadratin të Elonës, kjo ndoshta vjen edhe nga një edukatë e familjes që nuk janë shumë… nuk jemi materialist si njerëz, fare ne në familje. Ndoshta, por them se kur je i tillë, ndoshta të hapen edhe disa dyer. Sigurisht që Duty Free ka qenë një “pasaportë” e mirë edhe për disa biznese të tjera, ne kemi tani Chanel-in, që është një kartëvizitë do të thoja tepër prestigjioze. Ne jemi partnerë ekskluzivë të Chanel për Shqipërinë, gjë që të them të drejtën, unë e kam patur sfidë në fillim, nga vetë koncepti i tyre, sesi e konceptojnë ata biznesin, përveç emrit të madh dhe për mua ishte sfidë. Kemi edhe Furlën, patjetër duhet t’i njihni.
Mira Kazhani: Po deri tek Fula arrij, (kur ka ulje), por tek Chanel jo!
Elona Çaushi: E kemi si brand dhe kemi të tërësi linjën kozmetike, kemi make up-in dhe kremrat dhe jemi tani deri në 7 dyer.
Mira Kazhani: Blejnë shqiptarët, produkte të shtrenjta shumë?
Elona Çaushi: Të them të vërtetën jam e surprizuar, e mahnitur sesa blejnë.
Mira Kazhani: Po shumë mirë, kjo është shenjë e mirë, që jetojnë mirë.
Elona Çaushi: Blihet dhe jam shumë e surprizuar. Jemi në 7 dyer për momentin, duam të hapemi, kërkon një shumë. Kemi dhe ca projekte të tjera në fushën e modës, por këto do i them në një intervistë tjetër.
Mira Kazhani: Të uroj vërtet suksese me bizneset e tua Elona. Tani do të kalojmë në pjesën që do të mund të quhet “zemra e Akilit” të kësaj interviste, tek marrëdhënia me bashkëshortin Gjin Gjoni, sepse edhe ju në vëmendje të opinionit publik vini tashmë. Edhe unë që kam ardhur tek ju, vëmendja ka qenë ai, gjyqtari Gjin Gjoni që prej 3 vitesh, gjatë gjithë këtij mandati është diskutuar edhe është një emër i përmendur shumë, kur vjen fjala për Reformën në Drejtësi. Po pa shkuar tek pjesa politike dhe tek sulmet, apo linçimi që mund t’ju jetë bërë juve familjarisht, nëse është i tillë gjithmonë. Dua të di dhe besoj se duhet të ketë deri diku edhe një kuriozitet, në çfarë viti dhe si jeni njohur ju me bashkëshortin tuaj?
Elona Çaushi: Lidhja ka ndodhur dhe ka qenë e rastësishme. Rastësia sjell qoftë gjëra pozitive, qoftë negative, në rastin tim ishte shumë pozitive. Unë të them të drejtën kisha një kazus, jo gjyq, ishte thjesht një kazus juridik, një shtjellim juridik, apo një interpretim juridik, nuk ishte proces gjyqësor. Dhe mbaj mend kur babai ka qenë ambasador në Këshill të Europës, përafërsisht 8 vjet, ne kishim gjyqtarin tonë në Këshill të Europës z.Kristaq Traja. Dhe të them të drejtën për këtë interpretim juridik ju drejtova Kristaqit, të cilin e kemi mik dhe të njohur të vjetër. Ai nga shpejtësia dhe i zënë me punë në atë kohë më tha: dëgjo Elona do të shkosh në Tiranë dhe do të takosh filanin, Gjin Gjonin, thjesht meqë është një dhënie mendimi, mendoj se ai është jurist i mirë. Dëgjo – i thashë – më fal Kristaq, si e ka emrin? M’u duk një emër i thjeshtë, të them të drejtën.
Mira Kazhani: I thjeshtë apo pak verior? Thuaj të vërtetën! E paragjykove pak?
Elona Çaushi: Jo! Absolutisht jo! Për konceptin tim. Shiko Mira, dua të them diçka, ti je veriore!
Mira Kazhani: Krenarisht veriore…
Elona Çaushi: Unë nuk e paragjykova emrin Gjin, absolutisht, bile në qoftë se bën edhe kërkime është një emër tepër i vjetër pellazg, jo ilir, pellazg, ne kemi edhe emrin Gjon, që është Papa Gjon Pali, pse ta themi me krenari për Papën dhe mos ta themi me krenari për njerëzit që quhen Gjon në veri? Kjo është shumë e thjeshtë. Kështu që bëra një shaka me Kristaqin, erdha në Tiranë për një mendim juridik, sesi mund ta formuloja. Duhet t’ia dërgoja furnitorit tim, ishte diçka që ata kërkonin dhe unë në fushën e jurispudencës të them të drejtën, aftësitë e mia ishin të kufizuara, tani janë goxha më mirë, për këtë të siguroj. Kjo ishte e gjithë ideja, u takuam me Gjinin. Nga ana ime të paktën, pastaj duhet të intervistosh Gjinin, nuk marr përsipër të flas për të. Por nga ana ime nuk ka qenë dashuri me shikim të parë, kam dashur një fare kohe ta përpunoj, aspak për emrin ose për veriun, për personin.
Mira Kazhani: Ishte ai që ka bërë hapat e parë?
Elona Çaushi: Shiko, mashkulli është më i pa ndrojtur në një marrëdhënie. Unë nuk them se jam e ndrojtur nga natyra.
Mira Kazhani: Dhe sot që po bëjmë këtë intervistë rastis të jetë Shën Valentini. Është kujtuar sot?
Elona Çaushi: Të them të drejtën mua sot në 8.30 më erdhën lule. Ai ka qenë në gjykatë dhe ai këtë e bën për vit, nuk është se ka qenë diçka ekstra këtë vit. Më erdhën lule,ai është tepër i kujdesshëm, më i kujdesshëm se unë.
Mira Kazhani: Po ti?
Elona Çaushi: Unë e kam ruajtur pas kësaj interviste një drekë dhe diçka pasdite, por unë jam njeri spontan.
Mira Kazhani: Juve mbani mbiemrin tuaj. Keni patur një celebrim, keni bërë martesë me gjyqtarin Gjoni?
Elona Çaushi: Unë mbaj mbiemrin tim, kjo ka rrjedhur tepër natyrshëm, por edhe nga vetë natyra e Gjinit që nuk e kishte fare problem, nuk është fare i kompleksuar nga kjo anë. Ne kemi bërë një celebrim, patjetër, në 30 dhjetor të 2011 kështu që ka ardhur pas shumë kohë të krijimit të Duty Free. Sigurisht, ne njiheshim më përpara se 2011-ta, njiheshin 4 vjet përpara se 2001-ta, por që kjo është historia pak a shumë.
Mira Kazhani: Ju besoni se molla e sherrit është pasuria juaj si grua biznesmene. Është Duty Free që ju zotëroni në aeroportin e Rinasit, aty ka nisur gjithçka. Po a mund ta sqarojmë disi, versionin e së vërtetës tuaj?
Elona Çaushi: Çohesh një ditë dhe shikon veten tënde në gazete, fotografinë tënde. Unë prandaj ia kisha borxh, në radhë të pare vetes, sigurisht dhe bashkëshortit, familjes time, prindërve të mi, që të them të drejtën, pas kaq vitesh jashtë, vijnë, shqetësohen, e përpunojnë ndryshe nga unë nga bashkëshorti. Sigurisht edhe babai i bashkëshortit e përpunon ndryshe, gjithsecili e përpunon ndryshe. Dhe prandaj unë thashë dhe vendosa të bëj një intervistë, në radhë të pare për të sqaruar pozicionin tim si Elona. Dhe e sqarojmë sot, që unë nuk jam e ndarë nga bashkëshorti, sepse ne jemi të dy. Do të më vinte shumë mire që nëpër studio televizive, kolegët e tu, për shembull ndoqa një studio televizive para një jave, do të doja të mos më ndanin nga bashkëshorti, ata më ndanë aty, tani rrjedhojat janë: ishte e qëllimshme, harruan, s’kishin marrë informacionin e duhur. Këtu mund të bëjmë dialogë dhe monologë sa të duam. Kur ti i servir si gazetar opinionit publik dhe thua, ashtu sikurse thanë ato studio televizive, një gjyqtar ka deklaruar në vitin aq një makinë dhe rrogën e tij dhe deri në momentin aktual ai është gjyqtari më i pasur në Republikë. Në qoftë se unë do ta shoh si qytetare, apo ju vetë, do të kem perceptimin që është gjyqtar i korruptuar, automatikisht, patjetër. Unë si popull, unë si opinion publik, edhe si Elonë, këtë perceptim do të kem. Më fal në 2003 deklaron një makinë dhe një rrogë dhe ti në 2017 je i pari dhe ke bërë miliona, perceptimi është patjetër që është i korruptuar. Por me fjalën korrupsion po luhet. Por nga 2003 unë sipas disa gazetarëve dhe koleges tënde, unë nuk ekzistoja. Një gazetar i ndershëm do të thoshte, është më i pasuri, por unë kam pare edhe tek takimet, që dikush e tha, kam shkuar tek tatimet dhe më janë dukur minimale ato taksa që i janë paguar shtetit. Dhe jam e sigurt që personi në fjalë nuk ka bërë kërkim fare sepse po të shkonte tek tatimet do të shihte që vetëm një kompani i ka paguar taksa vitet e fundit, 4 vitet e fundit janë diku tek 900 milionë lekë të vjetra vetëm taksa.
Mira Kazhani: Elona që ta kuptojmë më mirë. Si është e deklaruar pasuria juaj, në mënyrë individuale, pra pasuria juaj është në emrin tuaj, të Duty Free, apo Chanel, dhe Furla. Ndërsa ajo e gjyqtarit Gjoni është e deklaruar më vete, apo pasuria juaj kur vjen puna tek gjykimi mediatik, politik, apo i drejtësisë vjen për një pasuri në ‘En Bloc’. Mund ta sqarojmë pak këtë? Si e keni bërë deklarimin?
Elona Çaushi: Deklarimin para sulmit apo deklarimin apo para sulmit?
Mira Kazhani: Si është bërë gjithmonë dhe si është bërë tani?
Elona Çaushi: Të falënderoj për pyetjen! Atëherë subjekti është Gjin Gjoni, unë jam person i lidhur, ky është deklarimi. Unë deklaroja prej babait tim, ku isha në trungun e familjes. Nuk deklaroja me Gjin Gjonin, sepse ligji i mëparshëm thoshte ‘kur keni celebrim’. Ne celebrimin e bëmë më 31.12.2011. Unë kam deklaruar prej babait tim kur u atakuam nga ILDKP. Por pavarësisht ligjit, babai im nuk u atakua, megjithëse unë isha në trungun e babait. Por në mënyrë mekanike, u morën dhe u bashkuan deklarimi i bashkëshortit me deklarimin tim. Dhe i binte që bashkëshorti të përgjigjej për 2003-shin tim që nuk ishte në jetën time, ose për 1999, apo për vitin 2001, besoj se është logjikë e thjeshtë dhe po e shpjegoj për opinionin publik, dhe nuk po e shpjegoj me terma juridikë. Atëherë, ti je objekt pas 31.12.2011, subjekti është Gjin Gjoni, e lidhura jam unë. Ai deklaron ato që posedon ai në emër të tij dhe deklaron edhe për mua, ku unë hedh firmën si person i lidhur. /TiranaPost/
https://www.youtube.com/watch?v=iDnFx1a47cQ